E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdhunoi e grabiti studenten çeke, kapet 24-vjeçari

SHKRUAN: Irena Vreto 01-06-2011 11:24

Korçë- Përdhunoi dhe grabiti studenten çeke, pranga pas 5 vjetësh të kërkuarit. Drejtoria e Policisë në Korçë ka bërë të mundur arrestimin e një shumë të kërkuari për një nga ngjarjet më të bujshme të vitit 2006. Maljan Meçolli 24-vjeçar është dënuar në mungesë nga drejtësia për përdhunim e një turisteje çeke, si dhe grabitjen e një miku të saj, ngjarje e ndodhur në vitin 2006. I riu fshihej prej shumë vitesh nën një identitet të rremë, teksa tashmë identifikohej si shtetasi Marjon Kolami. Pas një pune të mirëorganizuar, në mëngjesin e të martës ka përfunduar me sukses operacioni i koduar “Identiteti i remë”, pas të cilit është transferuar në burg shtetasi Maljan Meçolli. Këtë person Gjykata e Korçës e ka dënuar në vitin 2007 me plot 8 vjet burg, të arrestuarin për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” si dhe “Vjedhje me dhunë”. I porsa arrestuari në bashkëpunim me shtetasin Redion Terolli kanë përdhunuar studenten çeke me inicialet A.K., teksa kanë grabitur dhe shtetasin çek që ndodhej me të. Robert Tropek.

Ngjarja

Historia e pazakontë e një studenteje çeke. e cila mbeti e përdhunuar dhe e grabitur në Shqipëri, ka ndodhur gjatë muajit korrik të vitit 2006. Ngjarja që ka tronditur opinionin publik asokohe lidhej me studenten çeke. e cila bashkë me një grup shokësh dhe shoqe të saj, kishin zgjedhur Shqipërinë dhe konkretisht juglindjen shqiptare, për të kryer një tur lëvizjesh në këtë zonë gjatë sezonit turistik. Ngjarja e rëndë është zbuluar me vështirësi nga uniformat blu, ndërsa nga ana e saj studentja 20-vjeçare ka dhënë informacionin e duhur për të krijuar dhe profilin e autorëve të ngjarjes që shokoi jetën e saj. Dy autorët e ngjarjes kanë zënë pritë në një pikë strategjike në vendin e quajtur “Qafa e Zvezdës” në aksin rrugor Korçë-Liqenas dhe kanë sulmuar studentët, ndërsa njëra prej tyre dhe më e vogla ka mbetur peng i tyre. Dy autorët, pasi i kanë rrëmbyer të gjitha sendet e çmuara nën kërcënimin e armëve që kishin me vete, kanë kryer marrëdhënie seksuale me të, ndërsa e traumatizuar dhe me disa plagë të lehta në trup ajo ka kërkuar ndihmën e policisë së Korçës. Kjo e fundit e ka trajtuar me mjaft kujdes të huajën, e cila ka marrë dhe ndihmë mjekësore, por dhe psikologjike, ndërsa ka qëndruar në Shqipëri për aq kohë sa i është dashur të japë të gjitha dëshmitë e nevojshme për të çuar blutë drejt autorit të ngjarjes. Më pas 20-vjeçarja është betuar se nuk do të shkelte më në Shqipëri, duke deklaruar se nuk do të ishte prezente as në seancat gjyqësore, pasi nuk mund të përballej më me këtë shok që ka pësuar. I pari që ka përfunduar në prangat e bluve ka qenë shtetasi Redian Tërrolli. Burime zyrtare të policisë rajonale të Korçës kanë bërë të ditur për gazetën se është ndaluar nga Interpoli grek Redian Tërolli, 21 vjeç, nga fshati Zvezdë i rrethit të Korçës, disa vjet më parë, ndërsa vetëm gjatë të martës është bërë i mundur dhe autori i dytë i kësaj ngjarjeje, Maljan Meçolli, banor i fshatit Zvezdë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›