K. Ronaldo: "Topi i Artë" është vetëm hapi i parë
Kristiano Ronaldo mori zyrtarisht në Paris "Topin e Artë", gjatë një ceremonie të transmetuar nga TF1. Dorëzimi i trofeut u bë nga drejtori i revistës "France Football", Denis Çumier, ndërsa prezent ishte edhe trajneri i Mançester Junajtid, Sër Aleks Ferguson. Mesfushori portugez ishte i shoqëruar nga e ëma dhe dukej mjaft i emocionuar. "Jam shumë krenar", tha ai. "Është një ëndërr që realizohet. Falënderoj familjen time dhe miqtë më të afërt. Ky trofe është vërtet shumë i bukur". Më tej Ronaldo nuk i ka fshehur ambiciet për t‘u ngjitur edhe më lart në të ardhmen dhe tha: "‘Topi i Artë‘ është vetëm hapi i parë. Është gjithmonë një ndjesi e bukur kur arrin nivele të tilla, megjithatë e kam të qartë se nuk do të jetë e lehtë të luaj me këtë rendiment. Kam shpresa se do të vazhdoj të paraqitem mirë edhe për disa vjet. Jam ambicioz, kam një karakter të fortë dhe mentalitet luftarak. Dua të ndjek gjurmët e lojtarëve të tjerë të mëdhenj dhe të fitoj trofe të tjerë me skuadrën dhe individualisht".