E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Krushqi me Aldo Baren, më persekutojnë”



Armand Bajrami

"Na kanë bërë shumë padrejtësi, vetëm se kam martuar motrën te Aldo Bare". Afrim Hoxhës, një prej të pandehurve të "bandës së Lushnjës", iu mbushën sytë me lot dje, teksa po dëshmonte nga kafazi i hekurt i sallës së gjyqit te Krimet e Rënda. I pranishëm në seancën e radhës, në ngarkim të "bandës", i pandehuri Hoxha mohoi kategorikisht të kishte lidhje me organizatën kriminale, apo me akuzat e ngritura ndaj tij. Sipas të pandehurit, gjithçka kishte ardhur vetëm prej lidhjes së krushqisë që familja e tij kishte me familjen e Aldo Bares, të akuzuarit si "kreu" i kësaj "bande". I pandehuri rrëfeu para togave të zeza momentet e arrestimit të tij nga forcat speciale dhe pretendoi se nga policia në banesën e tij është inskenuar gjetja e një automatiku kallashnikov.
ARRESTIMI
"Në vitin 1999 vijnë forcat speciale me maska dhe u futën në shtëpinë tonë. Na kanë bërë shumë padrejtësi, vetëm se kam martuar motrën te Aldo Bare (I mbushen sytë me lot. I pandehuri i kërkon ndjesë gjykatës për emocionet). Natën e arrestimit kisha në shtëpi edhe djalin e xhaxhait, Erion Hoxha, i cili kishte ardhur nga Greqia. Vijnë forcat speciale në 4 të mëngjesit. Shpartallojnë dyert. Na nxorën jashtë. Nuk na kanë lënë të flisnim. Të paktën të linin babain tim, si zot shtëpie. Tre nga ne e pamë veten në furgonin e policisë. Na çuan në komisariatin e Policisë Lushnje. Na rrahën në mënyrë ç'njerëzore. Kam shenja edhe sot, po të ngre bluzën. Na pyesnin 'ku e njeh Aldo Baren?'. I thamë: 'E kemi krushqi. Kemi martuar motrën në 1988'. Më pyesnin t'u tregoja për gjëra që s'i dija. Më pas dolëm në sallën e gjyqit për masën e sigurisë. Akuza që më komunikuan aty ishte ajo e 'armëmbajtjes pa leje'. U thashë që një armë pistoletë e kisha me leje, pasi punoja në një biznes. Babai im i ndjerë, kishte sjellë lejen e armës. Vëllai dhe kushëriri dolën nga burgu. Mua pas një muaji më thanë që 'nuk ke pasur pistoletë, por automatik'. Më morën në pyetje. U thashë që për pistoletën kisha leje nga Komisariati i Policisë. Mësova se pistoletën e kishte marrë një polic dhe më kishin futur një automatik. Jam akuzuar njëherë nga prokurorë me zë për kohën dhe pas një viti mora pafajësi. Pas shtatë muajsh më thanë që akuzohesha për vrasjen e Xhevat Demirit. Për organizatën kriminale nuk kam asnjë lidhje me çfarë më akuzon prokuroria. Kam katër vjet e gjysmë që pres drejtësi, drejtësi, drejtësi!", deklaroi i pandehuri.
VRASJA E DEMIRIT
Në deklarimet e tij, Afrim Hoxha tregoi se ditën e vrasjes së Xhevat Demirit në Lushnje, ai ndodhej jashtë qytetit. Sipas tij, në orën 18:30 ai ka mbërritur në Lushnje. "Meqë isha i shoqëruar nga Zh. Nurçe, pronari i "Blerimit", i thashë vëllait: ik në shtëpi se do të çoj Zh. Nurçen deri te lokali. Mbërritëm dhe u ulëm të pinim një kafe, pasi ishim edhe të lodhur nga rruga. Aty mësuam se kishte ndodhur një ngjarje. Na tha kamarieri që është vrarë një kosovar. Mbarova kafen dhe u ktheva në shtëpinë time. Kaq kam për të thënë për këtë ngjarje", u shpreh i pandehuri Hoxha.

