E Hënë, 2 Nëntor 2026

Henrik Andersson. Uji, beteja e së ardhmes

20/05/2005  Në kuadrin e projektit "1/60 Insurgent space", artisti suedez Henrik Andersson prezantoi dje, në Akademinë e Arteve, një performancë që konsistoi në një lojë me tingujt e gotave të kristalta dhe tingujve që vinin nga minimikrofonët e vendosur pranë tyre. Por në thelb të performancës së tij, ishte vënia në qendër të vëmendjes së faktit se betejat e së ardhmes globale, i përkasin pasurisë që mund të humbasë: Ujit

Arti i tingullit të suedezit Henrik Andersson ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e publikut jo vetëm suedez, por edhe atij evropian. Andersson ka ofruar së fundmi një performancë për "The Baltic Art Center" (Suedi), ku ai ka koncertuar me këmbanat e katedrales lokale. Pak ditë më parë, i ftuar në ekspozitën "Think Pink" që u hap në Prishtinë, nën kurimin e Edi Mukës, ai operoi me performancën "në rast se jo dashuria, janë bombat që do të na bashkojnë", një punë ku tingujt e performancës ishin regjistruar në Kanada, nga vibrimet e krijuara si rezultat i një prove të bombës atomike në Pakistan, vibrime, të cilat ishin transformuar në tinguj prej tij. Në kuadrin e projektit "1/60 Insurgent space", ideuar nga artisti dhe kuratori italian Stefano Romano, Andersson prezantoi dje, në Akademinë e Arteve, me qëllim takimin me "të tjerët" performancën "Të pish ujë suedez në Tiranë", një performancë që konsistoi në një lojë me tingujt e gotave të kristalta, por edhe në pirjen e ujit prej artistit, ujë që realisht ishte sjellë prej tij nga Suedia, një performancë e kuruar nga Joa Ljunberg (Suedi), e cila është edhe një nga kuratoret e Bienales së tretë të Tiranës, që do të mbahet në shtator, në kryeqytet. E natyrisht që në thelb të performancës së tij nuk ishte t'i tregonte publikut prezent në sallë, as cilësinë e ujit suedez dhe as aftësitë e tij në prodhimin e tingujve nga gotat e kristalta, apo edhe minimikrofonëve të instaluar pranë objekteve, por të vinte në qendër të vëmendjes atë që përbën në esencë betejën e së ardhmes globale, apo pasurinë që mund të humbasë: Ujin. Duke folur për "Metropol", Andersson shpjegon faktin se, uji, që në vendin e tij është me shumicë, përbën një konflikt akoma më të madh se "ari i zi" në shumë rajone të globit, madje, sipas tij, edhe konflikti midis "izraelitëve dhe palestinezëve, në thelb ka të bëjë me dominimin e burimeve ujore". Andersson, i cili ka lindur në Gotenborg, në vitin '73, jeton dhe zhvillon aktivitetin e tij artistik në Stokholm të Suedisë, ky pasioni i tij për muzikën i është bashkangjitur atij për artin bashkëkohor pamor.

Përse kjo ide për të "pirë ujë suedez" në Tiranë?

Në fakt, kjo në vetvete nuk ka të bëjë me ndonjë frikë se nuk do të gjeja ujë të pijshëm në Shqipëri. Eshtë një ide që ka të bëjë me atë ç'ka përfaqëson uji në vetvete, një pasuri jetike e domosdoshme, pa të cilin do të ishte e vështirë të kishim jetë. Dihet nga të gjithë se Suedia është një vend i pasur me burime ujore, që i dedikohet kryesisht pozitës së favorshme gjeografike, por kjo nuk do të thotë që të përdoret pa kriter. Në fakt, performanca e ujit ka marrë shkas nga përdorimet i tij, kryesisht në bujqësi, por me kalimin e kohës fillova të kristalizoj bindjen se në shumë vende të tjera, ka probleme të burimeve ujore. Eshtë një burim natyror që kushtëzon jetën në planet dhe si të tillë, kam përshtypjen se "betejat" e së ardhmes do të kenë në qendër të konfliktit pikërisht ujin. Madje, po të shohësh me vëmendje edhe konfliktin midis izraelitëve dhe palestinezëve, në thelb ka dominimin e burimeve ujore.

