E Diel, 1 Nëntor 2026

Nevoja per mesazhe te qarte te Bankes se Shqiperise

Plotësimi me eksigjencë të lartë i objektivit kryesor të Bankës së Shqipërisë në ligjin "Për Bankën e Shqipërisë", në "….arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve "si dhe objektivat e tjerë shoqërues të Bankës së Shqipërisë, si p.sh "nxit dhe mbështet tregun e brendshëm financiarë, si dhe ndihmon në përmirësimin e kushteve monetare e kredituese, në mbështetje të stabilitetit dhe të zhvillimeve ekonomike të vendit" apo të tjera që nuk po i përmendim, të shoqëruara me kërkesat e ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 "Për Bankat në Republikën e Shqipërisë" kërkon e përcakton edhe zgjerimin e thellimin e mbikëqyrjes së veprimtarisë bankare, si atribut i ushtruar nga Banka e Shqipërisë.

Do të përpiqem shkurtimisht të theksoj disa hapësira ose segmente, për përmirësime të mëtejshme në drejtim të thellimit të pavarësisë, asaj reale, deklarimit apo tejçimit të saj të plotë te publiku e veçanërisht tek agjentët që veprojnë në tregun e madh monetar shqiptar, në përpjekje për një përshtatje sa më të plotë me praktika dhe rregullime ligjore të Bankës Qendrore Evropiane dhe të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore. Sot mund të pohojmë se Politika Monetare ka arritur objektivin e saj, por duhet të vazhdojë ende në një zhvillim e përmirësim të mëtejshëm për t‘u konturuar qartas e të plotësohet si një politikë monetare moderne, veçanërisht dhe posaçërisht e rëndësishme në një situatë të tillë financiare globale.

Me të drejtë, sot nga politikëbërësit dhe drejtuesit e politikës monetare pohohet fakti i pranuar edhe nga ligjvënësit dhe drejtuesit e ekzekutivit e politikës në tërësi, se "në një shoqëri demokratike, shkalla e lartë e transparencës dhe e përgjegjshmërisë në realizimin e politikës monetare forcon ligjshmërinë e Bankës Qendrore dhe konsolidon mbështetjen publike për mandatin e stabilitetit të çmimeve."

Kërkesat e anëtarësimit në BE kërkojnë që qeveria dhe Kuvendi, jo vetëm direkt, por edhe indirekt të mos ndërhyjnë në pavarësinë politike dhe financiare të Bankës Qendrore të vendit. Hapësirat, segmentet për përmirësim në plotësime apo rregullime të ligjit ekzistues të Bankës së Shqipërisë, apo çka është më tepër e detyrueshme zbatimin e atyre që janë obliguar prej vitesh, ligjërisht konstatojnë në:

Së pari: Përjashtimin e mundësisë së financimit direkt të deficitit buxhetor. Roli i agjentit fiskal të Bankës së Shqipërisë për qeverinë nuk është saktësisht i përcaktuar dhe marrëdhëniet midis tyre duhet të inkurajohen të vazhdojnë të ndërtohen mbi bazën e një banke qendrore të pavarur (ndërhyrja me kredi nga Banka Qendrore duhet të bëhet e fundit në radhë dhe vetëm atëherë kur aktorët e tjerë të tregut e kanë të pamundur). Kodi i praktikave më të mira të FMN sugjeron që të bëhen publike detajet e plota në marrëdhëniet që banka qendrore ka me buxhetin, si në kredi-marrje ashtu dhe në bono thesari, depozitimet që qeveria bën në bankën qendrore.

Banka e Shqipërisë, si bankë e bankave dhe njëkohësisht agjenti fiskal i qeverisë, duhet të kërkojë hapësirat për një ekuilibër më të mirë midis këtyre dy funksioneve të rëndësishme. Nëse do të vlerësoja të arritur funksionin si bankë e bankave, për shkak të kontributit të saj në ruajtjen e shëndetit të sistemit bankar shqiptar gjatë krizës së fundit që po kalon pjesa më e madhe e vendeve perëndimore, do të vlerësoja joeficente rolin e saj si agjenti i qeverisë dhe konkretisht organizatore e ankandeve të bonove të thesarit. Është jonormale që norma e interesit e Bonove të thesarit të jenë të larta, madje më të larta sesa normat e interesit të depozitave bankare të të njëjtit afat. Madje, nuk e vlerësoj pozitiv faktin që në një situatë të rënies globale të normave të interesit tendenca e tregut shqiptar është në drejtim të kundërt, pra rritje (norma e interesit për bonot njëvjeçare shkoi në 8.46% në 2 dhjetor nga 8.24% që ishte dy javë më parë, në 18 nëntor). I del detyrë Bankës së Shqipërisë që, si organizatore ekskluzive e këtij tregu ta liberalizojë këtë treg, një proces ky që jo vetëm do të ulë koston e borxhit për qeverinë por do të transferojë fitimet që vijnë nga bonot e thesarit drejt qytetarëve, theksoj qytetarëve, interesat e të cilëve deri më tani janë të harruara.

