E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuha shqipe, e njohim apo e zotërojmë?

Aljula Jubani-Bengu*

Cila është veçoria jonë kulturore, me të cilën identifikohemi sot si shqiptarë? Këtë pyetje mund t’ia bëjmë vetes kur dëgjojmë muzikën e sotme shqiptare, kur ushqehemi me kuzhinën shqiptare, kur shohim artin pamor shqiptar, apo kur ndjekim me pasion sportin shqiptar. Fatkeqësisht këtë pyetje mund t’ia bëjmë vetes edhe kur lexojmë tekste të shkruara shqip, por që vështirë mund t’i përkufizosh si të tilla. Në përpjekjen e dështuar për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje fshihemi me meskinitet pas dukurisë së globalizmit apo nivelit të ulët të nxënësve dhe studentëve që nuk kanë shumë dëshirë të merren seriozisht me gjuhën. A thua se shqiptarët që dallohen për përkushtimin e tyre ndaj zotërimit të gjuhëve të huaja, nuk mund të marrin seriozisht mësimin e gjuhës së tyre amtare, që, në fund të fundit, do t’u përgjysmonte punën për mësimin e çdo gjuhe tjetër.
Shpesh ky diskutim përfundon në identifikimin e fjalëve të huaja, por sikur të ishte vetëm kjo, do të mjaftonte një projekt për shpërndarjen e fjalorëve dhe një fushatë ndërgjegjësimi. çështja është se mungojnë njohuritë bazë të gjuhës shqipe: nuk njihet mirë as struktura fonetike e prozodike e sistemit tonë gjuhësor, as sistemi morfologjik, as mënyrat e mjetet e fjalëformimit, as rendi e struktura sintaksore. Sigurisht, në këtë zbrazëtirë njohurish, çdo folës thuajse autodidakt e ka më të lehtë të përdorë struktura të gatshme, të cilat i ofrohen me bujari e kokëfortësi nga gjuhët e huaja, sesa të mbetet i mangët në shprehjen e mesazheve të tij.
Teori gjuhësore tashmë të njohura kanë hedhur dritë mbi rëndësinë që ka formimi gjuhësor në perceptimin dhe paraqitjen e realitetit nga njeriu. Herderi fliste për ndërvarësinë mes ligjërimit dhe mendimit, nga ana tjetër, Humboldti i afrohej më shumë determinizmit gjuhësor, për të arritur kështu tek ajo që njihet si “Hipoteza e Sepir-Uorfit (Sapir-Whorf-it)”, e cila ndërthurr determinizmin gjuhësor (ligjërimi përcakton mendimin) me relativizmin gjuhësor (diversiteti strukturor i gjuhëve është i pakufishëm). Kjo hipotezë ka dy anë të rëndësishme:
1. Ne kufizojmë dhe përcaktojmë të gjitha mendimet tona, sepse mund “të shikojmë, të dëgjojmë dhe të provojmë” vetëm duke u bazuar në konceptet e kodifikuara në gjuhën tonë amtare;
2. Kategoritë dhe veçoritë natyrore apo shoqërore të kodifikuara në një sistem gjuhësor janë të veçanta të atij sistemi gjuhësor dhe jo gjithmonë janë të krahasueshme me gjuhët e tjera.
Interesi i psikologëve për ndikimin e gjuhëve ndaj mendimit ka ardhur para formulimit të hipotezës së Sepir-Uorfit. Prej shumë kohësh është vënë re se kujtesa dhe perceptimi ndikohen nga mundësia e zotërimit të fjalëve dhe shprehjeve të duhura. Për shembull, eksperimentet kanë treguar se përshkrimi i kujtimeve vizive mund të çojë edhe në shtrembërimin e tyre, në përpjekje e sipër të folësit për t’i lidhur sa më mirë këto kujtime me shprehje të përdorura zakonisht në gjuhën e tij dhe, nga ana tjetër, se njerëzit përgjithësisht mbajnë mend gjërat që janë të kodifikueshme në gjuhën e tyre, pra, gjërat që mund të përshkruhen me anë të shprehjeve që ata kanë të gatshme.
Për të mos u zgjatur në teorizime të tepërta për këtë shkrim, besoj se është e qartë që mungesa e kompetencës gjuhësore shkakton probleme të mëdha e, për fat edhe më të keq, jo vetëm gjuhësore.
Disa, të përkushtuar me pasion në idetë e tyre fikse, ngarkojnë gjuhën me faj. A thua se mund ta kenë fajin notat që një muzikat i pashkolluar si i tillë nuk mund të kompozojë muzikë shqiptare.
