E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidate per Topin e Arte Bajramaj rrefen vitin e lavdishem

Futbollistja Viti 2010 ishte padyshim më i miri në karrierën e 22-vjeçares

Viti 2010 ishte padyshim më i miri në karrierën e Fatmire Bajramajt. Futbollistja kosovare i radhiti sukseset e njëpasnjëshme me skuadrën e Turbine Potsdam, duke triumfuar në Ligën e Kampionëve për femra dhe në kampionatin gjerman, të cilin nuk e kishte fituar kurrë më parë. Por, pika kulmore erdhi padyshim në fund. 22-vjeçarja arriti atë që të gjithë futbollistët shqiptarë ëndërrojnë: përfshirjen mes finalistëve për çmimin prestigjioz, “Topi i Artë”. “Më parë kam arritur të përfshihem mes 10 futbollisteve më të mira, por tashmë jam mes tre kandidateve finale. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm”, deklaroi “Lira”. “Edhe pse njerëzit në Gjermani më thonë se mund ta fitoj këtë çmim, personalisht mendoj se braziliania Marta është më e mira. Unë e konsideroj sukses faktin se kam arritur deri këtu, pasi do të shkoj në Zyrih dhe do të takoj njerëz të rëndësishëm të futbollit”. Natyrisht që Bajramaj është optimiste edhe për moshën e re dhe beson se “nëse vazhdoj me të njëjtin ritëm, ndoshta në të ardhmen do ta kem rastin ta fitoj ‘Topin e Artë’. këtë vit kam luajtur mjaft mirë dhe kam fituar shumë trofe”. Përveç titullit në Gjermani dhe Champions-it për femra, sulmuesja ka fituar edhe Kupën e Botës dhe Kampionatin Europian. Objektivi i radhës është medalja e artë në Lojërat Olimpike, të cilën ajo beson se do ta arrijë në “Londër 2012”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›