E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurozona shtyn pa afat miratimin e ndihmës për Greqinë

Ministrat e financave të Eurozonës shtynë për një datë të pacaktuar miratimin e ndihmës 12 miliardë euro për Greqinë, duke thënë se, fillimisht Athina duhet të miratojë planin e ri të shtrëngimit të ekonomisë. Ministrat thanë se kësti i 5-të i ndihmës 110 miliardë euro do të disbursohet në mesin e Korrikut, për të shmangur falimentin e Athinës. Me këtë vendim ata ruajnë një nivel të lartë të presionit politik mbi Greqinë, ku popullsia ka dalë në protesta kundër programit të shtrëngimit ekonomik, duke këmbëngulur se nuk ka vullnet për të paguar në këmbim të ndihmës financiare. Ministrat thanë se disbursimi varet nga votat e parlamentit grek, pro kabinetit të ri të ministrave, programit të shtrëngimit të ekonomisë dhe shitjes së aseteve shtetërore. Takimi nisi në mbrëmjen e të dielës, zgjati 7 orë dhe përfundoi në orët e para të ditës së hënë. Në deklaratën e publikuar pas takimit, ministrat përmendën faktin se Greqia nuk ka arritur të përmbushë detyrimet e marrëveshjes së ndihmës mbi borxhin. Në një kohë kur Athina është shumë larg përmbushjes së detyrimeve, ministrat premtuan kredi zyrtare, si dhe për herë të parë pjesëmarrjen e investitorëve nëpërmjet ruajtjes së ekspozimit ndaj borxheve greke. Sipas ministrave, sektori privat do të marrë bono të reja kur të maturohen bonot e vjetra. Por në deklaratën e takimit nuk jepen detaje mbi masën e ndihmës në paketën e dytë dhe mënyra se si do përfshihen investitorët privatë në këtë skemë. Zyrtarë në Eurozonë kanë thënë për ‘Reuters’ se plani i ri parashikon financim deri në fund të 2014 në totalin e 120 miliardë euro, nga të cilat 60 miliardë nga burime zyrtare, 30 miliardë nga sektori privat dhe 30 miliardë nga privatizimet greke. Deklarata thotë se përfshirja e sektorit privat do të jetë simbolike, për të përjashtuar edhe skenarin e një falimenti të kufizuar apo falimenti të “përzgjedhur”. Kjo frazë është një garanci për bankën qendrore evropiane, që përjashton çdo skenar të ndihmës për Greqinë, që mund të pasojë deklarata nga agjencitë e vlerësimit të kreditit se është një faliment.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›