E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paskal Milo sjell momentet e vështira të Kosovës



Ditët e vështira të historisë së Kosovës vijnë pranë lexuesit shqiptar nëpërmjet dy librave më të rinj të historianit dhe politikanit Paskal Milo. “Ditari i një ministri të jashtëm” dhe “Kosova nga Rambuje në pavarësi”, janë librat që u prezantuan sot para shumë politikanëve, miqve dhe figurave të rëndësishme të historisë së Kosovës në Hotel Tirana International. Botuesi Fatmir Toçi u shpreh se “këto dy libra vijnë në një kohë të rëndësishme, 10 vjet pas luftës për pavarësi të Kosovës dhe 1 vit pas pavarësisë së saj. Duke lexuar një ditar të shkruar nga një historian, që di të shkruajë bukur, do të gjeni në të shënimet e kohës, dhe jo vetëm shënime që përcaktojnë rolin e faktorët që ndikuan në zgjidhjen e krizës, por do të gjeni aty dhe analiza të hollësishme të një politikani, historiani dhe diplomati”. Ndërsa për ish-presidentin e asaj periudhe, Rexhep Meidani, këto libra tregojnë se si diplomacia e një vendi aq të vogël mori vlera të mëdha gjatë krizës së Kosovës.

MONUMENTET E KULTURËS

KRRT-ja bllokon shembjen e 12 banesave karakteristike

GJIROKASTËR - Këshilli i Rregullimit të Territori në Bashkinë e Gjirokastrës bllokoi gjatë mesditës së sotme shembjen e kontrolluar të 12 banesave monumentale të amortizuara, pohuan burime zyrtare nga Bashkia e qytetit. “Me dëshirën e mirë për të ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore dhe mundësinë e akordimit të fondeve nga buxheti i shtetit për restaurimin e tyre, specialistët e monumenteve të kulturës u kanë kërkuar anëtarëve të KRRT-së të bllokojnë zyrtarisht procesin e shembjes, kërkesë e cila u mor parasysh nga institucioni ynë”, - thanë burimet e mësipërme. Në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar, anëtarët e KRRT-së pranë Bashkisë së qytetit të Gjirokastrës miratuan me shumicë votash shembjen e 12 banesave monumentale, me justifikimin se rrezikonin jetën e banorëve. Lidhur me këtë vendim reaguan Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare dhe Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze të Gjirokastrës, të cilët kërkuan anulimin e vendimit të KRRT-së.
(ATSH)

11 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›