Përse mendoni se performanca juaj ka lidhje me projektin "1/60 Insurgent space"?

Pasi, kjo lidhet me planifikimin urban të qytetit dhe të hapësirës, një planifikim që nuk mund të vijë pa ndërhyrjen apo pjesëmarrjen e vetë njerëzve, në krijimin e hapësirave. E kam ushqyer këtë ide, duke e lidhur me hapësira më të mëdha se ato të një dhome apo salle, sikundër janë hapësirat midis Shqipërisë dhe Suedisë. Në këtë aspekt qëndron edhe lidhja e kësaj performance me projektin e Stefano Romanos.

Para se të vinit në Shqipëri, a e dinit se këtu popullata përballet me vështirësitë e furnizimit me ujë të pijshëm?

Jo, por është e lehtë ta imagjinosh.

Përse?

Po të marrësh parasysh faktin se sa më i nxehtë të jetë një vend gjeografikisht, aq më të mëdha janë problemet me burimet ujore. Natyrisht që nuk ka sasi akulli të mëdha, të cilat shkrijnë gjatë stinës së verës, si te ne në Suedi, apo vende të ngjashme. Por, kjo nuk ka të bëjë thjeshtë me Shqipërinë, është një problem në mbarë botën. Në shumë analiza që kam lexuar, burimi kryesor i konflikteve, sikundër e përmenda edhe pak më lart, është dhe do të jetë uji, e jo nafta. Me lejoni të sjell një shembull. Kompanitë e mëdha të prodhimit të pijeve freskuese harxhojnë 10 litra ujë, për të prodhuar një litër kola apo çdo lloj pije tjetër. Kjo do të thotë problem.

Gjithsesi, në vendi tonë nuk është se mungojnë burimet ujore, por mirëmenaxhimi i tyre...

Natyrisht që të mos përballesh me probleme serioze në rezervat ujore, kjo është tepër pozitive, por kjo ka të bëjë me problemin më globalisht, duke imagjinuar se ky është në problem kardinal, për shumë vende të tjera në Botë, pra në hapësira konceptuale që mund të jenë kudo, në Shqipëri apo kudo gjetkë. Eshtë një ide e lidhur ngushtë me imagjinatën, me atë që mund të ndodhë në hapësira të tjera, një shqetësim i im, që dua ta ndaj me të gjithë.

Përse performancat tuaja janë të lidhura kaq ngushtë me tingujt?

Unë jam një muzikant dhe më pëlqen shumë muzika. Pra, në kontekstin artistik, i cili lidhet me artet pamore, më ka intriguar të ndërthur interesat e mia muzikore, tingujt dhe efektet e tyre me elementë të arteve pamore. Eshtë një diçka që më pëlqen shumë.

Tingujt janë shumë interesantë dhe unë besoj se ka një diferencë midis arteve vizuale dhe asaj që krijoj unë, pasi tingujt janë diçka që mund t'i perceptosh edhe me sytë mbyllur. Sytë i mbyll, por veshët nuk mund t'i mbyllësh me lehtësinë që mbyll sytë. Eshtë një komunikim më i menjëhershëm nëpërmjet tingullit, pasi ka të bëjë me dëgjimin. Një praktikë që ka zënë shumë vend gjatë viteve '90, që ka tentuar të krijojë një lloj dominimi të dhomës. Mund të kesh një tingull të çfarëdoshëm, i cili menjëherë "infekton" të gjithë hapësirën, duke krijuar një efekt të menjëhershëm komunikues.

Por ju e pitë ujin që përdorët në performancë. Nuk keni frikë se "pakësuat" rezervat e ujit?

300 miligramë ujë nuk përbëjnë rrezik për burimet ujore. Gjithsesi, harxhova ujin e sjellë nga Suedia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›