Kështu dashur pa dashur, çdo arsyetim, edhe më “profani”, e kthen vëmendjen te shkolla. Duke lënë mënjanë formulat e tejpërdorura të atdhedashurisë e të përkushtimit formal dhe duke iu kthyer një gjykimi objektiv të situatës, nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse të shohim se çfarë mësojmë ne shqiptarët sot në shkollë, se çfarë vendi zë gjuha shqipe në programet mësimore dhe si i jepet ajo nxënësit.
Ky problem nuk mund të shihet qartë, nëse nuk i shohim të paktën disa elementë thelbësore të tij.
-Së pari, a ka studime nga institutet përkatëse në lidhje me zhvillimin moshor të nxënësve shqiptarë dhe përputhshmërinë me njohuritë që ata marrin nga njëra klasë në tjetrën? (Kujtojmë se të tilla standarde janë të përcaktuara në vendet evropiane dhe nuk mund të përdoren standardet e një vendi për një tjetër)
-Së dyti, sa profesional është qëndrimi i hartuesve të programeve mësimore (p.sh. fëmijët pasi njohin emrin dhe foljen - si klasa leksiko-gramatikore, mësojnë grupin e kryefjalës dhe të foljes (në vend të kallëzuesit)- si funksione gramatikore, për të mos hyrë në hollësi të tjera të mangësive të programeve të shkollës 9-vjeçare.
Kështu, pas një keqformimi në arsimin e detyruar, nxënësit shpresojnë të plotësojnë njohuritë në shkollën e mesme ku bëhet një lëndë që nuk është as gjuhë, as letërsi. Flitet se fitoi gjuha me këtë program, por a ka fituar vërtetë? U pranua më në fund që gjuha shqipe të zhvillohej edhe në këtë cikël (ndërkohë që gjuhët e huaja zhvillohen në të gjitha ciklet e studimit), por si të ishte një qytetar ilegal u përfshi nën “ombrellën” e letërsisë (e cila ndërkohë u përçudnua) për të fituar një gjysmë qytetarie. Sigurisht, kjo pasqyrë nuk flet as për profesionalizëm, as për seriozitet.
Një program i dobët është një pikënisje shumë e mirë për një tekst të dështuar mësimor.
-Së treti, sa janë të përgatitur mësuesit për këtë formë të re mësimdhënieje. Një mësues shqiptar diplomohet, më pas me vështirësi gjen një vend pune dhe përmirësimi i cilësive të tij pedagogjike dhe intelektuale mbetet në vullnetin personal. Në këtë pikë është e domosdoshme përgatitja e platformave dhe strategjive prej institucioneve qendrore, për të mundësuar kualifikimin e mësuesve. Sigurisht, pas përcaktimit të tyre, universitetet do të jenë të gatshme të mbështesin çdo nismë të tillë, duke përgatitur programet e nevojshme akademike.
Kështu, pas një shikimi të shpejtë të disa problemeve që paraqet mësimdhënia e shqipes në shkollë, për të mos e shtrirë diskutimin në nevojën e përfshirjes së saj edhe në programet universitare, do të na duhet të kujtojmë se nguti i integrimit nuk duhet të na bëjë të humbim identitetin. E, ndërsa nuk mund të fajësohen individët që në përpjekjet për të përballuar problemet e përditshme të jetës, anashkalojnë formimin gjuhësor e kulturor të tyre, përgjegjësia u mbetet institucioneve që kanë pushtetin të marrin vendime të cilat shënojnë breza të tërë shqiptarësh me cilësinë dalluese të të kulturuarit ose të të paformuarit. Për ndërtuar dhe realizuar politika të suksesshme në këtë drejtim, duhet dëshirë, vullnet, por duhet të afrohen edhe njerëz, të cilët të punojnë në mënyrë profesionale, të përkushtuar dhe me seriozitet. Në Shqipëri, ne i kemi të gjithë faktorët për të realizuar standarde, programe e tekste të mira: edhe literaturën, edhe njerëzit, por siç thoshte Nënë Tereza: “Na qëllon shpesh të shohim tela të këputur, të vjetër apo të rinj, me çmim të lirë apo të shtrenjtë, që mbeten të papërdorur, sepse po nuk kaloi energjia elektrike në ta, nuk mund të shërbejnë për të bërë dritë.”

*Përgjegjëse e Departamentit të Gjuhësisë
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë
Universiteti i Tiranës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›