E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutivi vendos hetimin e ndeshjeve të dyshuara për trukim

SHKRUAN: Jeton Selimi 04-03-2011 10:50

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka pranuar se do të bashkëpunojë me UEFA-n për këto çështje, pasi federata nuk ka eksperiencën e duhur për të shqyrtuar të tilla probleme

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka vendosur dje, që të hetohen tre ndeshje të superligës dhe më konkretisht Dinamo-Skënderbeu, Shkumbini-Bylis dhe Flamurtari-Elbasani, takime që janë përfolur gjatë dy javëve të fundit, për tolerime apo edhe implikime në baste ilegale. Nëse për ndeshjen e parë kanë qenë vlonjatët ata që e kanë ngritur zërin, për dy takimet në fjalë ka qenë vetë UEFA, ajo që është sinjalizuar se diçka nuk shkonte në futbollin shqiptar, Prandaj, Federata Shqiptare e Futbollit i ka kërkuar ndihmë UEFA-s, për të hetuar ndeshjet e javëve së fundit të superligës, për të cilat është përfolur se janë toleruar apo paracaktuar. Dinamo-Skënderbeu 1-3, Shkumbini-Bylis 4-2 dhe Flamurtari-Elbasani 4-0, kanë përfunduar në “syrin e ciklonit”, pasi dyshohet se pas tyre fshihet edhe mafia e basteve, por arsyeja e vërtetë që e ka shtyrë presidentin Duka, që të kërkojnë ndihmën e qeverisë së futbollit kontinental, ka të bëjë me mungesën e eksperiencës së FSHF-së në gjykimin e rasteve të tilla. Duka ka kërkuar kohë në dispozicion të federatës, si dhe ka premtuar dënime të rënda, nëse verifikohen dyshimet për ndeshjet e lartpërmendura. Numri një i qeverisë së futbollit shqiptar, Armand Duka, në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ekzekutiv, ku janë diskutuar çështje të ndryshme administrative, ka lëshuar një prononcim të shkurtër për mediat. "Të vërtetosh tolerimin e një ndeshje nuk është shumë e lehtë dhe nuk kemi eksperiencë në këtë punë dhe për këtë arsye kemi kërkuar ndihmë nga UEFA për ta bërë bashkë këtë punë. Nëse do të vërtetojmë gjëra të tilla, masat do të jenë shumë të rrepta", tha Armand Duka, president i FSHF-së. Kujtojmë se raste të ngjashme në kampionatin shqiptar kanë ndodhur edhe në sezonet e shkuara, në të cilat Federata Shqiptare e Futbollit ka çelur edhe hetimet përkatëse, por në asnjë rast nuk ka mundur dot të dërgojë të dyshuarit në bankën e të akuzuarve. Ky shqetësim është real për kampionatin shqiptar, pasi jo më larg sesa një vit më parë

Duka ka folur në mbledhjen e parë të vitit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, duke prekur një tjetër temë që tronditi futbollin shqiptar: dhunën në fushën e lojës. Sipas tij, komisioni disiplinor ka marrë masat e duhura në ndëshkimet drastike ndaj autorëve. "Jemi në dijeni të një ngjarje shumë të shëmtuar në Lushnjë, por komisioni i disiplinës njërin nga shkaktarët e ka përjashtuar përgjithmonë nga futbolli dhe një tjetër e ka dënuar tre vjet, kështu që nuk besoj se ka më tepër se çfarë të bëj", tha Duka. Ndeshjet e javës së 22-të të Superligës, Shkumbini-Bylis, Flamurtari-Elbasani dhe Dinamo –Skënderbeu dyshohen për tolerime dhe paracaktim rezultati, ndërsa në takimin e Kategorisë së Parë, Lushnja-Pogradeci u dhunua arbitri anësor.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›