Ligji që dhunon Kushtetutën dhe Konventën
Ligji i ri "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar", i cili në thelb ndryshon ligjin e mëparshëm Nr.9284, datë 30.09.2004 "Për Parandalimin e krimit të organizuar", i quajtur ndryshe ligji "Antimafia". Për fatin e keq, ligji që në thelb ndryshon shumë pak nga ai i vjetri, njëlloj sikurse ky i fundit përveç problemeve të tjera të shumta, bie ndesh me nenet 30 e 42 të Kushtetutës së RSH, me nenin 6 të KEDNJ dhe me Kodin e Procedurës Penale (K.Pr.P), si dhe Kodin e Procedurës Civile (K.Pr.C.). Problemet e ligjit, sikurse të atij të vjetër, do të bëjnë të pamundur zbatimin e tij dhe në rastin më të parë do të jenë shkas edhe për shfuqizimin e tij nga Gjykata Kushtetuese. Konkretisht, ky ligj sikurse ligji i 2004-ës, dhunon rëndë të drejtën për proces të rregullt dhe të drejtën e çdo të pandehuri për t‘u prezumuar i pafajshëm. Ligji i ri, ashtu si edhe ligji i vjetër, nëpërmjet një akrobacie juridike të papranueshme mundohet të justifikojë kalimin e barrës së provës nga organi i akuzës te personi subjekt i ligjit, duke e cilësuar këtë proces si një proces civil. Me fjalë të tjera, në gjykimin e hartuesve të ligjit, kalimi i barrës së provës te personi subjekt i këtij ligji është një proces i thjeshtë civil dhe për rrjedhojë sipas tyre, mbi këtë person bie barra e provës për të provuar origjinën e ligjshme të pronës për të cilën kërkohet sekuestrimi ose konfiskimi. Sigurisht, kjo logjikë është plotësisht e gabuar, por edhe nëse do ta merrnin të mirëqenë këtë fakt, përsëri hartuesit e këtij ligji kanë harruar të lexojnë mirë nenet 12 dhe 8 të K.Pr.C. ku përcakton se: "Pala që pretendon një të drejtë, ka detyrim që në përputhje me ligjin, të provojë faktet mbi të cilat bazon pretendimin e saj", "Palët kanë detyrimin të paraqesin faktet mbi të cilat mbështesin pretendimet e tyre". Me fjalë të tjera, edhe në një proces civil, përsëri barra e provës për të provuar ligjshmërinë e pronës i takon organit të prokurorisë, i cili vë në lëvizje gjykatën dhe ngre pretendimin mbi origjinën e paligjshme të pronës. Nga ana tjetër, duhet theksuar që ligji i ri nuk sjell asgjë të re nga ky këndvështrim, pasi edhe ligji i vjetër përcaktonte pikërisht këtë gjë, që procesi i gjykimit zhvillohej sipas K.Pr.C., po ashtu edhe barra e provës përcaktohej se i takonte pikërisht të pandehurit ose personit subjekt i këtij ligji, sikurse përcaktonte neni 4 i tij. Sidoqoftë, juridikisht s‘është e mundur që ligji i ri sikurse edhe ai i vjetër të mund ta shkëpusë procesin civil nga ai penal, pasi subjekte të këtij ligji janë të gjithë personat që, mbi bazën e një dyshimi të arsyeshëm të bazuar në prova dyshohen të kenë kryer disa vepra penale specifike që lidhen me aktivitetin e organizatave kriminale, si dhe atyre terroriste ose të afërmit e paralindur, të paslindur...etj. Pra në thelb, asnjë person s‘mund të jetë subjekt i ligjit nëse ata vetë ose një i afërm i tyre nuk dyshohet të ketë kryer veprat penale përkatëse. Pra, shkaku i fillimit dhe i justifikimit të këtij procedimi është pikërisht një procedim penal ndaj personit vetë ose ndaj të afërmeve të tij. Ligji i ri, ndryshe nga ai i vjetër, lejon fillimin e procedimit bazuar edhe vetëm në indicie, gjë e cila bie ndesh me vendimin Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë Nr.1, datë 25.01.2007 ku theksohet që: "Prokuroria duhet të paraqesë prova të cilat vërtetojnë faktet e pretenduar. Këto prova duhet të përmbajnë të dhëna të mjaftueshme dhe nuk duhet të jenë thjesht në trajtën e dyshimeve, indicieve...etj...". Ky përcaktim i ligjit të ri, sigurisht bie ndesh edhe me K.Pr.P., pasi ky i fundit sikurse edhe vetë Kushtetua, ndalon dënimin e personave të pabazuar në prova, sepse një gjë e tillë garantohet edhe nga parimi "in dubio pro reo" ose çdo dyshim merret në favor të pandehurit. Po ashtu edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në rastin "De Haes dhe Gijsels kundër Belgjikës", 24.02.1997, theksoi që: "E drejta për proces të rregullt nënkupton gjithashtu parimin e barazisë së