E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregu i punës është nazeli, kërkon studentë të maturuar

Intervista/ Flet rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule: Risitë dhe ndryshimet që do të pësojë arsimi

Kule: Procedurat e doktoraturës pësuan ndryshime, pas ankesave të kandidatëve doktorantë
Viti i ri akademik do të sjellë plot risi në fushën e arsimit. Ligji i arsimit të lartë do të pësojë ndryshime, duke përmirësuar kështu deklaratën e Bolonjës firmosur nga ministrat e Arsimit vite më parë. Por jo vetëm kaq, pas ankesave të kandidatëve për doktorantë, disa ndryshime të kryera në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Rektoratin e Universitetit të Tiranës, kanë ndezur dritën jeshile për të gjithë ata që kërkojnë të thellojnë më tej studimet apo kërkimet e tyre shkencore.
Periudha e post-përmbytjes në Qarkun e Shkodrës është nën vëzhgimin e studentëve të fakulteteve kryesore në vend, ndërkohë që për ta, sipas degëve në të cilat studiojnë, është menduar të ketë ndryshime në përmirësim të përgatitjes së tyre shkencore.
Në një intervistë për gazetën “Shqip”, rektori i Universitetit të Tiranës tregon ndryshimet që do të pësojë ligji i arsimit të lartë, disa rregullime që u janë bërë procedurave të doktoraturave, si dhe përmirësimet që pritet të bëhen sipas propozimeve të universiteteve për ciklin e parë të studimeve, sipas procesit të Bolonjës.
Përmbytja në zonat veriore të vendit, veç përkujdesjes së shtetit, solli edhe ndjeshmëri në radhët e studentëve e pedagogëve, të cilët e kanë marrë situatën në dorë. ç’mund të na thoni lidhur me këtë iniciativë?
Sikurse mund ta ketë verifikuar opinioni publik nëpërmjet mediave, Universiteti i Tiranës, personeli dhe studentët e tij, e përjetuan me shqetësim situatën e përmbytjes në Qarkun e Shkodrës dhe u solidarizuan në dhënien e kontributeve, përfshirë këtu studentë e pedagogë. Studentët tanë kanë marrë iniciativa dhe në mënyrë personale kanë mbledhur ndihma, kanë shkuar në Shkodër. Gjithashtu jemi organizuar për periudhën post-përmbytje. Nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka ardhur një propozim me përfaqësues dhe ekspertë të departamenteve të ndryshme, të cilët do të kontribuojnë pas detyrave që do të marrin nga shtabi qendror për të verifikuar problemet, shqetësimet që evidentohen pas përmbytjes dhe për të dhënë sugjerime se si mund të zgjidhet sa më mirë dhe me shpejtësi problematika përkatëse. Po kështu, Fakulteti i Mjekësisë dhe ai i Infermierisë kanë shfaqur gatishmërinë përkatëse për çdo problem që mund të haset sot e tutje. E ndjemë veten mirë që ishim në krah dhe së bashku me të gjithë ata që shfaqën kontributin për këtë fatkeqësi, duke uruar që të mos ketë më të tilla.
Cilat janë disa nga risitë apo projektet ambicioze që ka Universiteti i Tiranës në veçanti dhe arsimi në përgjithësi për vitin e ri?
Për sa u përket problemeve të shkollës, mund të pohoj se ky vit akademik dhe ky vit kalendarik ka disa risi e prioritete të cilat mund të them që janë shfaqur me pozitivitetin e vet. Së pari, e rëndësishme është që Universiteti i Tiranës mund të konfirmojë që dhe universitete të tjera shqiptare janë përballë një situate partneriteti bashkëpunues me dikasterin e Ministrisë së Arsimit. Fatmirësisht nuk kemi shfaqen e pengesave administrative në realizimin e detyrimeve ligjore pothuajse të gjitha kërkesat e ligjshme dhe vendimet që ka marrë Senati për hapje ciklesh studimi të nivelit të dytë, të nivelit të tretë. Ato janë konfirmuar. Propozimet që kemi bërë për kuota të ndryshme për sisteme të ndryshme “full time”, “part time”, janë miratuar nga Ministria e Arsimit, pra ka një frymë që duhet përshëndetur.
Në Fakultetin e Histori-Filologjisë kanë mbetur pa u realizuar programe të doktoraturave për histori dhe gjeografi. Këto janë në proces miratimi. Dhe nga pikëpamja e formatit ligjor jemi të kompletuar për sa i përket funksionimit normal. Pra nuk verifikohen sikurse më parë pengesa të paarsyeshme dhe të pajustifikueshme për funksionimin e universiteteve tona dhe të UT në veçanti. Ju konfirmoj se UT ka rreth 35 mijë studentë në sisteme të ndryshme të studimit, që me miratimet e fundit që presim për doktoraturë, do ta kalojë këtë numër. Universiteti jonë është në fazën e plotësimit të detyrimit dhe misionit që ka shoqëria shqiptare për masivizim. Por vlen të theksohet këtu se universiteti e ka parë gjithmonë masivizimin të lidhur gushtë me standardet cilësore.
