E Diel, 1 Nëntor 2026

Europa league nën “ethet” e kualifikimit për në 1/8-at

TIRANË - Kupa "e vogël" europiane, Europa League, do të njohë sot të gjitha ekipet që do të kualifikohen për në fazën e 1/8-ave, pasi ka njohur dy skuadrat e para.

Në përfundim të një dueli iberik shumë të fortë, Sevilla fitoi 1-0 me Porto në ndeshjen e kthimit, por ajo që u kualifikua ishte skuadra portugeze (rezultati i përgjithshëm 2-2) falë më shumë golave në fushën kundërshtare. Goli i Luis Fabiano kundër ish-klubit të tij nuk mjaftoi për spanjollët. Në turin e 1/-8, Porto do të përballet me CSKA Moskë.

CSKA e Moskës, barazoi (1-1) në ndeshjen e kthimit të 1/16-ave (1-0 ndeshja e parë) kundër PAOK Selanik. Muslimovic me golin e tij (67’) i vendosi në barazim dy ekipet në rezultatin e dy ndeshjeve, përpara se Ignashevitch (80’) t'i dhuronte ekipit rus kualifikimin.

Përsa u përket ndeshjeve të sotme UEFA është duke monitoruar kushtet klimaterike në Rusi si pasojë e temperaturave të ulta. Sipas rregullores, futbollistët nuk duhet të luajnë në temperatura -15 gradë celcius.
FIFA dhe UEFA u përballën me protestën e Tventes gjatë javës së kaluar. Holandezët fituan 2-0 në Kazan ndaj Rubinit, një javë më parë, por ata nuk donin të zbrisnin në fushën e lojës. Tijs Tumers, sekretari i shoqatës së futbollistëve, po monitoron situatën.
Temperaturat e ulta nuk janë vetëm problem për lojtarët, por edhe për tifozët. Vetëm 500 tifozë ishin të pranishëm në stadiumin e Kazanit me kapacitet 90 mijë vendësh.
Ndeshjet në dyshim janë ato në Moskë, ku Spartaku pret Bazelin, pas fitores 3-2 në ndeshjen e parë në Zvicër, dhe në Shën Petërsburg, ku Zeniti do të ndeshet me Jang Bojs. Kampionët e Rusisë, fitues të Kupës UEFA në vitin 2008, duhet të përmbysin humbjen 2-1 në ndeshjen e parë.
Ndërkohë, Liverpuli, pesë herë kampion Europe dhe tri herë fitues i Kupës UEFA, mund të konsiderohet si skuadra më e lavdishme që merr pjesë në Ligën e Europës. “Të kuqtë” do të kenë përballë Sparta Pragën, pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë.
Një tjetër ish-kampion Europe, Ajaksi, niset në pozitë të favorshme ndaj Anderlehtit, të cilin e mundi 3-0 në ndeshjen e parë.
Edhe Leverkuseni mund të konsiderohet me një këmbë në raundin tjetër, pasi ka fituar 4-0 ndaj ukrainasve të Metalist. Mançester Siti i shpenzimeve të mëdha ndeshet me Arisin e Selanikut, ku në formacionin titullar pritet të jetë sërish mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Kristi Vangjeli. Sfida e parë në Greqi nuk pati gola.
Mes ndeshjeve të tjera spikat përballja e PSV Eindhovenit me Lilën. Kryesuesit e kampionateve në Holandë dhe Francë, nisin gjithçka nga barazimi 2-2. Tërheq vëmendjen edhe takimi Vilareal-Napoli, që u ndanë në barazim pa gola në ndeshjen e parë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›