E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa i ka te gjitha mjetet per daljen nga kriza

Europa i ka të gjitha mjetet e duhura për të dalë nga kriza. Kështu ka deklaruar presidenti i Rezervës Federale, Ben Bernanke në komisionin bankar të senatit amerikan. 
Por në raportin e Bankës Qëndrore Amerikane situata në Europë shfaqet e përkeqësuar.
Tregjet financiare europiane dhe ekonomia mbeten nën një stres të lartë me efekte të mëdha mbi kushtet ekonomike e financiare edhe për pjesën tjetër të botës, përfshirë edhe SHBA. Për më tepër mundësia që situata në Europë do të përkeqësohet shton më tej rreziqet për perspektivat. 
Bernanke ka thënë se Rezerva Federale është në komunikim të vazhdueshëm me homologët europianë. Edhe pse politikat janë komplekse, ka thënë ai, ne besojmë se autoritetet europiane kanë burime të mjaftueshme dhe incentiva të fortë për të zgjidhur krizën. Në të njëjtën kohë jemi përqëndruar në përmirësimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit tonë financiar ndaj goditjeve të rënda, duke përfshirë edhe ato që vijnë nga Europa, ka deklaruar guvernatori i BQA. 
Në raportin ekonomik për 2012-2013 të SHBA, Rezerva Federale thekson se ka shenja të rimëkëmbjes por në pjesën e dytë të vitit ritmet e rritjes do të jenë më të ngadalta. Ekonomia do të rritet mes 1,9-2,4% në 2012-ën dhe deri në 2,8% në vitin 2013 parashikon Rezerva Federale. 
Një nga problemet më të mëdha për ekonominë amerikane mbetet niveli i lartë i papunësisë. Sipas raportit parashikohet që nomra e papunësisë deri në vitin 2014 do të qëndrojë në 7% nga 8,2% që është aktualisht, ndërsa inflacioni do të jetë në kuotën e 1,2% -1,7% për këtë vit  dhe 2% në 2013-ën. 
 Në këtë skenarë Rezerva Federale ka konfirmuar se do të mbajë të pandryshuar normën bazë të dollarit deri në fund të 2014-ës. Njëkohësisht është treguar e gatshme të marrë masa të tjera për të promovuar ekonominë dhe përmirësuar tregun e punës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›