E Diel, 1 Nëntor 2026

Plani belg i Presidencës së BE-së, Shqiptarët pa viza në BE brenda vitit

Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrimet e udhërrëfyesit për vizat dhe është drejt finalizimit të 3 kritereve shtesë të Komisionit Evropian, prandaj presidenca belge është e përgatitur që data finale të përkojë gjatë gjashtëmujorit të dytë të këtij viti

Belgjika e cila pritet të marrë më 1 korrik, Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, ka shpalosur programin e saj për gjashtë muajt e ardhshëm në krye të bllokut 27 anëtarësh. Një pikë e rëndësishme në programin belg të BE-së është liberalizimi i vizave dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane.
Ministri i Jashtëm i Belgjikës Steven Vanacker u shpreh gjatë fjalës së tij, se do të merret vendimi për vizat duke shtuar e Brukseli është optimist për vendet në proces si Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina. Por, ai nuk vonoi të deklarojë siç edhe është shprehur më herët kryeministri Berisha se procesi do bazohet në saj të meritës.
“I rëndësishëm është fakti që gjatë 6 mujorit të dytë të vitit, shqiptarët do kenë një vizë ‘Schengen’”, ka bërë me dije kryediplomati belg.
Ai vijoi se “procesi i liberalizimit të vizave bazohet tek meritat. Për shumë njerëz liberalizimi i vizave është një veprim simbolik dhe njëkohësisht praktik”.
“Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij procesi, dhe për këtë arsye këmbëngulim tek plotësimi i standardeve të përcaktuara nga BE. Pra, kur më pyesni për momentin kur do të marrim një vendim, do të thoja se kjo do të varet nga progresi që do të shohim, apo nga mënyra se si do të plotësohen kushtet e përcaktuara. Ne duam ta shohim këtë çështje pozitivisht, por njëkohësisht do të këmbëngulim tek plotësimi i kritereve. Pra, do t’u thosha vendeve që kërkojnë të arrijnë liberalizimin e vizave ‘Na ndihmoni, t’ju ndihmojmë!’. Në këtë mënyrë ne mund t’u krijojmë lehtësitë e nevojshme që ata të arrijnë standardet. Sigurisht, gjykimi ynë do të jetë objektiv. BE nuk e konsideron mundësinë e mbylljes së dyerve për këto vende. Ne jemi mjaft të hapur për njerëzit e interesuar për lëvizje të lirë, por kjo duhet të bëhet sipas rregullave”, tha ministri i Jashtëm belg, Vanackere.
Shqipëria i ka plotësuar kriteret e udhërrëfyesit për vizat dhe është drejt përmbushjes edhe të 3 pikave shtesë, verifikimi i të cilave do bëhet nga ekspertët e KE-së gjatë muajin korrik. Qeveria ka dhënë garanci të plotë për përfitimin e vizave brenda periudhës tetor- nëntor të këtij viti. Të njëjtin qëndrim ndajnë edhe analistët, të cilët besojnë se Belgjika si udhëheqësja e radhës e Brukselit do të sjellë progres në heqjen e vizave afatshkurtra për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës.
Problemet e hasura me azilkërkuesit nga Maqedonia dhe Serbia, të cilët pas liberalizimit të vizave u dyndën në vendet e Shengenit kryesisht në Belgjikë dhe Suedi, besohet se nuk do të kenë asnjë ndikim në vendimmarrjen politike për regjimin e lirë të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën.
Në konferencën për shtyp përfaqësuesit e Belgjikës sqaruan axhendën e tyre ekonomike dhe sociale si pjesë e masave që Europa do të marrë në këtë aspekt për t’u rimëkëmbur. Presidenca belge, pritet t’i japë një dimension të ri drejt zgjidhjes të problemeve aktuale të bllokut dhe njëherazi të konfirmojë Traktatin e Lisbonës, dokumentin ambicioz të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›