Avokatët: është nxjerrë sekreti i hetimit
TIRANE - Dëshmitarët Hoxha dhe Bixha mohuan dje që t'i kishin "servirur" një "dëshmitareje të mbrojtur" të procesit fakte nga hetimet për të ndikuar në deklarimet e saj. Sipas njërit prej avokatëve, gjatë marrjes së deklarimeve të M.Demirit në fazën e hetimeve paraprake, Hoxha dhe Bixha i kanë pohuar asaj një emër konkret si "vrasës" të bashkëshortit të saj, duke i thënë se "tek shtëpia e tij është gjetur një automatik". "Gjatë dëshmisë së M.Demirit në gjykatë pak seanca më parë me anën e video-konferences ajo përmendi emrin e vrasësit duke thënë se 'më kanë thënë oficerët e policisë gjyqësore'", argumentoi avokati pyetjen e tij. a.b

Kunata dhe motra:“Nuk kishte automatik”
TIRANE - Entela Hoxha dhe Arvenola Voi, përkatësisht kunata dhe motra e të pandehurit Afrim Hoxha dëshmuan para gjykatës momentet kur forcat speciale shoqëruan tre meshkuj të familjes. "U futën persona të maskuar me uniforma. Na thanë që ishin policia dhe që të mos lëviznin. Bashkëshortin tim e qëlluan dhe e morën", tha dëshmitarja Hoxha. Sipas dëshmitareve, në vijim dy prej policëve kishin kthyer çdo objekt të shtëpisë përmbys, për të kontrolluar. "Një nga ata fliste në radio. Thonte 'i arrestuam, por nuk kemi gjetur gjë'", tha dëshmitarja Voi. Gjatë dëshmive, të dyja dëshmitaret mohuan që në banesën e tyre të ndodhej ndonjë automatik në atë kohë. "Ishte vetëm një pistoletë me leje", thanë ato. a.b

Bujar Hoxha: Selmani nuk ishte në kërkim
TIRANE - I thirrur si dëshmitar i mbrojtjes në proces, Bujar Hoxha, shef i Sektorit të Krimit të Organizuar në departamentin e hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, rrëfeu dje mbi veprimet hetimore të ndërmarra prej tij ndaj dosjes së "bandës së Lushnjës". Dëshmitari tha se së bashku me Zigur Bixhën, kishte marrë në Ambasadën shqiptare në Athinë deklarimet e Stiliano, Lorenc dhe Afrim Daja, si edhe të Gramoz Selmanit. "Ne kishim bërë verifikimet për ta. Edhe për Gramoz Selmanin. Ai na kishte figuruar si person pa precedentë penalë, referuar arkivës së Policisë së Shtetit", u shpreh ai. Sipas dëshmitarit, identifikimi i deklaruesit në Ambasadën në Athinë ishte bërë me anë të certifikatave me fotografi. a.b

“Artur Selmani dëshmoi me dëshirë”
TIRANE - Dëshmitari Zigur Bixha, ish-shef i seksionit të antiterrorist në Drejtorinë e Policisë së Fierit, tha dje se në vitin 2006 Gramoz Selmani e kishte telefonuar nga Greqia. "Më tha: Jam Gramoz Selmani. Unë kam shumë probleme që dua t'i deklaroj, por e kam të pamundur të vij në Shqipëri, pasi nuk kam garanci për jetën", tha dëshmitari, të cilit funksioni i atëhershëm i jepte edhe atributet e oficerit të policisë gjyqësore. Sipas tij, në vijim nën shoqërinë e Bujar Hoxhës shkuan në Ambasadën shqiptare në Athinë dhe i morën deklarimet. Dëshmitari mohoi dje të kishte dijeni mbi një vendim gjykata për caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" për Selmanin e vendosur në vitin 1999. a.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›