E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet e medikamenteve mbahen artificialisht të larta

Kompanitë farmaceutike po bllokojnë, ose vonojnë në mënyrë të vullnetshme hyrjen në tregun evropian të medikamenteve gjenerike (produkteve u ka skaduar patenta) me çmime të ulëta, duke mbajtur kështu artificialisht çmimet e produkteve farmaceutike në përgjithësi në nivele të larta. Vërejtja u bë publike përmes një raporti zyrtar të publikuar nga Këshilli i Evropës, ku vërehej se një politikë e tillë tregu bën që në arkat e kursimeve të evropianëve të mungojnë 3 miliardë euro gjatë hapësirës kohore 2000-2007 dhe se firmat farmaceutike përdorin rrugët ligjore dhe patenta të shumëfishta për të mos i lejuar rivalët të hyjnë në treg. Ndërkaq, vetë kompanitë farmaceutike bënë me dije nga ana e tyre, se politikat qenë "krejtësisht të ligjshme" dhe se justifikohen me mbrojtjen e investimeve në sektorin e kërkimit dhe të zhvillimit në këtë industri.

Kompanitë e produkteve gjenerike - të cilat hedhin në treg medikamente të njëjta, por me çmime më të lira, pasi e kalojnë kohën e detyrueshme të patentës - ankohen prej kohësh për vështirësitë që hasin në penetrimin e tregut evropian. Sipas Komisionit Evropian, mësohet se kompanitë e mëdha kanë bërë të mundur që për produktet gjenerike të krijohen një mori e madhe pengesash administrative - në një rast, për një medikament të vetëm lipseshin 1 mijë e 3 qind aplikime. Nga raporti mësohet që shumë shpesh pronarët e dikurshëm të patentave ndërhyjnë pranë shteteve për të shtuar procedurat lidhur me medikamentet gjenerike. Janë raportuar 700 çështje ligjore për mosmarrëveshje për patentat dhe më shumë se 200 marrëveshje mes kompanive që zotërojnë marka prodhimesh dhe kompanive të produkteve gjenerike.

"Hyrja në treg e kompanive gjenerike dhe zhvillimi i medikamenteve më të lira e më të pranueshme për konsumatorët bllokohet ose vonohet në mënyra të ndryshme, por me kosto domethënëse për sistemet shëndetësore, konsumatorët dhe taksapaguesit", tha komisioneri për kompeticionin, Nili Kros. "Jemi ende në hapat e parë, por komisioni nuk do të hezitojë të hapë çështje gjyqësore për qëndrime antitrust kundër kompanive, ku vërehen sjellje që cenojnë rregullat e tregtisë së lirë". Komisioni mund të marrë masa të ashpra ndëshkuese ndaj kompanive farmaceutike, në rast se këto praktikojnë masa jo të ndershme. Në vitin 2005, kompania "AstraZeneca" u gjobit 60 milionë euro, pasi bllokoi një produkt rival.

Menjëherë lidhur me raportin deklaroi Federata Evropiane e Industrive dhe Asociacioneve Farmaceutike (EFPIA), sipas së cilës, "firmat prodhuese të medikamenteve përdornin praktika tërësisht të ligjshme - siç janë portofolet e patentave, çështjet gjyqësore mbi patentat dhe hedhjen në treg të medikamenteve të përmirësuara". "Këto praktika janë tepër të rëndësishme për inovatorët, duke qenë se vetëm kështu mund të mbrohen investimet e tyre gjigante në kërkime dhe zhvillime", sqaroi EFPIA, duke qenë se kjo industri shpenzonte në kërkime e zhvillime të reja më shumë se në çdo industri tjetër. EFPIA - sipas së cilës raporti i komisionit nuk është përqendruar te problemet e vërteta me të cilat përballet kjo industri - kërkoi një treg edhe më kompetitiv lidhur me medikamentet gjenerike, duke nënvizuar se produktet gjenerike në Evropë kanë shumë më tepër hapësirë se në Amerikë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›