E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurosong Kejsi Tola, sonte ngjitet në skenën europiane

Shqipëria për të gjashtin vit pjesëmarrëse në garën e këngës europiane, që zhvillohet në Moskë
Kejsi Tola sonte në mbrëmje do të ngjitet në skenën e Festivalit Europian të Këngës Eurosong në Moskë me këngën Më merr në ëndërr, ("Carry Me In Your Dreams") me tekst të Agim Doçit dhe muzikë të Edmond Zhulalit. Klipi i këngës është realizuar në Gjermani, ndërsa për performancën e Kejsit në skenë është kujdesur koreografi Julian Bulku. Ndërkohë që sot, mes 42 vendesh konkurrente, është Shqipëria ajo që do të përjetojë emocione të veçanta, pasi përfaqësuesja shqiptare do të paraqitet e 16-ta në këtë garë këngësh evropiane. Këngëtarja Tola gjatë një konference shtypi është shprehur se: unë nuk kam karrierë të gjatë muzikore, por mendoj që mosha nuk përbën një problem.Ndërkohë që në provën zyrtare Kejsi Tola këndoi "Më merr në ëndërr", në skenën "Olimpiysky Arena" të Moskës, por ashtu ishte dhe prova e parë zyrtare edhe për Slloveninë, Hungarinë, Danimarkën, Greqinë, Moldavinë, Ukrainën, Lituaninë, Estoninë dhe Holandën. "Carry me in your dreams" do të këndohet në mbrëmjen e dytë gjysmëfinale, që bëhet në "Olimpiysky Arena". Gjithashtu këngëtarja shqiptare Kejsi Tola më parë në media është shprehur se ka punuar shumë, për t`u paraqitur sa më mirë në këtë festival kaq prestigjioz, i cili sivjet do të ketë një mënyrë tjetër të votuari, jo nga shtetet pjesëmarrëse, por kënga fituese do të zgjidhet nga një juri e përbërë nga emra të njohur të muzikës evropiane, por dhe publiku. Janë 5 vendet që janë përcaktuar të jenë automatikisht në finale, konkretisht: Franca, Rusia, Gjermania, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar. Grupi shqiptar është nisur për në Moskë në datën 4 maj, ndërkohë që mbrëmjen e sotme ka performancën e vet në këtë konkurrim, për të vijuar më pas me natën finale në datën 16 maj. Këngëtarja Kejsi Tola, e cilësoi këtë rast pjesëmarrjen në konkursin e këngës europiane, si një ngjarje të jetës së saj duke theksuar se: Jam shumë e nderuar dhe e lumtur që m`u dha rasti të përfaqësoj vendin tim në një festival kaq prestigjioz. Ajo që është komentuar më shumë në faqen zyrtare të festivalit është zëri i saj, ku ajo është vlerësuar për zërin e saj. Gjatë interpretimit, Tola do të shoqërohet në skenë nga dy këngëtare dhe dy balerinë. Edicioni i 54- të i Eurovision në Moskë, me pjesëmarrjen e 42 vendeve, nisi mbrëmjen e datës 12 maj me natën e parë gjysmë finale, ndërkohë që nata finale do të zhvillohet në 16 maj. Në këtë natë të fundit do të interpretojnë katër vendet, të cilat hyjnë automatikisht në finale, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Spanja, si dhe Rusia si vendi organizator. Krahas këtyre 5 konkurrentëve do të jenë 9 shtete fituese të natës së parë gjysmë finale dhe 9 të tjera nga gjysmë finalja e dytë, së bashku me dy vendet e përzgjedhura nga juria. Si në të gjitha edicionet e mëparshme, kënga fituese do të përzgjidhet nga televotimi i vendeve pjesëmarrëse dhe nga një juri. Metoda e përzgjedhjes së kualifikuesve nga gjysmëfinalet do të jetë kryesisht e njëjtë me sistemin e vitit të kaluar, ku 9 shtete do të zgjidhen në bazë të televotuesve, kurse shteti i dhjetë nga juria  Skenografia e Eurovisionit është realizuar nga John Casey, i cili ka punuar dhe për skenën e Festivalit Europian të Këngës të vitit 1997. Edhe pse Eurosong vlen për festival të madh, prej vitit në vit ballafaqohet me kritika të ndryshme sa rreth kualitetit të këngëve aq edhe rreth mënyrës së votimit. Natyrisht të gjithë e kanë të qartë se votat jepen në variante të fqinjësisë, miqësisë dhe shpeshherë vlerësohen si tejet jo të drejta. Sidoqoftë, çfarë do të jetë realiteti mbetet të shohim më 16 maj. Këtë vit shënohet edicioni i 54-të i garës për këngën më të mirë evropiane. Festivali i parë i këngës europiane u mbajt në vitin 1956 në Lugano të Zvicrës. Ky festival cilësohet sot si nj prej evenimenteve më të rëndësishme të këngës, i cili si çdo vit është shoqëruar dhe me thashetheme dhe kritika nga më të ndryshmet.
 ***********************************************
Shqipëria pjesëmarrëse në Eurosong
Festivali Europian i Këngës Eurosong është një aktivitet i përvitshëm ku marrin pjesë këngëtarë nga e gjithë Europa. Grupi që do të përfaqësojë Shqipërinë këtë vit përbëhet nga këngëtarja Kejsi Tola, autorët  e këngës Edmond Zhulali dhe Agim Doçi , Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Petrit Beci si dhe drejtorja e Festivalit të Këngës në Radio Televizion, Zamira Koleci. Kejsi Tola, u shpall fituese e Festivalit të 47-të të Këngës në Radio Televizion, në dhjetor të vitit të kaluar kur ajo fitoi maksimumin e pikëve në ngjarjen më të madhe të këngës, me këngën,  "Më merr në ëndërr", një këngë e kompozuar nga Edmond Zhulali dhe me tekst të poetit të njohur Agim Doçi. Për të gjashtin vit radhazi, fituesi i festivalit të këngës në RTSH do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest. Kejsi Tola, u zbulua si këngëtare në konkursin e këngëtarëve të rinj Ethet e së premtes mbrëma. Për herë të parë, Shqipëria u përfaqësua në Festivalin Europian të Këngës në vitin 2004, në Turqi me këngën Imazhi yt, të kompozitorit Edmond Zhulali, interpretuar në skenën e Eurosong-ut nga këngëtarja Anjeza Shahini. Katër vjet më parë në këtë festival, Shqipëria u përfaqësua me këngëtaren Ledina Çelo me këngën "Nesër shkoj" e kompozitorit Adrian Hila. Në vitin 2006 përfaqësimi u bë me këngëtarin Luis Ejlli me këngën "Zjarr e ftohtë" të Klodian Qafokut, ndërsa në vitin 2007 me këngëtarin Frederik Ndoci, në Helsinki me këngën "Balada e gurit",  kompozuar Adrian Hila. Në Festivalin Europian të vitit të kaluar që u zhvillua në Beograd, Shqipëria u përfaqësua me këngën "Zemrën e lamë peng", kënduar nga Olta Boka, 16 vjeç, me kompozim të Adrian Hilës dhe tekst të Pandi Laços.  

Last Updated on Thursday, 14 May 2009 10:19

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›