E Hënë, 2 Nëntor 2026

Eurovizion Xhelozi apo fat fqinjësh

20/05/2005  Festivali i 50-të Evropian ka nisur mbrëmë në Kiev - mes 39 vendeve pjesëmarrëse, kënga shqiptare do të prezantohet e teta në natën finale të Festivalit; polemika, xhelozi dhe tifozeri fqinjësh këtë vit në Eurovizion; Instrumentet orientalë pritet të pushtojnë këtë vit skenën e Festivalit në Kiev; RTVSH mbështetësja financiare e këngës shqiptare do të transmetojë drejtpërsëdrejti Festivalin

Kur Evropa është ftohur nga festivali i përvitshëm i muzikës Eurovizion, Ballkani në këto dy vjet po dominon. Mbrëmë në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, nisi edicioni i 50-të i Festivalit Evropian. 39 vende nga Evropa dhe Ballkani, për tri netë do të konkurrojnë për kupën e madhe të këngës së lehtë, ku të gjithë këngëtarët do të këndojnë “live”. Ndërsa për shqiptarët, pjesëmarrja në këtë festival shënon vitin e dytë. Pasi këngëtarja Anjeza Shahini siguroi vjet automatikisht konkurrimin sërish të këngës shqiptare për në natën finale. Pra, këtë vit do ta prezantojë Shqipërinë fituesja e këngës në RTVSH, Ledina Çelo, me këngën “Nesër shkoj”, kompozuar nga Adrian Hila, me tekst të Pandi Laços dhe orkestruar nga Shpëtim Saraçi.

Në Shqipëri ky festival është bërë a-ja e muzikës, ngjarja më e madhe një viti. Mirëpo, po kaq i rëndësishëm është bërë dhe për vendet e Ballkanit.

Pasi vendi ynë ka kaluar skandalin mediatik, rreth kësaj kënge, ku autorët për arsye të shkeljes së kontratës nga ana e RTVSH, nuk pranuan të shkonin në Eurovizion, Ledina Çelo ka kaluar në Kiev dhe sprovën e paraqitjes në një konferencë për shtyp.

Dhe atje, ky prezantim shqiptar nuk ka kaluar pa polemika dhe zhurmën e kritikëve, të cilët janë shprehur me mjaft rezerva, madje duke e cilësuar si produksion të shëmtuar koreografinë shqiptare, të përgatitur nga Arjan Sukniqi.

Ndërsa këngëtarja është vlerësuar për performancën e saj muzikore, paçka se një pikë minus i kanë shënuar në aksentin e interpretimit të këngës në gjuhën angleze.

Kjo është polemika brenda përfaqësimit shqiptar. Më gjerë, ky festival, sipas siteve në internet po interpretohet me shumë ashpërsi.

Konkurrenca ballkanike ka pjellë dy probleme. Xhelozinë e pjesës së Evropës Perëndimore dhe sfidën e fqinjëve.

Komentet kanë arritur deri atje sa e kanë cilësuar Eurovizionin e këtij viti jo si festë të këngës, por gati si një arenë politike. Këto debate vjet nuk ishin të kësaj natyre, përpos dyshimeve që u vunë re në natën finale, ku ranë dukshëm në sy mjaft këngë nga Ballkani.

Votimi për fqinjët është sërish polemika më e ndezur ndërmjet fansave për Eurovizionin. Po ashtu debatin në mes Qipros, Serbisë dhe Greqisë po e paraqesin si një ndeshje tepër delikate, gati me mbrojtje patetike. Ndërsa xhelozia është fytyra e diskutimeve për pjesëmarrësit në Festivalin Evropian, ku dominojnë këtë vit ballkanasit.

Por ka pasur dhe nga ato komente, të cilat kanë parë prirjet ballkanase për t’u prezantuar me ritmet e folkut. Pothuaj të gjitha vendet ballkanase, si vjet, ashtu dhe këtë vit, kanë marrë nga trevat e tyre për të paraqitur në Eurovizion motive popullore.

Instrumentet orientalë pritet të pushtojnë këtë vit skenën e festivalit në Kiev. Ndërsa dhe kënga shqiptare nuk qëndron jashtë kësaj tendence. Madje, duke parë përfaqësimin e Ruslanës në edicionin e kaluar, kompozitorët shqiptarë menduan se paraqitja e kultivuar nga folku është më përfaqësues për muzikën shqiptare.

Kritikat mbi Ledinën

Menjëherë pas provave të para në Kiev dhe publikimit të këngës në internet, kënga jonë konkurruese në Festivalin Evropian 'Nesër Shkoj', ka marrë reagime të përziera nga dëgjuesit si edhe kritikë të festivalit. Shumë prej tyre, kryesisht dëgjues nga Ballkani dhe vendet Balltike, i kanë dhënë vlerësimet maksimale të këngës dhe interpretimit të Ledina Çelos, duke u shprehur se 'Nesër shkoj' ose në anglisht “Tomorrow I'll go” të hyjë në pesëçen më të mirë. Të tjerë kanë kritikuar veçanërisht përkthimin e dobët të këngës. Një kritikë tjetër është bërë edhe për koreografinë dhe diksionin jo të mirë të këngëtares. Por, pavarësisht pëlqimeve apo jo, të gjithë duket se bien dakord me dy gjëra: hiret e Ledinës dhe zërin e saj të fuqishëm. Ndërkohë në një votim të internetit, Shqipëria vazhdon ende të jetë në vend të dytë, si më e votuara mbas Greqisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›