Marrin peng 25-vjeçarin, dy në pranga
Marrin peng dhe keqtrajtojnë një 25-vjeçar, arrestohen dy persona, ndërsa një i tretë shpallet në kërkim policor. I riu është mbajtur peng në një bilardo në Katund të Ri dhe pasi e kanë rrahur, e kanë çuar me makinë në grykëderdhjen e Erzenit dhe e kanë lënë atje. Pas kësaj pengu ka bërë denoncimin. Bajram Vrioni, 41 vjeç, dhe Gentian Vrioni, 30 vjeç, njëri tregtar dhe tjetri murator, të dy nga lagjja "Erzen" e Katundit Ri, janë arrestuar në flagrancë nën akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë së personit, vepër e kryer në bashkëpunim dhe me Selim Lebën. Të tre këta persona, për motive krejt të dobëta, nën kërcënimin e armëve kanë marrë peng 25-vjeçarin H.C., lindur në Dibër dhe banues në fshatin Fllakë të Durrësit. Sipas viktimës së kësaj pengmarrjeje, ai ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij në lagjen "Erzen" kur është ndaluar prej tre të sipërpërmendurve. 25-vjeçari po udhëtonte me një automjet tip "Audi" pa targa kur është ndaluar dhe më pas tre burrat e kanë futur në një bilardo pronë të tyre. Sipas dëshmisë së dhënë në polici, dy Vrionët dhe Leba kanë vazhduar veprimet e tyre duke e futur me forcë dhe nën kërcënimin e armëve në automjetin tip "Benz" 270, me portobagazh, me ngjyrë gri dhe targa italiane, pronë e shtetasit Gentian Vrioni dhe e kanë çuar deri në derdhje të lumit Erzen.
Va.Qy.
Va.Qy.