E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Ligji për faljet nuk cenon kompetencat e Topit



ADI SHKEMBI

Ligji për faljet, i miratuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë, nuk cenon kompetencat e Presidentit. Kështu u shpreh dje ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, në një prononcim për mediat në përfundim të ceremonisë së përurimit të dixhitalizimit të arkivës së të përndjekurve. Sipas tij, ligji i ri qartëson procedurat që duhet të ndiqen, duke shmangur parregullsitë. “Nuk ka asnjë kompetencë ekstra që i jepet ministrit të Drejtësisë, por ministri i Drejtësisë, duke pasur në dorë instrumentet, vendimet e gjykatave, përmes arkivës depozitohen të gjitha vendimet e gjykatave, dhe për më tepër, ndjekjen e dinamikës së vuajtjes së dënimit në institucionet e vuajtjes së dënimit”, u shpreh Nishani. Ai shtoi se arsyeja përse kjo procedurë i ka kaluar pikërisht Ministrisë së Drejtësisë është se ky institucion ka në varësi të tij të gjitha organet që kanë informacion për periudhën e dënimit të të burgosurve. “është ministri i Drejtësisë ai, i cili për shkak të vartësisë që ka në këto institucione mund të marrë një informacion të saktë dhe vlerësues në mënyrë të tillë që për çdo propozim t’i sjellë një material referues, sa më të plotë dhe më të saktë Presidentit të Republikës. Ky ligj qartëson akoma më shumë bazën ligjore dhe natyrisht i jep më shumë informacion vendimmarrësit të vetëm, që është Presidenti i Republikës” tha Nishani. Një ditë më parë Qeveria miratoi draftin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë “Për faljet”, ligj, të cilit i referohet Presidenti në rastet e dekreteve. Burime të ministrisë thanë për gazetën se me hyrjen në fuqi të ligjit ndryshon procedura për faljen e të burgosurve. Kështu, deri tani Presidenti merrte propozime nga individët, institucionet e pushtetit lokal dhe shoqatat për faljet që firmoste, ndërsa tani propozimet zyrtare do t’i vijnë nga Ministria e Drejtësisë. Kështu të gjitha kërkesat do të depozitohen në ministri dhe kjo e fundit, pasi të kryejë të gjitha verifikimet me drejtorinë e Burgjeve do t’i përcjellë dosjen kreut të shtetit. Ligji i ri vjen edhe për shkak se ai i vjetri është miratuar në vitin 1981 dhe i ndryshuar vetëm njëherë në vitin 1993. Drafti u vlerësua në mbledhjen e Qeverisë edhe nga Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›