Shtohen dëshmitë kundër ish-shefit të Qarkullimit, Krenar Ahmeti
Hajredin Berisha, i thirrur në cilësinë e dëshmitarit të Prokurorisë, e ka akuzuar Krenar Ahmetin se e ka shoqëruar me dhunë në rajonin e policisë. Dëshmitari e ka akuzuar Krenar Ahmetin se ka shkelur ligjin duke e marrë atë me forcë në polici. Nga ana tjetër, Berisha ka qenë dëshmitar edhe në shoqërimin që i është bërë prokurores së Krimeve të Rënda, Elisabeta Bajri dhe bashkëshortit të saj, Agron Bajri. Dëshmitari Hajredin Berisha ka treguar të gjitha rrethanat e ngjarjes ku u shoqërua me forcë prokurorja dhe bashkëshorti i saj avokat. Hajredin Berisha ka treguar se ditën e shoqërimit të çiftit Bajri ishte duke debatuar me Krenar Ahmetin, për shkak se në të njëjtën kohë i bllokoi edhe atij makinën në rrugë e sipër. Një patrullë që shoqëronte Ahmetin e ka marrë jashtë dëshirës Hajredin Berishën, nga vendi ku u bllokua, tek Kullat Binjake, dhe e ka dërguar në komisariat. Në ato çaste Berisha ka parë dhe ndezjen e debatit mes Ahmetit dhe prokurores e të shoqit, të cilët gjithashtu i ka shoqëruar për në komisariat. Ish-shefi i Qarkullimit Rrugor, i emëruar shef Rendi në qytetin e Elbasanit, akuzohet nga Prokuroria e Rrethit të Tiranës se ka kryer veprën penale të veprimeve arbitrare. Sipas akuzës, ai ka shoqëruar shumë qytetarë në Komisariatin Nr.2 pa të drejtë dhe se i ka mbajtur pa të drejtë. Gjithashtu Ahmeti është duke u hetuar edhe për përplasjen e eskortës së kryeministrit, përplasjen e dy studenteve në Qytetin Studenti, aty ku edhe banon i pandehuri, duke u zhytur në një dyqan me automjetin e detyrës.
11 Shkurt 2009