Së dyti: me zgjidhjen përfundimisht të çështjeve të mbetura pezull të buxhetit të Bankës së Shqipërisë. Nga drejtuesit e Bankës duhet të kuptohet se tashmë dihet nga një pjesë e mirë e publikut se të ardhurat, për rrjedhojë fitimi i Bankës Qendrore, janë në një pjesë të qenësishme rrjedhojë e të drejtës monopol që banka ka për hedhjen e parasë në qarkullim dhe administrimin e rezervës valutore. Është kërkesë që publiku të njihet me Buxhetin e Bankës së Shqipërisë (ende ky nuk publikohet) një institucion ky që tek e fundit mbetet publik, pavarësisht pavarësisë së pamohueshme të tij.

Së treti: Rritjen e profilit profesional e publik të Këshillit të Mbikëqyrjes si organizmi përgjegjës për hartimin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Pavarësisht se kapacitetet drejtuese dhe analizuese të drejtuesve, veçanërisht specialistëve të bankës janë të niveleve të larta profesionale, ende mbetet për t‘u bërë. Kjo kërkesë nuk është kritikë për ndokënd, por theksohet në kuadër të nevojave në rritje të kësaj fushe që kushtëzohen nga zhvillimi dhe lidhja gjithnjë e më e fortë e sistemit financiar shqiptar me tregjet ndërkombëtare.

Këta faktorë, segmente mund të shpjegohen më mirë e më qartë nga specialistë, ekspertë të profilit të lartë dhe të politikave dhe teorive monetare, të cilët edhe pse të paktë janë aktivë, të tillë si Profesorë të nderuar të Ekonomisë Monetare e Makroekonomisë, dekanë e ish-dekanë të Fakultetit të Ekonomisë Tiranë, ish-guvernatorë e ish-anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në vite përfshirë edhe drejtuesit aktualë të Bankës Qendrore e të Financave Publike në vend apo gazetarë të mirëformuar të profilit bankë në fushën e ekonomisë.

Unë, në fakt, si qëllim të dytë në këtë shkrim modest, dua të theksoj një faktor tjetër shumë të rëndësishëm, atë të transparencës dhe llogaridhënies/përgjegjshmërisë reale të Bankës së Shqipërisë e veçmas përpjekjet e bankës për edukimin monetar të publikut. Për më tepër, siç vërehet nga studiuesit, "transparenca imponon disiplinë te politikëbërësit dhe është një mënyrë për të siguruar të kuptuarit në masë të strategjisë së politikës monetare. Kjo mund të rrisë kredibilitetin, dhe si rrjedhojë efektivitetin e politikës monetare, duke lehtësuar kështu përpjekjet e Bankës Qendrore për të arritur objektivin e përcaktuar në ligj".

Hartimi dhe zbatimi i politikës monetare duhet të jetë një proces transparent për publikun, pasi kështu mund të shmanget problemi i inkonsistencës kohore të saj. Transparenca e politikës monetare nënkupton ekzistencën e një regjimi të qartë funksional të politikës monetare, përshtatjen e ankorave nominale të besueshme dhe miratimin e zbatimit transparent të politikës monetare duke zbatuar një regjim të kësaj transparence deri në detajet më të vogla si objektivat dhe instrumentet e tij, procedurat vendimmarrëse, analizat makroekonomike, modelet analitike, supozimet e përdorura dhe bazën e të dhënave. Çdo parashikim i Bankës Qendrore duhet të jetë i replikueshëm nga kushdo që ka dëshirën të kuptojë dhe pse jo të kontribuojë në arritjen e objektivave të politikave të saj monetare, duke mos ndërhyrë në pavarësinë e institucionit.

