E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN takim informal me deputetët: Ulni borxhin

SHKRUAN: Blerina Hoxha 21-06-2011 11:16

Politikat fiskale, administrimi i borxhit dhe deficitit buxhetor, kanë qenë disa nga shqetësimet që ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë diskutuar dje me deputetet në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku nuk kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit e opozitës. Mirëpo burimet nga Komisioni kanë njoftuar se, takimi me përfaqësuesit e opozitës do të zhvillohet ditën e sotme. Të njëjtat burime bënë të ditur për MAPO se, deputetët janë informuar rreth agjendës së fundit të Fondit në vendin tonë dhe vlerësimin që ata kanë për zhvillimet më të fundit ekonomike dhe buxhetore në vend. Përfaqësuesi i Misionit të FMN, Gerëin Bell ka kërkuar nga deputetet që të kontribuojnë për frenimin e rritjes së borxhit dhe ruajtjen e deficitit buxhetor sipas parametrave që janë parashikuar në ligjin e buxhetit të këtij viti. Takimi nuk ka zgjatur më shumë se një orë. Misioni i FMN-së mësohet të ketë këmbëngulur për një politike fiskale dhe buxhetore më konservatore, me të cilën kuptohet jo ulje taksash dhe jo rritje shpenzimesh, sidomos rrogash dhe pensionesh, që të mund të ndikojnë në rritjen e deficitit buxhetor. Niveli aktual i borxhit publik të Shqipërisë është 59% e Produktit të Brendshëm Bruto dhe FMN ka qenë kritike, sa i përket këtij niveli. FMN edhe në vizitat e mëparshme të tij ka kërkuar që ky tregues të pësojë rënie. Misioni i FMN do të takohet nesër me anëtarët e opozitës në komisionin e Ekonomisë, për të mësuar këndvështrimet e këtyre të fundit lidhur me rishikimin e buxhetit dhe nivelin e borxhit. Ndërsa të mërkurën, Gerwin Ball, së bashku me ministrin e Financave, Ridvan Bode e Guvernatori i Shqipërisë Ardian Fullani do të japin një konferencë të përbashkët. Në këtë konferencë, misioni i FMN pritet të japë rekomandimet dhe opinionet sa i përket politikave ekonomike që ka ndërmarrë qeveria, si dhe rishikimit të buxhetit dhe më pas do të largohet nga Shqipëria. Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar diskutoi gjithashtu dhe për perspektivat ekonomike, si dhe projektet e ndryshme të ekonomisë. Pas takimit, shefi i misionit të FMN nuk ka dhënë asnjë deklaratë. Më parë, misioni i Fondit është takuar me ministrin e Financave, Ridvan Bode. Sipas burimeve në Ministrinë e Financave, ekspertët e FMN-së kanë dhënë në përgjithësi vlerësime pozitive për ecurinë e ekonomisë shqiptare, duke e krahasuar me disa ekonomi të rajonit, të cilat po kalojnë vështirësi këtë vit. Megjithë vlerësimet, ekspertët e fondit kanë dhënë disa rekomandime ndaj financave, të cilat kanë të bëjnë me ruajtjen e kufijve të deficitit, të parashikuara në buxhet dhe gjithashtu shkurtimin e disa shpenzimeve që nuk mbulohen nga të ardhurat e parashikuara në buxhet. Gjithashtu, ekspertët e Fondit nuk janë për një rritje të pagave dhe pensioneve në masën e planifikuar nga qeveria, në kushtet kur buxheti i shtetit gjatë periudhës pesëmujore rezulton me deficit të ardhurash.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›