E Diel, 1 Nëntor 2026

Euroligj, Eurozonë, EuroKosovë

"Nisma për Stabilitet Evropian" (European Stability Iniciative - ESI), që vepron si faktor njohjeje ndërevropiane dhe funksionon për krijimin e mendësive europeiste, organizoi në fillim të dhjetorit një takim pune me autoritetet më të larta politike dhe publike nga vendet e Ballkanit Perëndimor në kryeqytetin e Republikës Çeke, Pragë (Praha).

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të ndërmarrjeve televizive më të fuqishme të Evropës dhe rajonit. Ambasada e Britanisë në Tiranë ka qenë një prej organizatorëve kryesorë në këtë konferencë në Republikën Çeke, e cila prej fillimit të vitit 2009 do të marrë kryesimin zyrtar të Bashkimit Evropian, presidencën 6-mujore të saj. Zëvendësministri çek i Punëve të Jashtme, Tomas Pojar, pati mirësinë t‘u përgjigjet pyetjeve të një interviste tematike, thelbi i së cilës ka të bëjë me politikën evropiane ndaj Kosovës në periudhën e afërt.

Gjatë dy dekadave të fundme në Evropën Qendrore dhe në atë Lindore, kanë ndodhur ndryshime që mund të konsiderohen epokale. Të gjithë sot flasin me zell e padurim për zgjerimin e Bashkimit Evropian, pa u kujtuar se "ribashkimi" i Evropës nisi me bashkimin e dy Gjermanive dhe shembjen e portave të Brandenburg-ut. Prej këndej nisi shembja e mureve të brendshme, mbi të cilat ishte ndërtuar Lindja ish-komuniste. Shpërbërja e ish-Bashkimit Sovjetik zgjati shumë pak. Afro dhjetë prej republikave të panumërta dhe shumëkatëshe që e përbënin atë ishin qysh më parë anëtare të OKB-së. Tanket sovjetike thjesht bënë një manifestim force në "Sheshin e Kuq" në gushtin e vitit 1990, ndërsa republikat probaltike e fituan pavarësinë vetëtimthi.

Më shumë nga të gjithë secesionin e vuajti ish-Jugosllavia. Lufta dhe konfliktet atje zgjatën më shumë se dhjetë vjet. Pas luftërave erdhi kontrolli dhe arbitrimi ndërkombëtar, erdhën gjyqet për ndarjen e borxheve dhe të pasurive, për verifikimin e kufijve dhe rivendosjen e paqes e të rendit mes të pavarësuarve. Disa analistë mendojnë se ish-Jugosllavia pagoi kështu haraçin e mbi 20 miliardë dollarëve, që kishte marrë borxh nga bota dhe nuk kishte mundësi t‘i kthente. Por mbi të gjitha lufta dhe konfliktet në ish-Jugosllavi dëshmuan se "vetadministrimi liberal" në thelb nuk kishte ekzistuar kurrë dhe kishte qenë thjesht një fasadë për të mashtruar Perëndimin, ashtu si dhe i ashtuquajturi "Bashkim-Vëllazërim". Vetë politologët ish-jugosllavë e kanë përqeshur këtë slogan, duke e lexuar krejt në të kundërtën: nga "Bratstvo-jedinstvo" - "Bashkim-vëllazërim" - në "Bratstvo-ubisto" (fjalë për fjalë: vëllazërim-vrasje, vëlla-vrasje).

I vetmi vend ku secesioni ndodhi pa zhurmë, pa krisma, pa armë, pa asnjë shqetësim kombëtar e ndërkombëtar, ishte Çekosllovakia. Brenda një nate ajo u gdhi me dy shtete: Republika Çeke dhe Sllovakia. Ndarja midis "çekëve burgerë" dhe sllovakëve më shumë ortodoksë pravosllavë kishte nisur qysh në "pranverën e Pragës". Ishte një model se si në këtë botë edhe kufijtë mund të varrosen apo të lartësohen pa gjak dhe dhunë.

