E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa vuan pasojat e motit të keq



Një stuhi me shi dhe errëra të fuqishme goditi Evropën Perëndimore, duke lënë të paktën 45 të vdekur dhe mbi një milion njerëz të tjerë pa energji elektrike.
Stuhia e ardhur nga Atlantiku dhe e quajtur "Xynthia" goditi bregdetin perëndimor të Portugalisë, Spanjës dhe Francës me dallgë 8 metra të larta dhe errëra prej 160 kilometra në orë.
Franca, ku pati 40 të vdekur, u godit më rëndë nga stuhia, duke shkaktuar daljen nga shtrati të lumenjve, ndërkohë që meteorologët parashikojnë ortekë në zonat malore. Në Paris, Air France anulloi 100 fluturime në aeroportin Charles de Gaulle, ku sipas agjencisë franceze të lajmeve, pjesë të çatisë së terminalit filluan të lëviznin nga errërat e fuqishme.
Pjesa më e madhe e Britanisë jugore, tashmë e ngopur nga rreshjet e mëparshme, vazhdon të jetë në situatë emergjente nga përmbytjet, ndërsa stuhia e shpejtë përfshiu pjesën veriore e lindore të vendit, duke iu afruar Belgjikës dhe Detit Baltik.
Dy qytetet e mëdha në veri të Portugalisë, Porto dhe Vila Nova de Gaia, ishin në alarmin e shkallës më të lartë ditën e dielë për shkak të vërshimit të pritshëm të lumit Duro që i ndan ato.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›