armëve. Ky i fundit nënkupton që çdokush që është palë në një procedim duhet të ketë një mundësi të arsyeshme për të mbrojtur vetën e tij në kushte të cilat nuk e vendosin atë në një dizavantazh thelbësor vis-a-vis kundërshtarit të tij". Në rastin konkret, personat e dyshuar dhe të gjithë personat e tretë, janë absolutisht në një pozitë të pabarabartë me organin e akuzës. Konkretisht, qenia e tij i pandehur dhe nga ana tjetër, i detyruar për të provuar origjinën e ligjshme të pronës së tyre, nënkupton në mënyrë të pashmangshme detyrimin i tij për të provuar pafajësinë e tij. Ky është një dhunim i hapur i rezervës ligjore, e cila parashikon që organi i akuzës duhet të provojë akuzën dhe pretendimet ndaj origjinës së ligjshme ose të paligjshme të personave objekt i hetimit dhe i procedimit penal. Respektimi i së drejtës për të heshtur është i nevojshëm për të shmangur vendosjen e të akuzuarit në një pozicion "trileme mizore të vetë-inkriminimit, shkeljes së betimit ose të përbuzjes" (Whitebread and C Slobogin, 2000 4 ed at 360.) Një argument tjetër kundër marrjes së të dhënave të pafavorshme është që ka shumë arsye të pafajshme për të heshtur dhe në mënyrë që të mbrojmë pafajësinë, nuk duhet të merren të dhëna të pafavorshme nga heshtja (See the report of the Scrutiny of Acts and Regulation Committee of the Parliament of Victoria Inquiry into the Right to Remain Silent (March 1999). S Easton The Case for the Right to Silence 2 ed (1998) 145.). Pra me fjalë të tjera, detyrimi për të provuar prejardhjen e ligjshme të pronës të personave nën hetim dhe personave të tjerë të tretë, nënkupton dënimin e këtyre personave për shkak se ushtrojnë të drejtën e tyre për të heshtur. Veç kësaj, një mbrojtje rigoroze e së drejtës për të heshtur i shërben ekonomisë gjyqësore për të ruajtur ekuilibrin e duhur midis interesave të të akuzuarit dhe ato të shtetit, për të dënuar kryerjen e një krimi (See C Theophilopoulos ‘The evidentiary value of adverse inference from the accused‘s right to silence‘ (2002) 15 South African Journal of Criminal Justice 521.). Përderisa barra e provës tek e pakta në kuptim të rrezikut të një bindjeje të lëkundur, u përket vetëm organeve hetuese dhe shteti nuk mund të ketë përparësi, duke kërcënuar të dyshuarin ose të pandehurin, duke e detyruar atë që shprehimisht të rrëfejë ose madje edhe të bëjë deklarata vetë inkriminuese. E thënë në latinisht do të ishte: "nemo tenetur se ipsum prodere" ose "Asnjë nuk është i detyruar të flasë". GJEDNJ përsëri edhe në rastin "Barberá, Messegué dhe Jabardo kundër Spanjës" thekson që parimi i prezumimit të pafajësisë, kërkon inter alia që anëtarët e gjykatës kur të ushtrojnë detyrën e tyre nuk duhet të fillojnë me një ide të parabindur që personi i akuzuar ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar; barra e provës i takon prokurorisë dhe çdo dyshim duhet të merret në favor të të pandehurit (Barberá, Messegué and Jabardo v. Spain, 6.12.1988, para. 77.). Sipas kësaj gjykate "e drejta për proces të rregullt nënkupton edhe të drejtën e çdo personi të akuzuar për kryerjen e një vepre penale për të heshtur dhe për të mos inkriminuar vetën e tij" (Funke v. France, 25.02.1993, para. 44.). E drejta për të mos inkriminuar vetën e tij, veçanërisht nënkupton që prokuroria në një proces penal duhet të provojë akuzën, duke mos përdorur metoda shtrënguese, ose shtytje mbi vullnetin e të akuzuarit. Në këtë kuptim e drejta për të heshtur lidhet ngushtë me prezumimin e pafajësisë në parashikuar në Nenin 6(2) të KEDNJ. E drejta për të mos inkriminuar vetën e tij, nënkupton së pari të drejtën për të respektuar vullnetin e personit të akuzuar për të heshtur. (Saunders v. the United Kingdom, 17.12.1996, paras. 68- 69.) Në këto rrethana, kur është vetëm çështje kohe para se Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë këtë ligj, ose GJEDNJ të ndëshkojë Shqipërinë, duhet medoemos që ligji të rishikohet për të siguruar respektimin e të drejtave të njeriut, përndryshe ligji i ri ashtu sikurse edhe ai i vjetër, nuk do të jetë asnjëherë i zbatueshëm.