Eurotower program te ri per blerjen e bonove
Bordi drejtues i BQE në mbledhjen e fundit ka vendosur linjat drejtuese të mekanizmit për blerjen e bonove qeveritare në tregun dytësor financiar. Kështu ka bërë me dije presidenti i bankës, Mario Draghi, duke shtuar se detajet e këtyre masave emergjente që do të miratohen për të përballuar krizën e borxhit do të diskutohen në javët e ardhshme.
Këshilli drejtues diskutoi gjerësisht mbi mundësitë e zgjidhjeve politike për të shpëtuar keqfunksionimin e procesit e formimit të çmimeve në tregjet e bonove të vendeve të Eurozonës. Primet me rrezik të lartë janë vërejtur në çmimet e obligacioneve qeveritare të disa vendeve dhe fragmentimi financiar pengon funksionimin efektiv të politikës monetare. Këto rreziqe që lidhen me frikën e shpërbërjes së euros janë të papranueshme dhe duhet të përballohen në mënyrë thelbësore. Euro është e pakthyeshme.
Me qëllim krijimin e kushteve vendimtare për uljen e kostove të larta të rifinancimit politikbërësit në Eurozonë duhet të çojnë përpara me vendosmëri korrigjimin e bilanceve, reformat strukturore dhe fuqizimin e instituteve europiane ka thënë kreu i Eurotower.
Këshilli Drejtues, brenda mandatit të tij për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në periudhë afatmesme dhe në respektimin e pavarësisë së tij në përcaktimin e politikës monetare, mund të ndërmarrë operacione të drejtpërdrejta në tregun e hapur të një madhësie të përshtatshme për të arritur objektivin e saj.
Gjithsesi kreu i BQE ka ritheksuar se vendet në krizë financiare duhet t’i drejtohen Fondit të Shpëtimit të Shteteve dhe se banka nuk mund të zëvendësojë vendimet e qeverive.
Referuar parashikimeve Draghi ka thënë se ekonomia në Eurozonë do të rimëkëmbet në mënyrë graduale, ndërsa inflacioni do të ulet më tej duke arritur nën 2% në 2013-ën.
Këshilli drejtues i institutit të Frankfurtit ka vendosur që edhe këtë herë norma bazë e euros të mbetet e pandryshuar në nivelin më të ulët historik të 0,75%. Draghi ka shpjeguar se gjatë mbledhjes u diskutua për një ulje të mëtejshme të normës bazë të interesit, por ka shpjeguar se nuk është momenti i duhur për një vendim të tillë.