E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina refuzon takimin me Beogradin për çështjet kulturore



Prishtina i është përgjigjur negativisht kërkesës së UNMIK-ut për një takim që ishte parashikuar të zhvillohej dje me Beogradin, ku do të diskutohej për çështjet e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
UNMIK-u konfirmoi se i kishte ftuar të dyja qeveritë, atë në Beograd dhe Prishtinë, që të diskutonin për çështjet që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore dhe fetare ortodokse serbe në Kosovë. Por, nga Ministria e Kulturës në qeverinë e Kosovës u konfirmua se pala kosovare nuk do të merrte pjesë në këtë takim.
Sipas planit 6-pikësh të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, Prishtina dhe Beogradi do të përfshiheshin në bisedime për gjashtë fusha, ku bëjnë pjesë policia, gjykatat, doganat, trashëgimia kulturore, transporti e telekomunikacioni, si dhe menaxhimi i vijës kufitare. Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, u shpreh se institucionet e Kosovës nuk janë të detyruara të bisedojnë me Serbinë as për çështje teknike, përderisa ajo nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Krasniqi theksoi se pavarësisht përpjekjeve të administratës ndërkombëtare në Kosovë për të organizuar bisedime me Beogradin, institucionet e Kosovës janë ato që marrin qëndrime dhe vendime për zhvillimet politike në vend.

11 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›