Interi rrezikon një sezon me “zero tituj”
MILANO- Interi rrezikon ta mbyllë këtë sezon pa asnjë trofe, megjithëse aktualisht është në luftë në të tre frontet. Barazimi 2-2 me Fiorentinën, që solli humbjen e kreut të Serisë A, ka bërë që edhe kuotat e basteve në Itali të flasin gjithnjë e më shumë për një vit me zero tituj për zikaltërit. Bukmejkërsat e kanë ulur nga 5.5 në 3.5 koeficientin që Interi të mos fitojë asgjë këtë sezon. Skuadra e Murinjos ndodhet 1 pikë pas Romës në kampionat, kur duhen edhe 5 ndeshje nga fundi. Të premten Interi do të presë Juventusin, ndërsa Roma të dielën do të luajë kundër Lacios në derbin e kryeqytetit. Në këtë mënyrë, java e ardhshme do të vendosë shumë përsa i përket titullit kampion. “Roma e meriton vendin e parë, sepse ka bërë gjithçka mirë dhe ka patur një vazhdimësi të dukshme në pjesën e dytë të sezonit”, ka deklaruar presidenti Masimo Morati. Por, sipas tij gjithçka do të luhet deri në javën e fundit. Përsa i përket mundësisë së fitimit të Champions League, shanset janë disi më të vogla, pasi Interit i duhet të kalojë në gjysmëfinale Barcelonën e Lionel Mesit, që po kalon një formë të jashtëzakonshme në këto momente. Në Kupën e Italisë, Interi ndeshet të martën ndaj Fiorentinës dhe trajneri Murinjo do të hedhë në fushë rezervat, që gjithsesi duken të një niveli të lartë. Zikaltërit kanë fituar 1-0 në ndeshjen e parë, ndërsa mund të përballen me Romën, e cila në gjysmëfinalen e parë ka fituar 2-0 ndaj Udinezes.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)