E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Të rinjtë shqiptarë meritojnë heqjen e vizave



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e shoqëruar nga homologu italian, Gianfranco Finni, ishte dje e ftuar speciale në një bisedë për emigracionin e integrimin, që u moderua në Tiranë nga gazetari i njohur italian, Bruno Vespa. Duke folur para një paneli të gjerë Topalli tha se të rinjtë shqiptarë janë një model frymëzimi dhe meritojnë heqjen e vizave. “Dhe nuk është edhe njëherë rastësi, që Shqipëria pak ditë më parë mori një vlerësim vërtetë pozitiv në ‘provimin’ që ajo bëri për liberalizimin e vizave që ka të bëjë me emigracionin, me sigurinë, ka të bëjë me menaxhimin e kufijve, me pasaportat biometrike, me kartat e identitetit të një teknologjie jashtëzakonisht të sigurt, që ofrojnë garanci njësoj si në vendin tuaj, në Austri, apo në të gjitha vendet e tjera, anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Topalli. Presidenti i Dhomës së Deputetëve, Finni, tha në këtë panel se Shqipëria është një provë reale e transformimit drejt progresit. “Por nëse mendojmë në mënyrë objektive për realitetin shqiptar 20 vjet më parë dhe ta krahasojmë me realitetin e sotëm, kemi provën që këto fjalë nuk janë vetëm imazhe, por edhe të dhëna reale. është meritë dhe e kontributit të shqiptarëve, që Ballkani ka sot më shumë stabilitet dhe zhvillim”, tha Finni. Nga ana e tij, gazetari i njohur italian, Vespa, tha se të rinjtë shqiptarë kanë qenë një model për të rinjtë italianë, të cilët kanë ecur pa pasur mbështetje. “Të rinjtë tanë duhet të ndjekin shembullin e tyre në rrugën e suksesit dhe ecjes përpara në shumë fusha, edhe pse nuk kanë pasur asnjë mbështetje”, tha gazetari Bruno Vespa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›