E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eva, shtëpiake shumë e dëshpëruar

Shtëpiaket e "Wisteria Lane" janë gjithnjë e më të dëshpëruara. Në sezonin e pestë të serialit amerikan shumë të pëlqyer nga ish-zonja e Parë, Laura Bush, protagonistet duket sikur kanë humbur "kokën" dhe drejtimin. Bri (Marcia Cross), Suzan (Teri Hatcher), Lineta (Felicity Huffman), Gabriela (Eva Longoria) dhe Edi (Nicolette Sheridan), pjesëtaret e "Shtëpiake të dëshpëruara", për pesë vite kanë bërë një hap para. Disa prej tyre janë bërë mama, pjesa tjetër presin të bëhen gjyshe. Të gjitha janë më nevrike, xheloze dhe më të çmendura se kurrë.

Ajo që ka ndryshuar më shumë është bukuroshja Gabriela, që nga ish-modele seksi e plot sharm është shndërruar në një zonjëzë bullafiqe me flokët të shkurtër që, në ndryshim nga dikur, bën më shumë pazar te dyqanet e thjeshta, sesa te butikët "Versace" apo "Gucci". "Më pëlqen ndryshimi i ri në film, që kam shtuar disa kile më shumë. Nga ky ndryshim kam fituar diçka. Dy orë më pak për t‘u trukuar", është shprehur aktorja bukuroshe Eva Longoria në lidhje me pamjen e saj të re. Aktorja nuk shkon më në palestër dhe ka shtuar disa kile për ta pasqyruar më mirë rolin e nënës fshatare.

Gabriela është sërish gruaja e Karlos, i cili ka humbur shikimin, e bashkë me të edhe paratë, që në seritë e mëparshme e bënin shumë të lumtur. Tani ai merret me masazhe, ndërsa Gabriela është nëna e dy vajzave bullafiqe. Ndërkohë, një nga klientet e Karlosit përpiqet t‘i tërheqë atij vëmendjen dhe, kur Gabriela e zbulon këtë, i ofron një punë me rrogë të majme "për ta korruptuar". Thellë-thellë Grabiela tregon se nuk ka ndryshuar.

Suzan ka lindur një fëmijë tjetër, është ndarë nga Majk pas një aksidenti të tmerrshëm automobilistik, duke i marrë jetën dy personave dhe del me një artist të ri. Është e trishtuar dhe shumë e zhgënjyer: "Mendoj se nuk kam të drejtë të jem e lumtur", shprehet ajo. Edhe pse jeta e saj ka marrë një rrjedhë tjetër, ajo vazhdon ta dashurojë Majkun. Ndërkohë, vajza e saj 18-vjeçare, Xhulja, është studente në Universitetin e Prinstonit dhe ka një lidhje me një profesor të sajin.

Bri duket më pak e dëshpëruar se të tjerat: është bërë një kuzhiniere e suksesshme dhe shkruan libra kuzhine. Nuk e ka humbur tendencën e saj maniake për të kontrolluar problemet, por duket se është në gjendje t‘i balancojë gjërat pa kriza nervash. Me sa duket, ajo ka arritur të krijojë një jetë të lumtur martesore me Orson.

Lineta duhet të përballojë krizën e moshës së dytë të të shoqit, Tom (ai merret me rregullimin e makinave sportive dhe pretendon se është një yll rroku), si dhe përpiqet të frenojë "lëvizshmërinë" e fëmijëve të saj adoleshentë. Binjakët janë bërë

të papërballueshëm dhe Lineta zbulon gjithashtu se djali i saj 15-vjeçar, Porter, ka një lidhje me të ëmën e shokut të tij të ngushtë, e cila, së fundmi ka nxjerrë fjalë se është edhe shtatzënë.

"Ngrënësja e madhe e burrave", Edi, është në formë të shkëlqyer: është rikthyer në adresën e saj të vjetër me një mashkull "të ri". Është burri i saj ideal, po aq djallëzor sa dhe Edi, e që ka në mendje një plan keqdashës për t‘u hakmarrë ndaj dikujt.

Një personazh kaq djallëzor ishte pikërisht zgjidhja e duhur për të sjellë para ekranit të kanalit "Abc" 6 milionë spektatorë në katër vjet programacion: nga 24 milionë në vitin 2004, në 18 milionë aktualisht. Për të rritur numrin e audiencës duheshin marrë disa vendime: flitet për një mundësi shfaqjeje e Bionces dhe Sara Peilin. Kjo e fundit, guvernatore e Alaskës dhe ish-kandidate për zv/presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në krah të Xhon MekKeinit.

Por, e sigurt tani për tani është vetëm prezenca e grupit kanadez, "Tokyo Police Club", që ka luajtur një këngë në një klub, i cili mori flakë gjatë episodit të fundit që u dha live në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku si rastësisht ndodhej e gjithë kasta. Në këtë aksident Karlos përplasi kokën: A do ta rifitojë ai shikimin? Dikush edhe vdiq. Po fëmijët e Linetës a kanë gisht në gjithë këtë aksident?

Mars Sheri, ideatori i këtij seriali, i paraqiti në një intervistë këto ndryshime si një "dozë realitetesh", por premtoi edhe shumë surpriza para serisë së fundit, të cilën shpreson ta mbyllë me sezonin e shtatë dhe vetëm me një shtëpiake të dëshpëruar. Se cila do të jetë kjo, nuk pranon ta tregojë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›