Deklarata e Bolonjës rezultoi e suksesshme për vendin tonë. Si e priti tregu i punës përgatitjen e studentëve përgjatë tri viteve?
Veç ciklit të parë të studimit “bachelor”, kanë filluar dhe ciklet e dyta të studimit dhe masterat e niveleve të ndryshme, po kështu dhe doktoraturat. Kemi dëgjuar që kanë nisur diskutimet për nevojën e domosdoshme për të bërë axhustime dhe përmirësime në disa nene të arsimit të lartë, të verifikuara nga praktika e deritanishme. Ndihet e nevojshme të bëhen përmirësime në pjesën e legjislacionit që lidhet me ciklet e studimit.
Në marrëveshjen që kanë bërë ministrat e Arsimit, ku nënshkruan atë që njihet sot si deklarata e Bolonjës në formatimin e studimeve me tri cikle, të parë, dytë dhe të tretë, kanë konfirmuar saktë dhe thonë se cikli i parë i studimeve duhet të ketë të paktën tre vjet. Kur themi të paktën tre vjet, nuk do të thotë se duhet domosdoshmërish të jenë tre. Saktësia e vendimmarrjes dhe e ligjit verifikohet nga tregu. Pra, pretenduam që cikli i parë i studimeve është i maturuar brenda vetes së vet dhe në përfundim të tij specialistët janë të gatshëm të punojnë në struktura të ndryshme dhe tregu do t’i absorbojë. Realiteti nuk na e vërtetoi, konfirmoi se nga kanalet e sistemit shkollor nuk dolën studentët sipas thirrjes së mundshme që mund t’i bëjë tregu. Pra tregu nuk e pranoi si të vlefshëm në ciklin e parë të studimeve me tre vjet. Studimi është bërë për periudhën e këtyre viteve që është implementuar sistemi trevjeçar i studimeve. Tregu është nazeli, ka kërkesa, dhe atë nuk e komandon dot kush, por ai e di vetë se çfarë merr nga sistemi i specialistëve që përgatisim në universitete. Nëse specialistët e sistemit trevjeçar do të ishin të tillë, të përshtatshëm për t’i plotësuar nevojat që kërkon tregu, ai i absorbon vetë në mënyrë automatike. Studimi referoi se tregu i do më të maturuar studentët e ciklit të parë dhe maturimi mund të vijë edhe nga një kohë më e gjatë studimi. Kjo verifikon pikërisht faktin që ministrat kur kanë nënshkruar deklaratën e Bolonjës, kanë qenë tepër të saktë, që duhen të paktën tre vjet dhe specialitetet e ndryshme mund të jetë më shumë se tre dhe pas kësaj kohe më të madhe dhe me kurrikula, ku përfshihen edhe elementët e intershipit, këta specialistë janë më të aftë që tregu t’i absorbojë.
Flitet për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë, ç’mund të na thoni ju lidhur me amendimet e mundshme?
Pika e parë është kjo, që ne duhet në ligj ta shprehim sikurse është në të gjitha legjislacionet e tjera, që cikli i parë i studimeve, pra niveli “bachelor”, të jetë të paktën tre vjet dhe universitetet, duke e bërë punën e tyre në përputhje me kërkesat që ka tregu, mund ta ndryshojnë kohëzgjatjen e ciklit të parë. Nga tre vite, ndonjë specialitet mund të bëhet në tre e gjysmë, mund të bëhet në katër, kjo sipas propozimeve që kanë universitetet në përputhje me ligjin. Pas kësaj, në qoftë se tregu fillon tërheq nga kanalet e shkollimit pjesën që ai do, i mbetet sistemit shkollor ajo pjesë që ka nevojë të vazhdojë mësimin. Krijohet në mënyrë të natyrshme piramida në sistemin e shkollimit. Pjesa që do të mbetet, pasi ikën dhe absorbon tregu, ata të ciklit të parë, do të vazhdojë studimet e nivelit të dytë dhe masterat e caktuar profesionalë apo kërkimorë, në idenë që piramida të vazhdojë. Cikli i tretë i studimeve është doktoratura. Pasi ka dalë në kanalet e punësimit pjesa që ka mbaruar pjesën e parë në ciklin e dytë, ne kemi detyrimin që të ofrojmë në mënyrë më të specializuar nga pikëpamja aplikative, dhe më të specializuar nga pikëpamja kërkimore, për kontingjentin e studentëve që mbeten në kanalet e shkollës, kjo sipas interesave të tyre. Ky grup që dëshiron të vazhdojë ciklin e dytë dhe ciklin e