E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurot false, lirohen 3 te arrestuar,ne qeli kapoja i grupit

TIRANE- Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës vendos të lirojë 3 nga 14 të arrestuarit e policisë për kontrabandimin dhe vënien në qarkullim të 73 mijë eurove false kurse një person tjetër është lënë në arrest shtëpie. Vendimi është marrë dje në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë për të arrestuarit në kuadër të operacionit të koduar "Graniti". Prokuroria kishte kërkuar masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje" për Gjergji Gjinajn, Kurtali Bilbilin dhe Nuredin Bishamin.

Ndërsa janë lënë në arrest në burg 9 persona mes të cilëve dhe i konsideruari si kapo i këtij rrjeti, kosovari Avni Hajrullahu si dhe dy maqedonasit Xheladin Demiri 28 vjeç dhe Kemal Rexhepi 31 vjeç.

Operacioni i përbashkët mes policisë dhe Task-Forcë të prokurorisë startoi të enjten mbrëma të javës së kaluar. Policia sekuestroi 73 mijë euro false me origjinë nga Bullgaria, por që në Shqipëri ishin kontrabanduar nga Maqedonia. Valuta pritej të hidhej në tregun e zi të shpërndarjes së kartëmonedhave të falsifikuara në kryeqytet. Operacioni policor u zhvillua në dy faza. Fillimisht u godit baza ku bëhej shpërndarja e eurove false përkundrejt 20 për qind të vlerës reale, pranë stadiumit "Qemal Stafa" në Tiranë.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›