E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jong Un personalitet i vitit?

Tashmë janë kompletuar nominimet për personalitetin e vitit të magazinës ‘Time’. Në mesin e 40 kandidatëve janë edhe reperi jugkorean Psy, sportisti ekstrem austriak, Felix Baumgartner, dhe Malala Jusufzai, aktivistja 15-vjeçare nga Pakistani që lufton për të drejtat e vajzave për shkollim, dhe të cilën talibanët tentuan ta vrisnin, thuhet mes tjerash në web-faqen e magazinës amerikane.

Deri më tani numrin më të madh të votave e ka tubuar diktatori i Koresë veriore, Kim Jong Un, e pas tij radhitet komiku amerikan, Jon Stewart. Në vendin e tretë radhiten imigrantët e paregjistruar, dorësa liderja opozitare e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, është e katërta.

Pjesë e listës arritën të bëhen edhe Roveri i planetit Mars; artisti kinez, Ai Weiwei; punk-grupi rus, Pussy Riot; ‘diktatori’ i ri egjiptian, Mohamed Morsi; kasapi sirian, Bashar al-Assad; sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton; presidenti amerikan, Barack Obama; notuesi amerikan, Michael Phelps, etj.

Përndryshe, arsyeja kryesore e rangimit kaq të mirë të diktatorit verikorean në listën personaliteteve të vitit të magazinës ‘Time’, është aksioni i shfrytëzuesve të forumit 4chain.com, të cilët nëpërmjet votimit masiv dëshironin t’i theksonin shkeljet e shumta të të drejtave të njeriut nga ana e regjimit të Koresë Veriore.

Në dy ditët e fundit, pasi grumbulloi mbi 2.9 milionë vota, Kim Jong Un (28) arriti të ‘rrëzojë’ nga vendi i parë presidentin islamist të Egjiptit, Mohamed Morsi. Aktualisht Jong Un ka 60,000 vota më tepër se Morsi, falë shfrytëzuesve të forumit të popullarizuar 4chain.com që nisën aksionin për votimin sa më të madh të liderit të ri të Koresë së Veriut.

Edhe pse Jong Un ka një përparësi të dukshme, pothuajse është e sigurt që ai nuk do ta fitojë ballinën e revistës ‘Time’, sepse fjalën e fundit, megjithatë, do ta kenë redaktorët e revistës. Vitin e kaluar lexuesit e revistës amerikane për personalitet të vitit zgjodhën themeluesin e web-faqes WikiLeaks, Julian Assange, megjithëse kolegjiumi i redaktorëve të ‘Time’ vendosi që këtë titull t’ia dorëzojë pronarit të rrjetit social Facebook, Mark Zukerberg.

Viteve të kaluara ‘Time’ u përkujdes që në ballinë si personalitet i vitit të mos gjendet ndonjë person kontrovers, e kjo pas reagimeve të ashpra të opinionit amerikan, të cilat e përcollën përzgjedhjen e ajatollahut iranian, Khomeini, për personalitet të vitit 1979.

Votimi zgjat deri më 12 dhjetor, ndërsa fituesi shpallet dy ditë më vonë. Personaliteti i vitit në ballinën e revistës ‘Time’ shfaqet në numrin e 31 dhjetorit, i cili del në shitje më 21 dhjetor.

Ndryshe, personalitet i vitit i revistës ‘Time’ mund të jetë një individ, ide ose objekt, që ka pasur ndikimin më të madh në ngjarjet e vitit – qoftë ai pozitiv apo negativ. Kjo traditë ka filluar në vitin 1927, kur si personaliet i parë i vitit është përzgjedhur aviatori amerikan, Charles Lindberg, i cili është njeriu i parë që ka fluturuar me aeroplan nga New Yorku në Paris, pa asnjë ndalim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›