Eurot false, adoleshentët në hetim
VLORE – Tre adoleshentë u arrestuan nga policia e Vlorës, pasi u zbuluan si falsifikatorë të kartëmonedhave. Hetimi i kryer pas dyshimeve nga sektori i antikrimit ekonomik e financiar çoi në arrestimin e tre 17-vjeçarëve. Adoleshentët me iniciale S.P., O.C., dhe A.M., sipas policisë, tre muaj më parë, me anë të një fotokopje e skaneri kishte fotokopjuar dy kartëmonedha 100 euroshe. Dy prej tyre, tre ditë më parë kishin shkuar në një prej dyqaneve të celularëve në Vlorë, duke blerë dy aparate. Pasi janë larguar nga dyqani, pronari ka vënë re se 200 euroshi i paguar nga adoleshentët ishte i falsifikuar. Ai menjëherë ka lajmëruar policinë, e cila ka kryer veprimet hetimore, duke identifikuar autorët. Në cilësinë e provës është sekuestruar dhe skaneri i përdorur për falsifikimin e kartëmonedhave dhe aparatet celulare të blerave. Për shkak të moshës, ndaj tyre ka nisur hetimi në gjendje të lirë. q.b