E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja, “karrem” për Marsel Sotirin



Armand Bajrami

Albert Strati, ish-inspektor në Policinë e Durrësit tregoi dje te Krimet e Rënda se në vitin 2001, Klodian Saliu dhe Indrit Taullau i kishin shpëtuar “për fije”, një kallëzimi penal ndaj tyre për rrëmbimin e një vajze. Sipas dëshmitarit, i cili në atë kohë ishte inspektor i Shërbimit Informativ të Rendit(SHIR) në Policinë e Durrësit, kallëzimi ndaj Saliut, i vrarë në vitin 2005 dhe Taullaut, i pandehur, të dy të cilësuar si anëtarë të “bandës së Durrësit” do të bëhej nga Genta Jaho. Para togave të zeza, dëshmitari tregoi se në një takim informal, Jaho i kishte shprehur dyshimin se motra e saj, Valbona Jaho, po mbahej peng nga Klodian Saliu dhe Indrit Taullau. Dëshmitari tha se pas një takimi me një nga “të dyshuarit” për rrëmbimin, Genta Jaho kishte hequr dorë nga kallëzimi. “Kam bërë gabim që do t’i kallëzoja. Ata janë djem të shkëlqyer. Motrën nuk ma kanë marrë peng”, citoi dëshmitari fjalët që kishte dëgjuar nga Genta Jaho. Bëhet e ditur se Valbona Jaho është një nga dëshmitaret e procesit gjyqësor ndaj “bandës së Durrësit”, e cila gëzon statusin e “dëshmitares së mbrojtur”. Dëshmia e ish-inspektorit të Policisë në Durrës, Albert Strati u dëgjua në seancën e djeshme në ngarkim të akuzuarve si anëtarë të “bandës së Durrësit”. Përveç dëshmitarit Strati, gjykata u njoh dje edhe me dëshmitë e katër personave të tjerë.
DESHMIA
“Në vitin 2000-2003 kam qenë inspektor i Shërbimit Informative të Rendit në Policinë e Qarkut Durrës. Kam filluar punë në atë pozicion më 15 dhjetor të vitit 1999. Person me mbiemër Jaho njoh një vajzë, Genta Jaho, me origjinë nga Skrapari. Ka ardhur në mars të vitit 2001 dhe më ka takuar te Drejtoria e Policisë Durrës. Donte të bënte një kallëzim për disa shtetas. Më është ankuar që kishte ardhur disa herë, por nuk ia kishin regjistruar kallëzimin. Ajo do të bënte një kallëzim për Klodian Saliun dhe Indrit Taullaun. Më tha që ‘më kanë marrë motrën, Valbonën, dhe nuk e di a është gjallë’. Unë e ftova të depozitonte kallëzimin te shefi, pasi unë nuk kisha kompetenca. Më tha që ‘nuk do ta bëj tani kallëzimin, pasi kam një takim me Indrit Taullaun dhe N.K.’. Takimi do të bëhej në bashki. Kur bisedova me vajzën më vonë, pasi u kthye nga takimi më tha se kishte bërë gabim që donte të bënte kallëzimin. ‘Ata janë djem të shkëlqyer. Motrën nuk ma kanë marrë peng. Ajo është gjallë’. Më tha që ‘motrën e takova’. Insistova nëse donte të bënte kallëzimin. Më tha sërish që ‘Bëra gabim, pasi ata ishin djem të mirë’. Këtë vajzë e kam takuar vetëm atë ditë. Nuk u interesova më tej për të. Më mbrapa, në vitin 2002 fillova inspektor te Krimet e Rënda dhe u njoha me problemin.
Nuk më kujtohet që në këtë periudhë të dija gjë për Klodian Saliun. Vajzën e takova para Drejtorisë së Policisë. E kishte rekomanduar për tek unë një miku im. Bisedën me vajzën e kam bërë përpara oficerit të rojës. Biseda e dytë u bë pas rreth një ore po aty pranë”, u shpreh para gjykatës dëshmitari Strati. Në përfundim të dëshmisë, gjykata pranoi dje kundërshtimet e pjesshme të dëshmisë nga prokuroria, me deklarimet e dhëna nga i pandehuri në prill të vitit 2006. “Në vitin 2001, para zgjedhjeve të përgjithshme, një vajzë donte të bënte një kallëzim për motrën e saj që dyshonte se ishte vrarë. Për këtë dyshonte grupin e Spitallës. Për shkak të punës mësova që dyshohej se ajo ishte përdorur për të nxjerrë në pritë Marsel Sotirin dhe për të mos dalë dëshmitare në proces dyshohej se e kishin vrarë”, u citua nga procesverbali.
Në seancën e djeshme, avokati mbrojtës i të pandehurit Lulzim Berisha, i paraqiti gjykatës një deklaratë të nënshkruar nga Geri Deja, i cili jepte pëlqimin për t’u pyetur në proces duke qenë i pranishëm në gjykatë. Për shkak se ky person jeton në Itali, një seancë më parë gjykata vendosi pranimin e leximit të deklarimeve të tij në mungesë. Ky vendim shkaktoi “revoltë” tek avokatët. Sipas tyre, deklarata se dëshmitari është i gatshëm të vijë në gjykatë, është lëshuar në Romë nga vetë Deja.

