Promovohet Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë të zgjedhjeve

Monitorimit të ditës së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit iu bashkua dhe Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë 2009 (KVV), i cili u promovua zyrtarisht të hënën gjatë një takimi në Hotel Tirana Internacional. KVV është një bashkim vullnetar e jo politik për vëzhgimin e proceseve elektorale, i përbërë nga gjashtë OJF: Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve, Shoqata për Kulturë Demokratike, Gruaja për Veprim Global, Qendra Kombinat "Për gratë dhe fëmijët", Qendra "Mjaft" dhe KRIIK Albania, në bashkëpunim me një rrjet organizatash partnere lokale dhe me mbështetjen financiare të Komisionit për Demokraci, pranë Ambasadës së SHBA-së Tiranë dhe Fondacionit Soros. Ambasadori amerikan John Withers, duke vlerësuar këtë iniciativë, tha se të gjashtë organizatat e përfaqësuara kanë mbledhur njerëz që do të bashkërendojnë një përpjekje tejet të sofistikuar, sië është vëzhgimi ditën e zgjedhjeve. "Kjo është trupa më profesionistë dhe më mirë e bashkërenduar e vëzhguesve shqiptarë, që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Këto OJF dhe vëzhguesit e tyre u janë nënshtruar orëve të tëra trajnimi. Ata do të përçojnë në kohë reale raportet e tyre në Tiranë përgjatë ditës së zgjedhjeve dhe do të punojnë të pavarur nga vëzhguesit ndërkombëtarë", spjegoi ambasadori amerikan. Iniciativa monitoruese e KVV-së përfshin monitorimin e procesit të votimit, të numurimit të votave, të punës së KQZ-së dhe KZAZ-ve etj. KVV ka përvojë në monitorimin e proceseve elektorale, duke filluar me zgjedhjet e vitit 2003 për të vijuar me ato të 2005-s dhe 2007-s....