E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rezoluta, mbështetje historike për integrimin e shqiptarëve”

Kryeministri Sali Berisha përshëndet miratimin e raportit për Shqipërinë në Parlamentin Evropian

Kryeministri Sali Berisha përshëndeti nga mbledhja e Këshillit të Ministrave miratimin e rezolutës në Parlamentin Evropian, për integrimin e Shqipërisë dhe liberalizimin e vizave. Berisha tha se vota për rezolutën është historike. Ai pohoi se miratimi i rezolutës është një arritje madhore në procesin e heqjes së vizave.
“Kjo përbën një votë historike në këtë parlament për qytetarët e Shqipërisë, ndaj dhe dua me këtë rast tu shpreh falënderimet e mija, tu shpreh mirënjohjen e thellë, për votëbesimin e shkëlqyer që dëshmuan parlamentarët evropianë ndaj qytetarëve shqiptarë. Dita e sotme shënon një arritje madhore në procesin e heqjes përfundimtare të vizave, proces në të cilin, sipas traktatit të Lisbonës, Parlamenti Evropian ka një zë përcaktues. Vota e sotme në parlamentin Evropian ishte vlerësim i ndershëm dhe miqësor i të gjitha përpjekjeve të kësaj qeverie, por jo vetëm të qeverisë, por të të gjitha institucioneve të vendit, që me përkushtim të madh kanë punuar për të konkretizuar, për të shndërruar në realitet të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit të KE për heqjen e vizave”, deklaroi kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit vuri në dukje se vendimi i djeshëm i Parlamentit Evropian, është fryt i reformave dhe angazhimit institucional të qeverisë, për të realizuar çdo reformë.
“Ka qenë ky seriozitet i institucioneve të vendit, i qeverisë shqiptare, reformat e thella, të cilat zhdukën çdo lloj hezitimi, për tu dhënë të drejtën e lëvizjes së lirë, në hapësirën e BE-së qytetarëve shqiptarë. Këto vendime janë një vlerësim i seriozitetit të madh, me të cilin ne kemi trajtuar këtë çështje duke qenë të bindur se çdo reformë, çdo çmim apo ligj ishte i dobishëm dhe i domosdoshëm për të garantuar qytetarëve shqiptarë një dimension të ri, të madh, në lirinë e lëvizjes së tyre, atë të heqjes së vizave për lëvizjen në BE. Procesi është i pandalshëm”, tha kreu i qeverisë.
Lidhur me liberalizimin e vizave, kryeministri Berisha shtoi se qeveria shqiptare ka marrë me seriozitet 3 porositë e KE-së dhe ka punuar për plotësimin e tyre.
“I siguroj se qeveria po punon me intensitetin dhe seriozitetin më të madh, për të plotësuar dhe tre rekomandimet e rëndësishme të Komisionit Evropian të njoftuara nga Komisionerja Malstrom, me rastin e njoftimit të vendimit të Këshillit të Komisionerëve për të propozuar heqjen e vizave për Shqipërinë. Pritet që gjatë korrikut të vijnë edhe një herë, siç është lënë, përfaqësuesit e komisionit, i cili funksionon siç e kam theksuar edhe njëherë, me parimin e Shën Thomait, vjen dhe i prek gjërat në vend. Në fakt ky është parimi i së drejtës dhe ata do të vijnë tek agjencitë tona, do të konstatojnë të gjithë seriozitetin, me të cilin ne kemi marrë porositë e tyre. Kam shumë kënaqësi të konstatoj se për një nga kërkesat më kryesore, që ishte strategjia për riintegrimin e personave që mund të krijonin keqkuptime dhe mund të mendonin se mund të qëndronin më shumë se 90 ditë, u bë një punë e shkëlqyer, si nga Ministria e Punës dhe çështjeve sociale, ashtu dhe nga Ministria e Brendshme dhe departamenti i strategjive, të cilët me një punë intensive ia dolën të paraqesin një strategji dhe pas konsultimeve të gjera, ia dolën të paraqesin një strategji plotësisht të besueshme, plotësisht të zbatueshme, për integrimin e personave që mund të keqkuptojnë dhe mendojnë se mund të qëndrojnë më gjatë, që në të vërtetë nuk mund të qëndrojë askush më shumë se 90 ditë”, informoi kryeministri Berisha.
Po ashtu, kreu i qeverisë garantoi se lufta me vendosmëri për zbatimin e ligjit të konfiskimit të pasurive të krimit të organizuar po njeh nivele të reja. Kryeministri theksoi se asnjë shtetas shqiptar nuk do qëndrojnë në vendet e BE-së më shumë se 90 ditë.
Sipas kryeministrit, komisionerët ose inspektorët që vijnë në Shqipëri do të gjejnë një situatë, në të cilën qeveria ka trajtuar tre rekomandimet, me seriozitetin më të madh.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›