E Diel, 1 Nëntor 2026

Evazioni fiskal i Erion Veliajt nëpërmjet bizneseve në të zezë të vëllait të tij

Milionat e munguara në arkën e shtetit, si kreu i G 99 ngriti biznese të paligjshme dhe faturoi qindra miliona lekë të “Mjaft”, PS-së etj

Shkeljet e rënda të ligjit dhe evazioni fiskal i Erion Veliajt, janë realizuar nëpërmjet bizneseve të vëllait të tij Arbër Veliaj.
Pas fillimit të procedimit penal, për evazion fiskal ndaj kreut të G 99, dalin në dritë edhe faktet dhe mënyrat e abuzimit të Erion veliajt.
Denoncuesi i këtij skandali, Avokati Altin Goxhaj, kreu i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, shpjegon se, vëllezërit Veliaj e kanë kryer evazionit fiskal prej qindra miliona lekësh dy bizneseve të paligjshme të cilët nuk kanë paguar asnjë taksë, si çdo biznes tjetër në Shqipëri. Dy bizneset e familjes Veliaj janë prezantuar në raport me klientët nëpërmjet dy emrave, “Grafik Propaganda” dhe “Fshati Urban”
Këto dy biznese krejtësisht të paligjshme kanë kryer një evazion fiskal në përmasa qindra miliona lekësh nga Erion Veliaj dhe i vëllai i tij Arbër Veliaj.
Në vitin 2005, kur Erion Veliaj i dha të vëllait kredi për të themeluar “Grafik Propagandën”, ky biznes nuk u regjistrua në gjykatë megjithëse ishte një kusht i kontratës. Që prej asaj kohe, pranë zyrës së Tatim Taksave nuk ekziston asnjë pagesë detyrimesh fiskale megjithëse ky biznes prezantohet me dhjetëra klientë VIP.
Sipas Avokatit Altin Goxhaj mësohet se, skema e përfitimit dhe abuzimit fiskal të familjes Veliaj përfshin nga një anë thithjen e parave të projekteve miliardere të mjaftistëve të Veliajt dhe nga ana tjetër, realizim të faqeve on-line dhe të shërbimeve të tjera të imazhit dhe aranxhimit për dhjetëra biznese shqiptare dhe të huaja si dhe institucione publike e jopublike.
“Grafik Propaganda është emri i prezantuar nga Veliajt në rolin e realizuesit të dhjetëra faqeve on-line, organizimit të prezantimeve video dhe aspektit të dizajnit dhe prodhimit të posterave dhe materialeve të tjera promocionale në vlera qindra miliona lekësh por ka të dhëna që të dyshosh që mund të jetë kapërcyer dhe shifra 1 miliardë lekë”, sqaron më tej Goxhaj.
Duke akuzuar Erion Veliajn se si paratë e donatorëve të “Mjaft”-it, i kaloi në xhepat e vetë, Goxhaj rendit disa nga projektet e “Mjaft”-it, që donatorët e huaj i sollën për rininë shqiptare dhe që u administruan nga biznesi i paligjshëm “Grafik Propaganda”.
Sipas Goxhaj, mësohet se “Grafik Propaganda”, më 10 shkurt 2005, filloi të punojë për ndryshimin e mazhit të Lëvizjes “Mjaft” në internet. Pjesë e përdorimit të fondeve dhe donacioneve të shumta, kryesisht të huaja, janë edhe projektet “Unë Votoj”, “Mjaft Fest 2005”, Fushata “Shkunde Votën”, Fushata “Jeto Gjelbër”, “Haris @ 3 vjet ‘Mjaft’”,
Të gjitha këto projekte i kanë kaluar të vëllait të Erion Veliajt duke xhiruar qindra miliona lekë ku dhe evazioni fiskal arrin përmasa të mëdha, sqaron më tej Altin Goxhaj.
Për Avokatin Altin Goxhaj, një nga “shërbimet” më surprizë ka qenë roli që kanë pasur vëllezërit Veliaj në raport me Partinë Socialiste. Në këtë nivel bashkëpunimi, Goxhaj sqaron më tej se, “Grafik Propaganda” realizoi dizajnin e faqes në internet për partinë më të madhe opozitare në Shqipëri. JO vetëm kaq, por në kongrsin e datës 10 qershor 2006 të PS-së, “Grafik Propaganda” realizon imazhin e ri të kësaj partie, ndërsa prezantoi për herë të parë, disa produkte të saj, vijon më tej, me sqarime te tij Goxhaj.
“Kjo tregon një histori të vjetër të përdorimit të Erion Veliajt nga Edi Rama vite më parë dhe tregon se kujt i shërben dhe kë përfaqëson në të vërtetë Erion Veliaj, rininë shqiptare apo Edi Ramën”, komenton kreu i Zyrës për Mbrojtjen e konsumatorit, Altin Goxhaj.
“Të dhënat e mbledhura për evazionin fiskal të vëllezërve Veliaj, i referohen vetëm abuzimeve para 2009, sepse në vitin 2009, vëllai i Veliajt, Arbëri ishte shumë aktiv në fushatën elektorale të Partisë Socialiste dhe të G 99. Arbër Veliaj është njeriu kryesor që ka dizenjuar dhe prodhuar imazhin ylberit të Partisë Socialiste dhe gjatë fushatës ka inkasuar shumë para për shërbimet dhe produksionet e imazhit dhe printimet e pafundme me ploter (pajisje e llogaritur në vlerën me qindra mijë euro, origjina e të cilave ende nuk dihet)”, shton më tej Goxhaj.
Ajo që ka rëndësi ka të bëjë me faktin se vëllai i Veliajt është i regjistruar në QKR në 2007 për një biznes që shet parfume dhe në asnjë rast ai nuk ka deklaruar pranë tatimeve dhe taksave milionat që ka qarkulluar në shkelje te plotë të ligjeve dhe detyrimeve që ka çdo biznes në Shqipëri. Bashkia Tiranë ka mbrojtur me të gjitha mjetet evazionin fiskal marramendës të vëllait të njeriut që ulërinte për transparencë të qeverisë dhe që ngjiti shkallët e karrierës në emër të luftës kundër korrupsionit.
Tashmë, objekt i procedimit penal të Prokurorisë së Rrethit të Tiranës, mësohet se do të jenë edhe numrat e llogarive bankare të Veliajt & Co.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›