Prokuroria merr të pandehur edhe kryetarin e Komunës së Novoselës
Prokuroria e Vlorës merr të pandehur edhe kryetarin e Komunës së Novoselës në Vlorë. Rait Llanaj ka dhënë një leje për shfrytëzimin e një toke për dhe në këtë komunë, në kundërshtim me ligjet në fuqi. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, akuza vlonjate ka dërguar në gjykatë të pandehurit Rait Llanaj, Eduart Beqiraj dhe Shuaip Troka. Objekti i akuzës, sipas akuzës, është se: "Me vendim të të pandehurit Rait Llanaj si kryetar komune është dhënë një leje për administrimin e shpërndarjes së dheut. Ky vendim është dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi i vetmi autoritet i ngarkuar me ligj për ekzekutimin e ligjit duke kontraktuar me subjekte të ndryshme për shfrytëzimin e karrierave të ndryshme është ministri përkatës. KRRT-ja e Komunës Novoselë ka miratuar dy leje ndërtimi për ndërtimin e dy objekteve në territorin e Komunës Novoselë me datë 25 shkurt 2008 dhe datë 28 gusht 2007. Ka rezultuar se të dyja këto objekte janë ndërtuar mbi troje që ndodhen jashtë vijës së verdhë të Komunës Novoselë", deklaron Prokuroria e Vlorës. Sipas saj, i pandehuri si kryetar i komunës nuk e ka kërkuar miratimin e lejes së ndërtimit dhe të studimit urbanistik KRRT-së së Qarkut të Vlorës për dy objektet.