Cilido që ka provuar të kalojë urën e Ibrit dhe të vërtetojë me përvojën e vet se sa ekziston dhe funksionon kufiri i fundmë në Evropën e pasluftës, ai kufi që nuk po munden ta kapërcejnë as misionet ndërkombëtare, kur krahason realitetin që sheh me atë që pati ndodhur në Çekosllovakinë e viteve 1990, e ndien veten keq dhe nuk mund t‘i shpëtojë vetëqortimit.

Pikërisht këto paralele, më shumë të pangjashme se sa të ngjashme të secesioneve, që kanë ndodhur në Evropë, krahas me proceset e bashkimit dhe të integrimit, më nxitën të zhvilloj një intervistë me z. Tomas Pojar, zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Çekisë dhe një prej ligjëruesve të takimit të organizuar nga ESI.

Me një elegancë politike për t‘u pasur zili, z. Pojar iu shmang paraleleve që do ta vinin rajonin tonë në pozitën e të prapambeturit dhe për më tepër vendin e tij, si model zgjidhjeje të problemeve të ngjashme.

Ajo që tërheq vëmendjen në intervistën e zotit Pojar, është realizmi politik në mënyrën si vështrohet e ardhmja e Kosovës, prej europolitikës. Shprehur me fjalë të kursyera, sipas z. Pojar, Kosovën e pret euroligji, shtrirja e sundimit të misionit Eurolex në të gjithë vendin, që do të mundësojë krijimin e standardeve të qeverisjes në të njëjtin nivel si në vendet e Bashkësisë Evropiane.

Ne mund të përfytyrojmë se presidenca e ardhshme e Evropës së Bashkuar do të ndjekë këtë politikë, që Kosova të jetë një Eurokosovë dhe rendi i atjeshëm të jetë Euroligji. Kjo i jep pavarësisë së Kosovës një kuptim më relativ se ai i deritashëm. Për z. Pojar nuk ka shumë rëndësi njohja prej vendeve, që faktorë gjeopolitikë i bashkojnë në një qëndrim të përbashkët, si vendet islamike. Rëndësi ka që të gjitha vendet e Evropës së Bashkuar të pajtohen në një qëndrim dhe ta pranojnë atë si pjesë të vetën. Se ç‘emër do të ketë kjo pjesë, republikë e pavarur, apo republikë vetëm përgjysmë e pavarur (jo anëtare e OKB-së), nuk ka ndonjë rëndësi. Madje nuk ka ndonjë rëndësi as nëse do të jetë me një status më të kufizuar, mjafton të jetë Euroligj, Eurozonë, EuroKosovë.

Kjo politikë gjithnjë e më shumë po përafron në dobi të së ardhmes evropiane të Kosovës edhe shtete që gjenetikisht do duhej të kishin ndjekur një politikë pansllave, por, për shkak të europeizmit që sundon mendimin e tyre politik dhe orientimin e përgjithshëm të vendit, janë bashkuar në një qëndrim me familjen politike evropiane. Ky është një progres ndaj të cilit shqiptarët duhet të jenë mirënjohës, sidomos kur është rasti i vendeve të tilla si Mali i Zi e Maqedonia, që, duke njohur parimisht pavarësinë e Kosovës, kanë braktisur, për hir të europeizmit, jo vetëm pansllavizmin, por edhe jugosllavizmin, që fatkeqësisht vazhdon të ketë hije të fortë në shumë vende të ish-botës së tretë.

Përfundimisht, duket qartë edhe nga pohimet e z. Pojar se Evropa e Bashkuar ka vendosur që kësaj here të pranojë në gjirin e vet fillimisht problemin (Kosovën) dhe pastaj faktorët e ngatërruar me këtë problem (Serbia, Shqipëria e palë të tjera ballkanike e rajonale).



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›