Kushtetuesja: Ndarja e detit, jo e ndershme
Aristir Lumezi
Gjykata Kushtetuese zbardhi dje vendimin e plotë të saj për Paktin Detar me Greqinë. Në 46 faqe argumentim dhe ballafaqim të marrëveshjes me Konventat Ndërkombëtare për Detin, Gjykata Kushtetuese jep të gjitha pikat ku kjo marrëveshje bie ndesh me Kushtetutën. Relator i kësaj çështjeje ishte gjyqtari Xhezair Zaganjori, një nga ekspertët më të mirë të së Drejtës Ndërkombëtare. Nëntë anëtarët e kësaj gjykate, të cilët ishin unanimë në vendimin e tyre, vlerësuan se marrëveshja e lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të Shelfit Kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, është e papajtueshme me Kushtetutën, sa u takon çështjeve lidhur me: a) mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes; b) mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes; c) moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve, me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm; ç) mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare. Gjykata vlerëson se mosmarrja e plotfuqisë nga Presidenti i Republikës për lidhjen e marrëveshjes ose dhënien e plotfuqisë, sipas ligjit, bie ndesh edhe me nenin 7 të Kushtetutës, i cili garanton parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Sipas gjykatësve, janë shkelur nenet, 3, 4, 7 dhe 92 të Kushtetutës. Po sipas tyre, mospajisja e delegacionit me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës përbën cenim të kompetencave të Presidentit, të parashikuara nga neni 92 i Kushtetutës, rrjedhimisht edhe të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, garantuar nga neni 7 i Kushtetutës. Por marrëveshja detare mes Greqisë dhe Shqipërisë sipas tyre, ka edhe probleme juridiko-formale, pasi ka kapërcyer kufijtë e autorizimit të dhënë për objektin e bisedimeve dhe më pas të konkretizimit të një marrëveshjeje midis dy palëve. Gjykata në vendimin e saj argumenton se në hartimin e marrëveshjes nuk janë marrë parasysh parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve, me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm. Por sipas saj, para se të nisnin bisedimet për një marrëveshje të tillë, duhej të ishin përcaktuar qartë më parë hapësirat detare që duhej të delimitoheshin si dhe brigjet detare respektive, mbi bazën e të cilave do të bëhej ky delimitim. Gjykata konstaton se zbatimi vetëm i parimit të barazlargësisë strikte në marrëveshjen objekt gjykimi është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare si dhe me detyrimet që burojnë nga neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Duke ballafaquar përvojat ndërkombëtare të hartimit të marrëveshjeve të tilla si ajo mes Shqipërisë dhe Greqisë, Gjykata Kushtetuese shprehet në vendimin e saj se Konventa dhe praktika ndërkombëtare bashkëkohore përcaktojnë si parim bazë për ndarjen e hapësirave detare atë të Ekitesë, synimi i së cilës është të arrihet një rezultat sa më i drejtë dhe i ndershëm ndërmjet palëve. Ishin partitë opozitare që e dërguan marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa ajo u mbrojt nga deputetët juristë të saj, Sajmir Tahiri dhe Damian Gjiknuri.
Argumentet e Gjykatës Kushtetuese
Mospajisja e delegacionit me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës përbën cenim të kompetencave të këtij të fundit, të parashikuara nga neni 92 i Kushtetutës, rrjedhimisht edhe të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, garantuar nga neni 7 i Kushtetutës.
Nisur nga titulli i marrëveshjes objekt shqyrtimi, gjykata konstaton se delegacioni shqiptar jo vetëm nuk ka marrë plotfuqi nga Presidenti, por nga pikëpamja formalo-juridike, edhe autorizimi përkatës i lëshuar nga Kryeministri nuk është respektuar, sa i takon objektit të tij.
Rezulton që pala shqiptare të ketë negociuar për një objekt më të gjerë sesa ishte e autorizuar, duke kapërcyer kufijtë e autorizimit të dhënë për objektin e bisedimeve dhe më pas të konkretizimit të një marrëveshjeje midis dy palëve. Ky tejkalim i objektit të autorizimit nga grupi negociator e bën marrëveshjen të papajtueshme me parimin e shtetit të së drejtës, garantuar nga neni 4/2 i Kushtetutës.
Duhej të merreshin parasysh karakteristikat e bregdetit shqiptar dhe në këtë kuadër, duhej të ishte përcaktuar gjithashtu edhe hapësira (sipërfaqja) e ujërave të brendshme detare që përfiton secila palë për shkak të heqjes së vijave bazë. Duket qartë që sipas marrëveshjes objekt shqyrtimi, në rastin konkret, ka një dispropocion të theksuar në disfavor të palës shqiptare.
Përpara zhvillimit të bisedimeve, duhej të ishin përcaktuar qartë hapësirat detare që duhej të delimitoheshin si dhe brigjet detare respektive mbi bazën e të cilave do të bëhej ky delimitim.
Nga hartat respektive të paraqitura, rezulton se në rastin konkret, të paktën përsa i përket Republikës së Shqipërisë, rreth 90% e hapësirave detare të ndara me Republikën e Greqisë janë ujëra të brendshme dhe det territorial. Marrëveshja në fjalë nuk ndan Shelf Kontinental në kuptimin juridik, ashtu siç thuhet në titull, por kryesisht ujërat e brendshme dhe detin territorial.
Gjykata konstaton se zbatimi vetëm i parimit të barazlargësisë strikte në marrëveshjen objekt gjykimi është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare si dhe me detyrimet që burojnë nga neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Zbatimi i këtij parimi vlerësohet nga gjykata si në kundërshtim të hapur me dispozitat e Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit, me praktikën e shteteve dhe me vendimet e Gjykatave Ndërkombëtare apo Gjykatave të Arbitrazhit Ndërkombëtar.
Konventa dhe praktika ndërkombëtare bashkëkohore përcaktojnë si parim bazë për ndarjen e hapësirave detare atë të Ekitesë, synimi i së cilës është të arrihet një rezultat sa më i drejtë dhe i ndershëm ndërmjet palëve. Në funksion të tij mund të zbatohet fillimisht edhe parimi i Vijës së Mesit, por që më pas korrektohet në bazë të rrethanave të veçanta, që konstatohen në çdo rast konkret.
Pavarësisht se nuk është pretenduar nga kërkuesi, gjykata vëren gjithashtu se neni 2 i marrëveshjes objekt shqyrtimi shfaq probleme kushtetuese. Ky nen parashikon se: “Në zbatim të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit, Republika e Greqisë në anën e kufirit detar që ndodhet pranë Republikës së Shqipërisë dhe Republika e Shqipërisë në anën e kufirit detar që ndodhet pranë Republikës së Greqisë, nuk do të kërkojnë apo ushtrojnë për asnjë qëllim sovranitet, të drejta sovrane ose juridiksion mbi ujin, shtratin e detit ose nëntokën”.
Ky rregullim jo vetëm që nuk konstatohet në ndonjë prej dispozitave të Konventës në fjalë, apo nga fryma e përgjithshme e saj, por nuk ndeshet as në praktikën normale të shteteve apo jurisprudencën ndërkombëtare mbi çështje të së drejtës detare.
Për sa më sipër, jo vetëm që kuptimi dhe qëllimi i kësaj dispozite është i paqartë, por ashtu siç është formuluar, mund të krijojë probleme e paqartësi në praktikën e të dyja shteteve.