E Diel, 1 Nëntor 2026

Garantohet kujdes mjekësor 24 orë për zonat e përmbytura

08/01/2010  Shpërndahen medikamentet, mjekët në punë me grafik
Në vazhdën e masave të marra për banorët e zonave të përmbytura në Lezhë e Shkodër, dikasteret shëndetësore garantojnë sigurimin e kujdesit mjekësor 24-orësh për banorët e këtyre zonave. Përkundrejt sasisë së medikamenteve e materialeve mjekësore të nisura drejt zonave problematike, është konfirmuar edhe grafiku i mjekëve specialistë që do të shërbejnë non stop për banorët. Shërbimi shëndetësor do të jetë i garantuar veçanërisht për fshatrat e dëmtuara nga reshjet e ditëve të fundit në të tria komunat e përmbytura në zonën e Shkodrës: atë të Dajçit, Anës së Malit dhe Gurit të Zi, ku specialistët ndodhen në terren për të ndjekur nga afër gjendjen dhe nevojat për medikamentet. Lidhur me masat e ndihmës dhe urgjencës së marrë drejtori i mjekut në ISKSH, Gazmend Koduzi, ka pohuar se pas verifikimeve në terren është instaluar shërbim i pandërprerë në këto komuna, me anë të një grafiku të përcaktuar nga ky institut, në bashkëpunim me qendrat shëndetësore të 4 fshatrave të këtyre komunave. Gjithashtu për të mbuluar shërbimin 24 orë janë caktuar edhe mjekë të zonave përreth për të qenë të pranishëm në këto qendra shëndetësore në rast nevoje të banorëve të këtyre zonave. Sa u takon medikamenteve, sipas ISKSH-së poliklinikat dhe ambulancat janë të pajisura me të gjithë setin e medikamenteve të emergjencës, i nevojshëm në këto raste. Gatishmëria e mjekëve do të jetë maksimale, veçanërisht për pacientët e sëmurë kronikë, kategori e cila po merr vazhdimisht mjekimin të përditshëm. Konkretisht, ë fshatin Obot të komunës Ana e Malit mjeku Ilir Laçej ka shpërndarë vetë ilaçet me rimbursim te banorët e përmbytur, duke i arritur ata në shtëpitë e tyre me varkë. Gjithashtu situata e rënduar në këtë qark ka sensibilizuar sektorin farmaceutik, ku pranë Ministrisë së Shëndetësisë kanë filluar të vijnë ndihmat e para në medikamente, kryesisht antibiotikë, që sipas të gjitha procedurave përkatëse do t’u përcillen zonave më problematike. Vetëm kompania “Intermed” ka dorëzuar dje një sasi medikamentesh, që kapin shumën 5.2 milionë lekë. Ky donacion është pasuar nga donacione të tjera të Profarmës dhe “Avicena”-s. Edhe spitalet janë në gatishmëri të plotë për situatën e krijuar nga reshjet e shumta të ditëve të fundit. ISKSH-ja do të vijojë të ketë gatishmërinë maksimale, duke dhënë shërbim të pandërprerë për këta banorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›