Zihen për një vajzë, tenton të shtypë 15-vjeçarin
Grinden në një qendër interneti, minoreni tenton të shtypë një bashkëmoshatar me makinë, ndërsa protagonistë në këtë ngjarje të rëndë janë bërë edhe dy shokë të tjerë të tij. Tre minorenë janë vënë në pranga nga ana e Policisë së Korçës me akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë. Ngjarja ka ndodhur në qytezën e Maliqit, kur një 15-vjeçar, pasi është grindur në një qendër interneti me një bashkëmoshatarin e vet për motive të dobëta, ka planifikuar ta vrasë atë. Së bashku me dy shokë, 15-vjeçari G. K. nga fshati Libonik, ka pritur që djali të dalë nga interneti për ta vrarë për motive që lidhen me një histori dashurie. Burimet e policisë lokale kanë bërë të ditur se adoleshenti ka marrë një makinë tip "Benz" me targa KO 2405 B dhe kanë pritur të dëmtuarin derisa ai ka dalë nga pika e internetit ku ishin grindur më parë për një vajzë. Më pas ai ka tentuar ta shtypë 15-vjeçarin, por fatmirësisht pa mundur ta përplasë. Adoleshenti ka rënë mbi kofanon e mjetit dhe është tërhequr përgjatë një segmenti rrugor në qendër të qytetit. Sipas burimeve policore, 15-vjeçari bashkë me dy shokë të tij moshatarë që kanë qenë në momentin e ngjarjes në mjetin tip "Benz", e kanë tërhequr të dëmtuarin duke e marrë mbi kofano për tetë metra dhe më pas kanë frenuar. Minoreni është rrëzuar në tokë, ndërsa ka pësuar dëmtime në pjesën e këmbës dhe në gjymtyrë. Ai është transportuar drejt spitalit të Korçës dhe policia ka arrestuar 15-vjeçarin G.K.
Ju.Dh.
Ju.Dh.