tretë, ka interesa dhe prirje të ndryshme. Pjesa e grupit që ka prirje akademike kërkimore do të fokusohet te linja e masterave shkencorë akademikë dhe që e kanë të qartë që pas përfundimit të ciklit të dytë në fushat akademike, ata e kanë rrugën për të filluar ciklin e tretë PHD. Pjesa tjetër do të bëjë në ciklin e dytë elementë më tepër të karakterit aplikativ, që t’u përgjigjet në mënyrë më fine kërkesave që ka tregu. Aktualisht kemi në sistemin e shkollimit master të nivelit të dytë, që ka marrë ndryshe nga çdo vend tjetër atributet e të quajturit doktoraturë, atributet për të ezauruar pjesën teorike të doktoraturës. Pavarësisht nga motivet që studenti vazhdon master të nivelit të dytë, për njohuri aplikative apo kërkimore, u konsiderohet sikur kanë mbaruar pjesën teorike të doktoraturës. Kjo nuk është e drejtë dhe kjo na deformon sistemin për ciklet e dyta dhe të treta të studimeve. Prandaj, ashtu siç e keni dëgjuar, ashtu si dhe ministri i Arsimit e ka formuluar, do të ndryshojë ligji në këtë fushë. Pas ciklit të dytë të studimeve, ajo që është e rëndësishme janë shkollat e doktoraturës. Sivjet qeveria ka miratuar kuota sipas kërkesave që kemi bërë dhe ne vazhdojmë të kemi akoma kërkesa.
Kohët e fundit janë hasur probleme për sa u takon doktoraturave. Si është zgjidhur ky problem pas ankesave të konsiderueshme nga kandidatët për doktorantë?
Për sa i përket praktikës dhe procedurave të doktoraturave te ne, do të bëja prezente një dukuri të verifikuar në praktikë. Në shumë raste ka pasur me dhjetëra ankesa nga aplikantët për doktoraturë, të cilët nuk kanë gjetur suportin e mjaftueshëm në strukturat e disa fakulteteve. Në bazë të një udhëzimi që ka qenë më parë, por që u përmirësua tashmë nga ministri Tafaj, ngriheshin disa komisione, në krye të së cilave ishte dekani. Ata testonin aplikantët, i merrnin në provim për temën e tyre të doktoraturës.
U verifikua një procedurë që nuk ishte normale. Disa rrëzoheshin dhe kandidatët kanë bërë dhjetëra ankesa në rektorat, në ministri edhe në struktura të tjera të ndryshme. Në të drejtën e tyre ata e quanin jonormale të eliminoheshin. Ishte totalisht e padrejtë. Pas udhëzimit të ri i kam porositur të gjitha strukturat që profesorët do të testojnë profesorët nëse janë të aftë apo jo, të përcaktojnë çfarë studimesh do të bëjnë dhe ata që kanë kontingjentet e personave që duan të bëjnë kërkime, t’u ndajnë punën doktorantëve potencialë që kanë aplikuar, duke pasur parasysh këtu në radhë të parë për pedagogët e brendshëm në universitetet e vendit. Ata futen në mënyrë automatike, sepse këtë ua kërkon ligji. Por ka edhe aplikantë të tjerë, që për nevojat e institucionit kanë në plan të bëjnë një studim, ta ngrenë në nivelin e doktoraturës. është për t’u sqaruar se regjistrimi në doktoraturë, nuk do të thotë se të bën doktor shkencash. Kjo gjë hap një proces, ku janë profesorët ata që do të shfaqen, nëse dinë të punojnë mirë apo jo. Nuk do të thotë që një profesor, i cili ka aftësi për të udhëhequr, të ketë kufizime në numrin e doktorantëve që do të udhëheqë. Dhe nga pikëpamja e vlerësimit janë dhe burime financiare për profesorët, për juritë që do të ngrihen.
është shfaqur një rikonceptim, e hoqëm një ngërç që na u shfaq në përmasa shqetësuese në disa departamente të Fakultetit të Mjekësisë, dhe tashmë me shefat e departamentit pas komunikimit që kemi bërë, gjetëm mirëkuptim. Tashmë, kandidatët që plotësojnë kërkesat ligjore, do të pranohen për doktoraturë. Jemi në pritje të kuotave shtesë. Në Perëndim, kandidatët për PHD kërkohen nga institucionet dhe paguhen. Ata që kanë prirje për studim, i paguan institucioni. Te ne ka një dukuri tjetër, vetë kandidatët paguajnë që të bëjnë doktoraturën.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›