E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi me fëmijët, 20 vjet burg për Braun

Prokuroria e Tiranës kërkoi shpalljen fajtor të presidentit të qendrës “Fëmijët e tij”

TIRANË- Pas nëntë muajsh gjykim, Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me 20 vjet burg për David Braun.Sipas konkluzioneve të prokurorit Kol Hysenaj, i pandehuri 60- vjeçar Braun, gjatë periudhës 2003-2005 ka abuzuar në dy raste, ndaj fëmijëve të mitur dhe endacakë që jetonin në qendrën e tij bamirëse në rrugën “Dervish Hekali”. “Nga hetimi gjyqësor është provuar dhe faktuar me anë të dëshmitarëve të viktimave se i pandehuri David Braun ka konsumuar veprën penale të “marrëdhënieve homoseksuale me të mitur” në bashkëpunim dhe për kryerjen e kësaj vepre të rëndë penale kërkojmë dënimin e tij me 20 vjet burg”,-tha prokurori. Gjithashtu, prokurori nënvizoi se për vuajtjen e këtij dënimi, i pandehuri duhet të izolohet në një burg të sigurisë së lartë, për shkak të rrezikshmërisë së kryerjes së kësaj vepre penale. Sipas konkluzioneve, i pandehuri ka abuzuar me dy të mitur të moshës 6 dhe 7 vjeç, në kohën kur këta të mitur jetonin dhe banonin në qendrën bamirëse “Fëmijët e tij” që ndodhej në rrugën “Dervish Hekali”, në banesën private me nr. 32, për shkak të kushteve të këqija ekonomike pranë familjeve të tyre. Kjo seancë gjyqësore zgjati rreth 1 orë e 15 minuta, ku pas leximit të konkluzioneve të prokurorit gjykata vendosi të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor për t’i lënë kohë avokates mbrojtëse të përgatisë pretendimet përfundimtare. Mësohet se gjatë seancave të kaluara, i pandehuri Braun ka pretenduar disa herë se ishte impotent dhe nuk mund të kryente marrëdhënie homoseksuale për shkak të sëmundjes së fimozës, që për ekspertët mjeko-ligjorë kjo nuk është e vërtetë. Sipas prokurorisë, janë katër fëmijë, ndaj të cilëve është abuzuar nga i pandehuri Braun dhe dy -ish punonjësit e kësaj qendre bamirëse që po gjykohen në një proces tjetër gjyqësor, të pandehurit Dino Christodulu dhe Robin Arnold. Arrestimi i shtetasit anglez David Braun, u bë më 18-maj të vitit 2006, pas kallëzimit të disa të miturve endacakë, të cilët akuzonin ish-administratorin e qendrës së bamirësisë “His Children” se abuzonte seksualisht me ta. Ndërkohë, vetëm dy ditë pas arrestimit të Braun, policia shqiptare arrestoi edhe kuzhinierin e kësaj qendre, shtetasin Janaq Papleka i cili u dënua për veprën penale të “mos kallëzimit të krimit”, ndërsa akuzoi edhe dy shtetasit e tjerë anglezë Dino Christodolu dhe Robin Arnold, të cilët u ekstraduan vetëm pak muaj më parë, se kanë kryer edhe ata veprën penale të “marrëdhënieve homoseksuale me të mitur” gjatë qëndrimit me punë në këtë qendër bamirëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›