E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurogrup, 3 kushte të vështira Greqisë për miratimin e ndihmës

ATHINE - Eurozona është tepër e rezervuar për t’i hapur dritën gjelbër ndihmës së re ekonomike për Greqinë dhe shton të tjera kushte në "këmbim" të 130 miliardë Eurove. 

"Megjithë progresin e konsiderueshëm që është arritur ditët e fundit, nuk kemi pasur të gjithë informacionin e nevojshëm në tryezë, për të marrë vendime", tha në konferencë shtypi pas mbledhjes së ministrave të Financave të Eurozonës, kreu i Eurogrup Jan Klod Juncker. Ai shtoi se Eurogrup do të ketë një takim tjetër të mërkurën, për të miratuar ndihmën për Greqinë, vetëm nëse ajo përmbush kushtet kryesore që janë: 

* Miratimi i marrëveshjes së kredisë së re të dielën në parlamentin grek.
* Përcaktimi i shkurtimeve shtesë për sigurimin e 325 milion euro në vitin 2012.
* Sigurimi i angazhimit të fortë nga liderët politikë, për të zbatuar programin e masave. 

Në një gjatësi vale me kreun e Eurogrup, ishte edhe Komisioneri Evropian për Çështjet Ekonomike Olli Rehn, i cili theksoi se "e ardhmja e Greqisë është në duart e qeverisë dhe parlamentit". Ai shprehu bindjen se parlamenti do të miratojë masat. “Vendet e eurozonës janë duke e konsideruar seriozisht krijimin e një llogarie të veçantë për Greqinë, e cila do të bllokojë një pjesë të të ardhurave shtetërore për të financuar borxhin e Greqisë”, tha komisioneri i BE.

Duke shfaqur shqetësimet që ekzistojnë brenda BE-së në lidhje me besueshmërinë e Greqisë, dy zyrtarët theksuan se "nuk do të ketë asnjë ndihmë fianciare për Greqinë nëse nuk shihet angazhim për zbatimin e masave".

Në përputhje me kërkesat e huadhënësve, parlamenti grek duhet të miratojë të dielën marrëveshjen e liderëve politikë për masat.

Ndërkohë kërkohen "garanci" të forta nga udhëheqësit politikë, për të zbatuar programin e masave edhe pas zgjedhjeve të ardhshme politike në vend.

Në të njëjtën qeveria ka kohë deri të mërkurën, për të miratuar masa, nga të cilat duhet të përfitojë shumën prej 325 milionë euro.

Zëvendëskryeministri dhe ministri grek i Financave Evangelos Venizelos deklaroi mbrëmë se "deri në mbledhjen e ardhshme të Eurogroup, e cila ndoshta do të mbahet të mërkurën, vendi ynë, shoqëria jonë duhet të mendojnë dhe të bëjnë një zgjedhje përfundimtare strategjike. Nëse ne e shohim shpëtimin dhe të ardhmen e vendit brenda zonës së euros, brenda Evropës, atëherë duhet të bëjmë atë që duhet bërë, në mënyrë që programi i ndihmës të miratohet", deklaroi ai.

Grevë 48 orëshe e sindikatave

Sikur të mos mjaftojë “shock-u” që kanë shkaktuar masat e ashpra financiare të miratuara në Greqi, sot dhe nesër vendi është i paralizuar edhe nga greva 48 orëshe. 

Në grevë janë sot dhe nesër sindikatat e sektorit privat dhe publik në përgjigje të masave të reja të Memorandumit. 

Greva përfshin punonjësit e sektorit publik dhe atij privat, punëtorët në arsim, shërbimet komunale, inxhinierë, punonjës bankash, transportin publik, portet, etj. Me personel sigurie do të veprojnë në spitalet publike dhe klinikat e përfshira në greve. 

GSEE dhe ADEDY planifikojnë protesta në sheshin Sintagma sot dhe nesër në ora 11.00 dhe të dielën një tubim të madh në ora 17:00.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›