Europa, në kthetrat e Gazpromit

Vladimir Putin erdhi personalisht. Kjo për shkak se presidenti, që avancimin e Rusisë në një superfuqi energjetike e kishte shpallur detyrë kryesore, të premten bëri edhe një hap tjetër të madh drejt këtij synimi.
Të premten, afër qytetit turistik Anapa, në brigjet e Detit të Zi, nga ana e tij u vendosën gypat e parë të Rrjedhës Jugore. 900 kilometrat e parë të Rrjedhës kalojnë nën ujë, ndërkohë që në afërsi të portit detar bullgar, Varna, këta gypa dalin në sipërfaqe të tokës. Prej atje gazi rus do të duhej të vazhdonte rrjedhën e tij nëpër Serbi, Hungari dhe Slloveni, prej nga do të arrijë në Itali, respektivisht në BE.
Ky projekt shumë miliardësh po realizohet nga koncerni energjetik rus Gazprom, i cili në konzorciumin e Rrjedhës Jugore merr pjesë me 50 përqind. Bashkëpronarë të tjerë në projekt janë koncerni italian ENI, me 20 përqind; si dhe koncerni francez EDF dhe ai gjerman Winterschal, me nga 15 përqind. President i Këshillit Mbikëqyrës të konzorciumit është ish-kryebashkiaku i Hamburgut, Hening Foscherau. Sipas të dhënave zyrtare, projekti do të duhej të përfundonte deri në fund të vitit 2015, dhe që nga ai vit nëpër të do të duhej të transportoheshin nga 63 miliardë metra kub gaz në vit.
Strategjia e re Gazprom
Bëhet para fjalë për një sasi gati të njëjtë të gazit që momentalisht në Europë vjen nëpërmjet Ukrainës. Deri më tani Ukraina ishte shtetit kryesor transitor për gazin rus. Nëpërmjet gazsjellësit që është vendosur qysh në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik, në Bashkimin Europian deri më tani hynte afro 80 përqind e sasisë së përgjithshme të gazit nga Rusia.
Por, duket se kjo kohë tashmë ka përfunduar. Roland Getz, i cili për vite të tëra punoi si ekspert për Rusinë në fondacionin Shkenca dhe Politika, flet për një “strategji të re” të Gazpromit. Qëllim i këtij koncerni gjigant energjetik, që është nën kontrollin e shtetit rus, është që “të anashkalohen shtetet transite aktuale, duke ndërtuar gazsjellës nënujor”. Si projekt i parë i tillë, në vitin 2011 u realizua projekti Rrjedha veriore, i cili nëpërmjet Detit Baltik gazin rus e transporton drejtpërsëdrejti në Gjermani. Me realzimin e Rrjedhës Jugore po bëhet edhe një hap i tillë i ri, por në drejtim të jugut, sqaron Getz.
Ndryshe, po të shikohen në hartën gjeografike, këta dy gazsjellës duken si gërshërë të hapura, në mesin e të cilave shtrihet Europa.
Humbësi quhet Ukrainë
Në broshurat e reja të konzorciumit Rrjedha Jugore, Ukraina nuk figuron fare. Furnizimi i Europës me gaz rus gjatë viteve të kaluara u ndërpre disa herë, për shkak se Rusia dhe Ukraina kishin mospajtime të shumta lidhur me çmimin e tij.
Ukraina veten e sheh si viktimë të politikës së re ruse të energjetikës, për shkak se ajo realisht do të humbet të hyrat nga transiti i gazit nëpër territorin e saj.
Nga ana tjetër, sigurisht që prakticiteti dhe përfitimi ekonomik i projektit Rrjedha Jugore nuk bihet fare në dyshim. Por, me 16 miliardë euro të planifikuara, Rrjedhja Jugore është dy herë më e shtrenjtë sesa Rrjedha Veriore. Rrjedhimisht, Qeveria e Ukrainës pohon se modernizimi i gazsjellësit ekzistues, me vetëm 4.5 miliardë euro, do të ishte një projekt dukshëm më i lirë.
Mbetet e paqartë se si do të zhvillohet situata në të ardhmen, për sa i përket kërkesave për gazin nëntokësor rus.
“Rrjedha Jugore po vjen në një moment kur tregu evropian i gazit po mëdyshet rreth të ardhmes”, thotë Roland Getz.
Kërkesat në fakt vazhdojnë të rriten, sikurse edhe ishte prognozuar. Por arsye kryesore për këtë është se burimet e reja të energjisë, siç është për shembull gazi biologjik, tregun do ta bënin më transparent, sqaron eksperti tutje.
Rusia e di këtë gjë, por në Kremlin janë optimistë.
“Edhe po qe se kërkesa do të ulet, sigurisht që në ndërkohë do të vijnë kohë më të mira”, deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë një konference me gazetarë në verë të vitit 2012.
DW