E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Senati i thotë “po” planit “Obama”



Blerina Olldashi
Senati i Shteteve të Bashkuara i tha “po” planit të presidentit Barak Obama për daljen nga kriza ekonomike. Bëhet fjalë për një projekt që do të kushtojë 838 miliardë dollarë. Sekretari i Thesarit, Timoti Geithner, u shpreh se rruga për arritjen e rezultateve do të jetë shumë e vështirë. Senati aprovoi me 61 vota pro dhe 37 kundër planin që mendohet ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike. Ndërkohë, presidenti Barak Obama, në një konferencë për shtyp, i bëri thirrje Senatit të miratonte planin pasi nëse nuk veprohej, ekzistonte mundësia që kriza ekonomike të thellohej më tej. Obama përshkroi arsyet së përse Senati duhet ta miratonte paketën e stimulimit ekonomik prej 838 miliardë dollarësh. Sipas tij, qeveria nuk mund ta zgjidhë dot e vetme problemin, por në kushtet e dobësimit të industrisë private, ajo është e vetmja industri që ka mbetur me burimet e nevojshme financiare për ta rigjallëruar ekonominë. Presidenti Obama tha se plani nuk është i përsosur, por nëse nuk veprohet, kjo vetëm se do të thellojë krizën financiare dhe dhimbjen e miliona amerikanëve. Ai tha se qytetarët e Shteteve të Bashkuara dhe të të gjitha vendeve të tjera i kanë drejtuar sytë te Senati për të luajtur rolin udhëheqës. Presidenti Obama tha se ekonomia amerikane është në rrezikun e hyrjes në një spiral negativ, që do ta bënte të pamundur rimëkëmbjen. Presidenti theksoi se Shtetet e Bashkuara janë në krizën më të thellë ekonomike që nga Depresioni i Madh dhe jo në një recesion të zakonshëm. Barak Obama i bëri thirrje Senatit të mos e vononte miratimin e paketës së madhe qeveritare për shpenzimet dhe shkurtimin e taksave, për të cilën tha se do të stimulojë ekonominë dhe do të ndihmojë familjet amerikane.
Dy ditë më parë presidenti amerikan pati një takim në formë debati në Elkhart të shtetit Indiana, ku niveli i papunësisë ka arritur në 15 për qind, rreth dy herë më shumë se mesatarja e vendit. Të hënën, Senati amerikan votoi me 61 vota pro dhe 36 kundër për t’i dhënë fund debatit lidhur me versionin e planit ekonomik të paraqitur në Senat. Tre republikanë votuan pro, njëlloj si kolegët e tyre demokratë.

Sejdiu dekreton misionet diplomatike e konsullore

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka dekretuar dje themelimin e tetë misioneve diplomatike dhe nëntë misioneve konsullore të Republikës së Kosovës. Misionet diplomatike në nivel ambasade do të jenë në kryeqytetet e Sllovenisë, Kroacisë, Holandës, Suedisë, Çekisë, Hungarisë, Bullgarisë, dhe Japonisë. Sejdiu gjithashtu ka dekretuar themelimin e misioneve konsullore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani, Itali, Zvicër, Austrisë, Belgjikë dhe Suedi. Dekretimi i misioneve diplomatike dhe nëntë misioneve konsullore të Republikës së Kosovës hyri në fuqi menjëherë, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme udhëzohet të ndërmarrë të gjitha veprimet për zbatimin e këtij dekreti.

Serbët në protestë: FSK-ja është thjesht një formacion antiserb

Banorët serbë në Mitrovicë kanë protestuar dje duke e quajtur Forcën e Sigurisë së Kosovës “një formacion antiserb”. Ata kërkuan shpërbërjen e saj dhe bënë thirrje që serbët, por edhe joshqiptarët të mos marrin pjesë në FSK. Folësit në këtë protestë u shprehën se EULEX-i nuk ka treguar se është neutral ndaj statusit, dhe sipas tyre, në veri të Kosovës EULEX-i me veprimet e tij në pikat doganore paralajmëron vendosjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Përfaqësuesi i partisë së presidentit serb, Partisë Demokratike, Radenko Nedelkoviç, u shpreh se protesta ishte paralajmërim se për serbët është i papranueshëm veprimi i njëanshëm i EULEX-it në veri të Kosovës dhe formimi i FSK-së. Ai kërkoi që njësiti special i Policisë së Kosovës të mos kalojë në veri të Mitrovicës, për të mos provokuar popullsinë dhe që të mos ndodhin incidente. Protestuesit kanë bartur flamuj të Serbisë, Greqisë dhe të Spanjës.

11 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›