E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eva Golemi: “Sfida ime e dyfishtë me publikun dhe traditën italiane”



Petrika GROSI
Pas daljes me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në rivënien e operas së famshme të Belinit, “Norma”, sopranoja Eva Golemi tregon emocionet për gazetën “Albania”. Ajo shprehet se ndonëse e kishte kënduar edhe më parë në skenën italiane operan “Norma”, përgjegjësia kësaj here ishte e dyfishtë dhe puna ishte njësoj sikur të fillonte nga “a”-ja, kuptohet, kjo përsa i takon vështirësisë, zbatimit të kërkesave të reja regjisoriale e njëherësh përgjegjshmërisë së madhe para publikut shqiptar dhe aq më tepër atij italian, që e ka pjesën e vet. “Megjithëse e kam luajtur edhe më parë këtë rol në Itali, ka qenë prapë një punë shumë e lodhshme, sepse tani është regjisor tjetër, dirigjent tjetër dhe natyrisht kërkesa të tjera. Pa diskutim që ka qenë një punë e nisur sërish nga fillimi. Nuk kam pasur frikë apo emocione të mëdha për paraqitjen time, por sfida ishte se ‘Norma’ është për italianët njësoj siç janë këngët popullore për ne. Pra, në këtë drejtim, duhet të ishim në lartësinë e traditës së tyre. Nga ana tjetër, edhe publiku ynë është tepër i vëmendshëm ndaj shfaqjeve dhe artistëve që ngjiten në skenë, gjë që ta shton gjithmonë përgjegjësinë. Gjithsesi, kam mbetur e kënaqur nga pritja e mirë që iu bë interpretimit tim”, – thotë sopranoja.

Ciko: “Eva e konfirmoi veten si sopranoja kryesore e TOB-it”

Sipas drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, maestro Zhani Ciko, sopranoja Eva Golemi e ka merituar tërësisht besimin e tij dhe diti ta justifikojë vlerësimin që i është bërë, duke e konfirmuar pozicionin e saj si protagonistja kryesore dhe më e denja për momentin e vokalit operistik shqiptar. Ja si shprehet maestro Ciko, i pyetur nga gazeta mbi paraqitjen e Golemit te opera “Norma”: “Për mua, Eva është vazhdimisht në konfirmim të pozicionit të saj si një nga protagonistet kryesore të denja të përfaqësimit të vokalit operistik shqiptar. Eva po tregon pjekurinë artistike të saj dhe të kolonës zanore që ka. Interpretimi i Normës nga Eva Golemi ishte realizimi i një personazhi të veçantë, një heroinë tragjike, e cila ka brenda krenarinë dhe madhështinë e pozicionit të saj të lartë shoqëror, ndërkohë që në anën tjetër mban intimitetin e dramës së saj. Vendosja e ekuilibrit midis këtyre dy kundërshtive të personazhit është një kërkim i vazhdueshëm në skenë, të cilin Eva me siguri do ta skalisë përherë e më mirë. Rëndësi ka që ajo e krijoi të plotë figurën e Normës në skenën shqiptare dhe fitoi duartrokitje të mbizgjatura. Personalisht kam kënaqësinë që programacioni i veprave që ne realizojmë është në të mirë të zhvillimit të personaliteteve të Teatrit të Operas dhe Baletit”.
Ndërsa pyetjes nëse i “trembej” ndonjë oferte nga jashtë për ta marrë Eva Golemin nga TKOB, Ciko i është përgjigjur: “Jam i lumtur kur të huajt marrin artistët tanë, sepse dashuria e parë nuk harrohet dhe, edhe kur artistët na ‘tradhtojnë’ pak, mendjen dhe zemrën e kanë gjithmonë këtu”. Sa i takon operas “Norma”, njërës prej më të famshmeve të shkruara nga Belini, ajo u shfaq në TOB në datat 7 dhe 8 shkurt dhe do të jepet edhe më datë 13 të po këtij muaji. Opera në fjalë është një tragjedi lirike në dy akte, që vjen me regji të Nikola Zorzit, skenografi të Genc Shkodranit, kostumografi të Anila Zajmit, dirigjim kori nga Dritan Lumshi dhe mjeshtër koncertues Edi de Nadai. “Norma” është një opera që mbart brenda edhe një intrigë tepër interesante. Kjo lojë luhet mes alternimit të planit publik dhe atij të ndjesive personale, intime, individuale. Është tamam një opera që i shkon përshtat edhe realitetit ekzistues shqiptar, apo krizës që duket se po kalon në ditët tona shoqëria ku jetojmë. Si protagoniste e padiskutueshme shfaqet sopranoja Eva Golemi dhe Branko Robisak, ndërkohë që solistë të tjerë mund të përmendim emra si Shpresa Beka, Armando Likaj, Aleksander Rrapi, Lindita Kola etj.

11 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›