Parashikimet e ekonomise per pjesen e dyte te vitit
Megjithë sfidat e rritjes për këtë vit të sektorit real dhe financiar të ekonomisë parametrat kryesorë të stabilitetit të cilët kanë të bëjnë me koston e jetesës, me qëndrueshmërinë fiskale dhe financiare të vendit, si dhe me ekuilibrat e jashtëm të ekonomisë, paraqiten të qëndrueshëm dhe nën kontroll. Për gjashtëmujorin e dytë të vitti Banka Qendrore e vendit parashikon që ekonomia e vendit të rritet në terma pozitivë. Kërkesa e huaj pritet te ketë një ndikim të pakët në rritjen ekonomike, por pavarësisht kësaj vlerësimet tregojnë se po të veçojmë efektin e kërkesës botërore, gjatë viteve të fundit, eksportet shqiptare kanë përfituar nga rritja e konkurrueshmërisë së tyre në terma të cilësisë dhe të kostos, si dhe nga një shpërndarje gjeografike më e mirë.
Sipas raportit të BSH në pjesën e mbetur të vitit pritet një lehtësim i kushteve financiare dhe një përcjellje më e mirë e efekteve të deritanishme të politikës monetare në sektorin real, çka do të krijojë një ambient më stimulues për rritjen e konsumit dhe të investimeve në vend.
Së pari, tregjet financiare, pas rregullimeve strukturore në lidhje me mbajtjen e borxhit të qeverisë, pritet të përmirësojnë qarkullimin e likuiditetit dhe të lehtësojnë presionet mbi normat e interesit të tregut primar. Së dyti, presionet e ushtruara nga autoritetet e huaja rregullatore mbi sistemin bankar pritet të jenë tejkaluar kështu që bankat do të fokusohen më mirë në kreditimin e ekonomisë dhe në krijimin e produkteve më të përshtatshme për klientët.
Së treti, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit pritet një kontribut më i lartë i sektorit publik në rritjen ekonomike, në përputhje me planin e shpenzimeve dhe ecurinë e deficitit buxhetor.
Përsa i përket inflacionit, parashikimet tregojnë se me një probabilitet prej 90% ai pritet të luhatet në një bandë vlerash prej 1-3.3% në harkun kohor të 4 tremujorëve.
Banka e Shqipërisë gjykon se perspektivat e zhvillimit të ekonomisë shqiptare janë pozitive.
Ato bazohen në produktivitetin dhe fleksibilitetin e tregut të punës, në rritjen e kapitalit njerëzor, në shfrytëzimin relativisht të ulët të levës financiare në ekonomi, si dhe në rritjen e atraktivitetit të ekonomisë shqiptare si destinacion biznesi e investimi për kapitalin e huaj.