F1, prodhuesit konfirmojnë qëndrimin
Konstruktorët e tjerë të Formula 1 deklaruan se nuk do të largohen nga cirkuiti. Lajmi krijon stabilitet në garën më prestigjioze të katër rrotave, pas tërheqjes tronditëse të Hondas. Pavarësisht se tregu i makinave është një ndër sektorët më të prekur nga kriza botërore, Norbert Haug, presidenti i "Mercedes-Benz" për aktivitetet sportive, deklaroi se investimet për skuadrën MekLaren Mercedes nuk do të mungojnë. Një pjesë e parave për garat do të sigurohen nga sponsorët, megjithatë ai theksoi se masat për uljen e kostove janë tejet të rëndësishme. "Në dy vitet e ardhshme do të na duhet të shkurtojmë shpenzimet me afro 50 për qind", deklaroi Haug. Edhe Ron Denis konfirmoi strategjinë e "shigjetave të argjendta". Ai zbuloi edhe shifrën që skuderia anglo-gjermane do të kursejë në edicionet 2010 dhe 2011 plot 125 milionë euro. "E kemi të qartë se duhet t‘i ulim sa më shumë shpenzimet në kampionatet 2010 dhe 2011. Parashikojmë që shifra prej 350 milionë eurosh e investuar në një vit të shkojë në afro 219 milionë euro. Nuk e fshehim faktin se do të bëjmë të pamundurën për të qenë sërish konkurrues". Sipas spekulimeve në media, konstruktori i radhës që do të largohej nga Formula 1 mund të ishte Tojota, por prodhuesi japonez i përgënjeshtroi këto zëra. Nëpërmjet një deklarate për shtyp ata konfirmuan se do të vazhdonin të ishin pjesë e garave dhe se do të japin kontributin e tyre në uljen e shpenzimeve. Për Klaus Dreger, anëtar i këshillit administrativ të BMW-së, F1 "është një pjesë e rëndësishme e strategjisë së kompanisë. Nuk ekziston asnjë aktivitet tjetër më i mirë që tregon vlerat e markës sonë", theksoi ai. As Reno nuk e mendon largimin. Një zëdhënës i konstruktorit francez tha: "Formula 1 ka ndikuar vetëm pozitivisht për ne". Luka Kordero di Montezemolo, presidenti i Ferrarit dhe i FOTA-s (Asociacioni i Skuadrave në Formula 1), deklaroi se prodhuesi nga Maranelo dhe skuadrat e tjera po punojnë intensivisht që të shkurtojnë kostot "afatshkurtra dhe afatgjata".
Honda
Edhe pse u përfol për një "efekt domino", largimi i Hondas nuk pritet të ketë pasoja. Madje, kjo markë pritet të garojë normalisht në kampionatin e ri. Interesimi i blerësve nuk ka munguar dhe një prej kandidatëve më të fortë është David Riçards, që në të kaluarën ka drejtuar skuadrat BAR dhe Beneton. Që prej së premtes skuadra është në shitje dhe për të lehtësuar procedurat e kalimit te pronarët e rinj, Honda është e gatshme të shlyejë borxhet, ndërkohë që në shitje është edhe fabrika e prodhimit "Braklei" me një çmim simbolik. Blerësit potencialë duhet të japin garanci për seriozitetin e tyre dhe se e ardhmja e skuadrës është e sigurt.