Ekonomistët pranojnë se transparenca është e rëndësishme për politika monetare në dy drejtime kryesore: rritjen e përgjegjshmërisë dhe rritjen e efektivitetit të politikës monetare. Meqenëse raportet dhe paraqitjet në publik të drejtuesve të Bankës së Shqipërisë formalisht janë të rregullta duke evidentuar një transparencë të kënaqshme në formulimin dhe raportimin e vendimeve të politikës monetare fakti evident i një rutine në mesazh dhe i një strategjie të dobët në komunikimin me publikun më ngacmon t‘u kujtoj drejtuesve të Bankës një përkufizim bashkëkohor në përcaktimin e transparencës si, "Shkalla e të kuptuarit të procesit të politikës monetare dhe vendimeve të saj nga publiku". Sipas tij, vetëm dhënia e informacionit nuk është transparencë. Winkler plotëson përfundimisht konceptin e dhënë nga të tjerë para tij, që e përkufizon transparencën e Bankës Qendrore si shkallën e dhënies së informacionit mbi procesin e politikës monetare. Publiku duhet të zotërojë të njëjtin informacion që përdor edhe Banka Qendrore për realizimin e politikës monetare. Sipas këtij përcaktimi, sa më shumë informacion të japë një bankë aq më shumë transparente është ajo. Ndërsa Winkler duke pohuar, se: vetëm dhënia e informacionit nuk është transparencë, thekson se ajo arrihet vetëm atëherë kur publiku e kupton informacionin e dhënë nga Banka Qendrore, pra ai e plotëson konceptin e transparencës duke shtuar edhe nevojën për përgatitjen dhe përçimin e informacionit duke përdorur mjetet dhe mënyra të ndryshme të dhënies së tij, si dhe formulimin e mesazhit sipas nevojave të audiencave të ndryshme. Në këtë aspekt futet prej Winklerit dhe veprimtaria e Bankës Qendrore për të nxitur edukimin e publikut.

E pikërisht këtu dua të ndalem. Realiteti ynë nuk flet pozitivisht në këtë drejtim. Në rast se sa më sipër dallohen qartas tre aspekte të transparencës: së pari, vërtetësinë e informacionit të dhënë, së dyti, qartësinë e tij dhe së treti, të kuptuarit e njëjtë të informacionit nga publiku dhe Banka Qendrore ne mund të vlerësojmë për realitetin, pra transparencën e Bankës sonë Qendrore se jemi shumë mirë sipas aspektit të parë, mirë sipas aspektit të dytë dhe dobët, për të mos thënë shumë dobët, në këndvështrimin e tretë, pra atë të kuptuarit të njëjtë të informacionit nga publiku dhe Banka Qendrore. Të kuptuarit e njëjtë të informacionit presupozon që informacioni i dhënë nga banka, në mënyrë që të jetë efektiv, duhet të kuptohet dhe interpretohet nga publiku ashtu siç kuptohet dhe interpretohet nga vetë Banka Qendrore, apo bankat e nivelit të dytë. Kjo kërkon që banka nëpërmjet veprimtarisë së saj të nxisë edukimin e publikut në këtë fushë. Publiku duhet të dijë jo vetëm se cilët janë objektivat e Bankës Qendrore, strategjia e politikës monetare për të arritur këta objektiva, por mbi të gjitha si dhe pse merren vendimet mbi veprimet e bankës, e cili është impakti i tyre mbi të gjithë agjentët e tregut. Duke qenë se përqindja më e madhe e publikimeve dhe njoftimeve për shtyp, apo prezantimeve në media janë vizita apo takime rutinë të guvernatorit, që nuk përcjellin mesazh me interes për agjentët e tregut dhe publikun, tashmë ka ardhur koha që strategjia e komunikimit me publikun të ndryshojë kurs në Bankën e Shqipërisë, e për rrjedhojë të thellohet transparenca në kuptimin e plotë të saj të përmendur sa më sipër. Komunikimi me publikun, vetëm i Guvernatorit edhe për më tepër edhe kur nuk ka mesazh të plotë, të vlefshëm e shpjegues përmes debatesh, duke i bërë administratorët dhe drejtuesit e tjerë të bankës inekzistent për publikun është praktikë jo e mirë dhe jo e dobishme.

Takimet me grupet e interesit, agjentët e tregut, apo debatet profesionale me akademikë dhe studentë janë minimumin e vet (edhe një marrëveshje e paradokohshme, Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, pavarësisht se është për t‘u vlerësuar pozitivisht si ide, lë për të dëshiruar p.sh në pikat 4, 7 dhe 8 apo thënë ndryshe për mosthellësinë e saj (të interesuarit mund ta shohin në websit-in e BSH, rubrika "edukimi i publikut"). Ato nuk duhet të jenë të vetmuara dhe vetëm të karakterit informues pa iu nënshtruar diskutimeve, debateve, analizave e sqarimeve të vlefshme për të dy palët, drejtues Bankë-publik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›