Gjykata e Lartë, PD: Duam kandidaturat e Topit

Juristi Njazi Jaho u shpreh dje se për këtë proces nuk ka afat ligjor për Presidentin
TIRANË - Partia Demokratike nuk ka durim ndaj Presidentit të Republikës, Bamir Topi, kur bëhet fjalë për kandidaturat që ky i fundit do të depozitojë në Kuvend, lidhur me plotësimin e vendeve vakante të Gjykatës së Lartë. Anëtari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PD-së, Viktor Gumi, deklaroi dje se vonesa në emërimin e vendeve vakante është e pajustifikuar.
"Të gjithë juristët në Republikën e Shqipërisë bien dakord që vonesa në emërimin e vendeve vakante është vonesë e pajustifikuar, për më tepër kur është periudhë disamujore. Ne, gjithashtu, biem dakord në interpretim të germës dhe të frymës së Kushtetutës që nuk duhet të lihet qoftë edhe 24 orë vendi vakant.
Pra, institucionet duhet të bëjnë përpjekjet maksimale, që brenda afatit kohor të mbarimit të mandatit të merren njëkohësisht masat respektive që me mbarimin e këtij mandati të nesërmen institucioni të ketë pasardhësin e tij", - tha Gumi.
Por një tjetër jurist, konstitucionalisti, Njazi Jaho, ka sqaruar po dje se nuk ka asnjë afat ligjor, që të detyrojë presidentin të nxitojë në këto emërime. "Për presidentin nuk ka afat kushtetues apo afat ligjor. Bllokohet ose nuk bllokohet puna varet nga përbërja që mbetet në Gjykatën e Lartë dhe nga volumi i punës. Kur ka një vonesë të theksuar puna pengohet. Nuk është krejt normale.
Përsa i përket çështjes se sa pengohet, si pengohet këtë përgjigje mund ta japë vetë më mirë Gjykata e Lartë", - tha Jaho. Që në muajin Janar zyra e kabinetit të Presidentit njoftoi se të gjithë individët, që dëshironin të kandidonin për anëtarë të Gjykatës së Lartë, ishin të ftuar të paraqisnin pranë Kabinetit të Presidentit kërkesën e tyre me dokumentacionin përkatës.
Afati i fundit për dorëzimin e kërkesës me dokumentacionin shoqërues të kërkuar, ka qenë data 15 shkurt 2010, ndërkohë që prej asaj dite, (për këtë çështje) ka pasur vetëm deklarata publike të vetë Kreut të shtetit dhënë gjatë intervistave televizive. Kreu i shtetit është shprehur se për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, por edhe asaj Kushtetuese, ai do të dëshironte që të ishte e pranishme edhe opozita. Aktualisht në gjykatën e Lartë janë katër vende vakante.
Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi.