Sondazhet: Obama fiton debatin
Debati i parë televiziv i kandidatëve për president në Shtetet e Bashkuara, duket se i dha përparësi senatorit nga Ilinoisi, demokratit Barak Obama.
Sipas sondazheve të kryera nga CBS news pak minuta pas përfundimit të debatit, 39 për qind ia dhanë fitoren e këtij debati Barak Obamës, ndërsa vetëm 25 për qind menduan se gjatë përballjes përparësia shkoi drejt republikanit Xhon Mekein, me 36 për qind të pavendosur. Ndërsa sipas sondazheve nga CNN, 51 për qind e votuesve thanë se Obama kishte fituar kundrejt 38 për qind pro Mekeinit. Rivalët sulmuan njëri-tjetrin në çështje të politikës së jashtme dhe për ekonominë në debatin e parë televiziv, që u ndoq nga miliona amerikanë. Senatori Mekein tha se ai nuk kishte nevojë të trajnohej për postin e presidentit. “Jam gati ta marr postin që tani”, tha ai. Por senatori Obama tha se Mekein kishte gabuar për pushtimin e Irakut dhe se lufta e kishte bërë Amerikën që ta largonte vëmendjen nga Afganistani, ku duhej të kishte vazhduar betejën ndaj Al-Kaedës. Të dy kandidatët theksuan gjatë debatit faktin se Amerika po kalon një krizë të rëndë ekonomike dhe lanë të kuptohet se do ta mbështesin planin e administratës. Kandidati demokrat Obama kritikoi partinë e Mekein. Kandidatët u përplasën për bindjet e tyre mbi luftën në Irak, për përfshirjen dhe kohën e qëndrimit të trupave amerikane atje. “Në kohën kur filloi lufta, ju thatë se ajo do të përfundonte shpejt. Dhe u gabuat, ju thanë se irakianët do t’ju prisnin si çlirimtarë, por nuk ndodhi kështu”, tha Obama. Mes komenteve të analistëve, “The New York Times” ka theksuar përplasjen e gjeneratave. “Barak Obama dhe Xhon Mekein nuk u përballën as për fondin e debatueshëm ekonomik prej 700 bilionë dollarësh. Mes tyre pati një përplasje gjeneratash, dhe hera-herës dukej sikur kishte tension dramatik të një familjeje feudale: një patriark i vjetër i frustruar, madje i paqëndrueshëm, i sfiduar nga ai që do të ishte pasardhësi i biznesit të familjes që mendon se do të drejtojë më mirë”. Ndërsa “The Washington Post” e përkufizon debatin si një lojë mes “të këqijve dhe të mirëve”. “Shumë nga përgjigjet e Mekeinit i referoheshin Obamës, sikur i fliste një studenti kolegji: “Kam frikë se Senator Obama nuk e kupton ndryshimin mes një taktike dhe një strategjie”, ishte një thënie tipike. Mbështetësit e Obamës duhet të kenë mbetur të pakënaqur kur e kanë parë kandidatin e tyre që mbështeste vazhdimisht rivalin e tij”, shkruan gazeta. Pas debatit, Obama nxori një deklaratë ku theksoi se gjatë 90 minutave Mekein nuk e kishte përmendur kurrë “klasën e mesme”. Ndërsa Mekein nxori një video në internet me të gjitha pjesët kur Obama kishte mbështetur thëniet e tij.
Qëndrimet
Ekonomia
Obama: Kriza financiare në “Wall Street” u shkaktua nga tetë vite politikë e dështuar ekonomike e administratës së Xhorxh Bush mbështetur nga Mekein.
Mekein: Kjo është hera e parë pas një kohe të gjatë që republikanët dhe demokratët ulen së bashku, duke u përpjekur të gjejnë një zgjidhje.
Taksat
Mekein: Abuzuesit e taksave duhet të japin llogari për shpenzimet. Ne do të kontrollojmë shpenzimet e Uashingtonit, pasi aktualisht qeveria po harxhon më shumë se ndonjëherë në histori.
Obama: Ulja e taksave dhe dhënia e miliarda dollarëve për kompanitë e sigurimeve shëndetësore janë dhurata që u bëhen këtyre të fundit. Duhet të ndryshojmë kulturën e shpërndarjes së fondeve.
Karburantet
Obama: Ekonomia po ngadalëson ritmin e saj. Brenda një dekade duhet të shkëputemi nga varësia e importit të karburantit. Duhet t’i japim prioritet ndërtimit të makinave me konsum të ulët.
Mekein: Plani im është ndërtimi i 45 centraleve bërthamore për prodhimin e energjisë, që i përgjigjen edhe ndryshimeve klimaterike.
Iraku
Mekein: Administrata Bush mësoi se duhet të përdorte gjithë forcën e nevojshme për të pasur sukses në luftë. Kjo strategji ka pasur sukses dhe ne po fitojmë në Irak. Ne do kthehemi në shtëpi me fitore dhe me nder.
Obama: Mësimi që duhet nxjerrë është se nuk duhet të hezitojmë asnjëherë të përdorim forcën. Si president, unë asnjëherë nuk do të hezitoj të përdor forcën për sigurinë e popullit amerikan. Por, ne duhet ta përdorim fuqinë tonë ushtarake me mençuri, çfarë nuk është rasti në Irak.
Irani
Mekein: Nuk mund të ulem me një njeri që ka pohuar se do të zhdukë Izraelin si shtet. Nëse Irani do të ndërtojë armë bërthamore, është një kërcënim direkt për Izraelin dhe gjithë rajonin. Nuk mund të lejojmë një holokaust të dytë. Mund të imponojmë sanksione të forta ndaj Iranit.
Obama: Politika jonë ndaj Iranit ka dështuar. Ne nuk mund të lejojmë një Iran bërthamor dhe nuk mund të vendosim sanksione pa bashkëpunimin e vendeve si India dhe Rusia. Ka dështuar politika e të bërit veprime pa biseduar më parë.