E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurogrup miraton në parim paketën e re të mbështetjes për Greqinë

BRUKSEL - Është miratuar në parim në Bruksel nga ministrat e Financave të Eurozonës, programi i kredisë së re për mbështetjen e Greqisë, miratimi përfundimtar i të cilit, pritet të bëhet në një telekonferencë në datën 9 Mars. 

Më parë, ministri i Financave, Evangjelos Venizelos dhe zv/presidenti i Komisionit Europian, Olli Rehn nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit për programin e kredisë së re, që u miratua dhe u nënshkrua edhe nga guvernatori i Bankës së Greqisë. Në të bashkëngjiten edhe letrat e angazhimeve të kryetarit të PASOK-ut, Jorgos Papandreu dhe kryetarit të partisë Demokracia e Re, Andonis Samara, drejtuar presidentit të Eurogrupit.
 
Eurogrup miratoi lëvrimin e shumës së parë të nevojshme, rreth 30 miliardë euro, për zbatimin e programit të shkëmbimit të bonove greke i njohur si PSI, por nënshkrimet përfundimtare mbi kredinë prej 130 miliardë euro për Greqinë, pritet të bëhen në takimin e ardhshëm më 12 mars, sipas deklaratave të presidentit të Erogroup, Jean-Claude Juncker. 

“Greqia ka përfunduar hapat parakusht për të siguruar 130 miliardë euro dhe pritet të përfundojë edhe programi i shkëmbimit të bonove greke (PSI), për miratimin e tij përfundimtar” tha z. Juncker. 

Ministri i Financave Evangjelos Venizelos ka nënshkruar me kreun e mekanizmit të përkohshëm të mbështetjes Klaus Regling pesë kontratat e para me vlerë 93 miliardë euro, nga 130 miliardë që është shuma totale, që i përkasin ndër të tjera rikapitalizimit të bankave greke, garancive të Fondit Europian të Stabilitetit Financiar (EFSF) për Bankën Qendrore Evropiane dhe shumës 30 miliardë euro, për shkëmbimin e bonove. 

Eurogrupi përshëndeti në mënyrë pozitive të gjitha përpjekjet e bëra nga Greqia për plotësimin e detyrimeve të saj për përfundimin e rreth 100 parakushteve, deklaroi z.Evangjelos Venizelos.

“Greqia kishte kohë që nuk kishte dëgjuar fjalë të mira dhe sot i dëgjoi ato”, theksoi ministri i Financave i cili vuri në dukje se “kjo nuk do të thotë se vetëkënaqemi. Nuk do jemi të qetë”. Ministri i Financave theksoi se vendimi është një sinjal për sektorin privat në një ofertë të Greqisë, i cili është i balancuar, fitimprurës, reciprokisht i dobishëm. ai theksoi se sfida tani është që të ketë një pjesëmarrje universale e kreditorëve privatë në procesin e shkëmbimit të bonove gjatë javës së ardhshme kritike. Për këtë qëllim, tha z.Venizelos, ministrat e Financave të Eurozonës do të takohen në një telekonferencë më 9 mars, kur përfundon afati i fundit që tregjet t'i përgjigjen ofertës greke. Ministri i Financave tha se Eurogroup tani pret një konfirmim me shkrim nga Troika (BE, BQE, FMN) e teksteve të ligjeve, të vendimeve ministrore dhe të qarkoreve që duhet të përkthehen në anglisht. 

Kënaqësinë e tyre për programin e ri të Greqisë, që do të sigurojë qëndrueshmërinë e ekonomisë greke kanë shprehu presidenti i ri-zgjedhur i Bashkimit Europian Herman Van Rompuj dhe Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, pas ditës së parë të Samitit të Lartë Evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›