Dëshmon në gjyq edhe 81-vjeçari

TIRANE – Pyetja e dëshmitarit 81-vjeçar, Xhemal Ago, shkaktoi debat të ashpër dje mes palëve në gjyqin e Bandës së Durrësit. Gjendja jo e mirë shëndetësore, fakt i pranuar edhe nga vetë dëshmitari, ishte pika ku “mëshuan” avokatët të cilët kërkonin të mos pyetej 81-vjeçari. Në vijim, gjykata vendosi pyetjen e të moshuarit Ago, për dijenin e tij mbi ngjarjen ku është ekzekutuar Marsel Sotiri, në zonën e plazhit në Durrës. Para gjykatës, dëshmitari tha se kishte lidhje krushqi me Lulzim Berishën, një nga të akuzuarit kryesorë të bandës. Ai rrëfeu se një nga djemtë, i martuar me një kushërirë të të pandehurit Lul Berisha, shkonte ndonjëherë nga shtëpia e vajzës së tij Zhulieta, e cila ndodhej në zonën e plazhit. Dëshmitari pohoi se një ditë, teksa ai ndodhej në shtëpinë e vajzës në plazh, kishte shkuar aty një nga familjarët e Berishës. “Ajo i kërkoi vajzës shtëpinë për një natë, pasi do të vinin aty disa kosovarë. Ne lëvizëm pastaj. Zhulieta erdhi me mua në shtëpinë time, bashkë me fëmijët e saj. Ajo qëndroi tek unë një natë”, tha dëshmitari. Ndërkohë që i pyetur nëse kishte marrë vesh për një vrasje të ndodhur atë natë, pranë shtëpisë së vajzës së tij, dëshmitari tha se vetëm pas dy ditësh kishte parë një shpallje vdekje në mur. Duke u shprehur në lidhje me vajtjet në prokurori për dhënie shpjegimesh në lidhje me ngjarjen, dëshmitari iu drejtua gjykatës: “Me tërë këto mundime që kemi bërë për Lulzimin, më mirë nxirreni atë që andej dhe na merrni ne brenda”. ar.ba

Nafie Domi
Dëshmitarja Nafie Domi, banonte në një banesë private në zonën e plazhit në Durrës, ku është vrarë në vitin Marsel Sotiri. Para gjykatës, dëshmitarja tha se momentin e ngjarjes nuk kishte qenë në banesë. Dëshmitarja Domi pohoi se ditën e ngjarjes, një nga familjet që ajo mbante në shtëpinë e saj me qira ishte larguar. “Pas ngjarjes u largua një familje. Më thanë që kishin një fëmijë të sëmurë. Dritarja e kësaj dhome shikonte nga shinat e trenit”, u përgjigj dëshmitarja në gjykatë.

Skënder Meka
Ndonëse ngjarja ku u vra Marsel Sotiri kishte ndodhur rreth 50 metra larg lokalit të tij, dëshmitari Skënder Meka nuk kishte parë asgjë. Para gjykatës, dëshmitari tha se “Kam dëgjuar krisma. Kam parë një makinë, tipin e së cilës nuk e mbaj mend. Nuk e di se kush është vrarë”, u shpreh dëshmitari. I pyetur nga palët, nëse e njihte shtetasin, Marsel Sotiri, dëshmitari u përgjigj negativisht.

Arben Jupa
Dëshmitari Arben Jupa tha dje se ishte plagosur nga plumbat e shkrehur në drejtim të Marsel Sotirit. Në gjykatë, Jupa tha se ishte duke pastruar një makinë në një lavazh pranë vendit ku ndodhi ngjarja. “Jam plagosur në këmbë teksa fshija një makinë. Kam rënë pa ndjenja dhe s’kam parë asgjë”, u shpreh dëshmitari për togat e zeza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›